Ekspozita me kristale të nxjerra nga minierat e Trepçës/ Sibel Halimi: Shkëlqimi i tyre është një kujtesë e hidhur

Me rastin e 100-vjetorit të Trepçës, në Prishtinë është hapur ekspozita artistike me 500 kristale të nxjerra nga minierat e Trepçës në Kosovë.

Të ftuar të ndryshëm, nga përfaqësues të institucioneve, përfaqësues nga Zyra e Presidentes, anëtarë të partive politike, artistë dhe gazetarë morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite në “Reporting House” në qendër të Prishtinës.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, sipas së cilës “kristalet e Trepçës qëndrojnë të varura në një fije të hollë, si fryma e një kujtese të pezulluar, të reflektuara në pasqyrën e dikurshme të Gërmisë, tashmë e transformuar në një hapësirë arti. Instalacioni “100”, kuruar nga Gaz Ejupi, shënon një shekull të historisë së Trepçës”.

Halimi shtoi se 100-vjetori i Trepçës reflekton në zemër të Prishtinës, ku Reporting House vazhdon të dëshmojë vlerat tona dhe historinë tonë të përbashkët.

“Por më shumë se një përvjetor, ky instalacion ngulmon të ngulitet në kujtesën tonë kolektive, si një akt poetik për të rikthyer në dritë figurën e heshtur të punëtorëve të saj, trupat e përkulur mbi minerale, duart që kanë prekur në errësirë, jetën dhe vdekjen njëherësh.

Ata janë dëshmitarët e një kohe që rrjedh thellë, si rrëke e nëndheshme, e që tashmë përthuret me historinë e rezistencës dhe çlirimit tonë të vonë”, tha Halimi.

Sot, ndërsa kristalet shkëlqejnë nën dritën e galerisë, një kontrast therës vazhdon të jetojë nën tokë.

“Ato janë nxjerrë nga 750 metra thellësi, ku punëtorët ende përballen me temperatura përvëluese, deri në 50°C, me lagështi, pluhur dhe mungesë të pajisjeve mbrojtëse.

Shkëlqimi i tyre është një kujtesë e hidhur, se bukuria shpesh lind nga sakrifica, dhe se ajo që na magjeps në sipërfaqe, e ka çmimin e saj në errësirë”, pohoi drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Autori i kësaj ekspozite, Gazmend Ejupi, para hapjes së ekspozitës tha se instalacioni nuk është vetëm një festë vizuale, por edhe një thirrje për kujtesë dhe vazhdimësi ndaj të kushtuarit rëndësi të Trepçës.

Ejupi tha se kristalet qëndrojnë në mbajtëse të telit, për të krijuar një mënyrë teatrale të instalimit të gurëve.

Trepça është një minierë e lashtë plumbi, zinku, argjendi, kristalesh dhe mineralesh të ndryshme në Kosovë, gjegjësisht në komunën e Mitrovicës. Ajo në kohën e ish-Jugosllavisë ishte njëri ndër motorët e ekonomisë, por vitet e fundit të shekullit të kaluar u bë fillimi i fundit të ish-Jugosllavisë, me kryengritjet e punëtorëve shqiptarë.

Në nëntor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, me ç‘rast e transformoi Trepçën në shoqëri aksionare, ku 80 për qind të aksioneve të kësaj korporate janë pronë e Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind të aksioneve në pronësi të punëtorëve të Trepçës.

ObserverKult


Lexo edhe:

U PËRURUA DEGA E BIBLIOTEKËS “HIVZI SULEJMANI”/ SIBEL HALIMI: KËSAJ HAPËSIRE I ËSHTË RIKTHYER GJALLËRIA