“Eho” për vetminë, sonte premierë televizive në KTV

Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Kohavisionin, të dielën, prej orës 20:30, sjellin premierën televizive të filmit “Eho”, në regji të Dren Zherkës. Në rolet kryesore në film shfaqen aktori kosovar Selman Jusufi dhe aktorja gjermane Klara Höfels.

Vdekja në një aksident trafiku, e emigrantit ilegal kosovar në Gjermani, shërben si pikënisje mbi të cilën shtjellohet një histori shumë më e gjerë sesa kaq. Aksidenti fatal bëhet shkak për t’i ndërlidhur dy rrëfime. Ismeti, ish-gazetar i Radiotelevizionit të Prishtinës (që luhet nga Selman Jusufi), dhe gjermania Hana, bashkëmoshatare e tij (Klara Höfels) janë protagonistë të një filmi që për bazë e ka vetminë njerëzore. Fatet e dy prindërve, që as nuk njihen e as nuk flasin të njëjtën gjuhë, kryqëzohen nëpërmjet fatkeqësisë

Gruaja në Gjermani nis një udhëtim për të eksploruar jetën emigrantit të vdekur dhe gjen vetminë e saj. Pas aksidentit, ajo përpiqet të ngushëllojë familjen e të riut nga Kosova për shkak të fajit. Pak nga pak, ajo eksploron pa dashje jetën e të riut në Gjermani. Ndërkohë, Ismeti në Kosovë as kërkon, as nuk pret ndonjë ndihmë nga të tjerët, pasi ka humbur gjithçka për të cilën ka punuar shumë për ta ndërtuar. Ka humbur gruan dhe vajzën e tij dhe praninë e tyre vazhdon dhe e ndien ende brenda shtëpisë së tij gjysmë të djegur. Tani ai ka humbur edhe djalin.

Höfels e Jusufi asnjëherë nuk bëhen bashkë në një skenë të filmit, me të cilin regjisori Dren Zherka debutoi në metrazhin e gjatë. Në fiks 93 minuta, historia e filmit ndahet në dysh. Premierë kombëtare u dha në korrik të vitit 2017, në “PriFilmFest”. Produksioni i vitit 2016 është prezantuar në një numër të konsiderueshëm festivalesh si Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Mumbai, Festivali Evropian i Filmit të Pavarur ECO dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durban. Në Festivalin Botëror të Filmit në Montreal, filmi qe shpërblyer me çmimin “Zeniti i Argjendtë”. “Eho” është filmi i dytë i cili vjen si premierë televizive në KTV në kuadër të transmetimeve të filmave vendorë në televizion në bashkëpunim me QKK-në.