Ekspozitë me ikona dhe relikte të shenjta të Ballkanit

“Ikona të mrekullueshme dhe relikte të shenjta të Ballkanit”, titullohet ekspozita e çelur ditët e fundit nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Tiranë në bashkëpunim me Qendrën Muzeore, Berat.

Në hapjen e ekspozitës ishte i pranishëm edhe ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momchil Raytchevski. Drejtues të qeverisë vendore, gazetarë bullgarë, artdashës, qytetarë, etj.

Kjo ekspozitë paraqet disa periudha historike dhe vende si: periudha Post Bizantine, Mesjeta Bullgare, mali Atos. Pastaj manastire bullgare si dhe relikte të shenjta në vendet ballkanike.

Drejtori i Qendrës Kombëtare Muzeore në Berat, Agron Polovina tha për ATSH-në se “fotot e ekspozuara janë pjesë e fondit nga Arkivi i Qendrës për Studime Sllavo-Bizantine “Prof. Ivan Duicev” në Universitetin e Sofjes “Kliment Ohridski”. Si dhe nga manastiret: Rila, Trojan dhe Bigorski”.

Sipas tij, çelja e ekspozitës ishte në kuadër të promovimit të marrëdhënieve, vlerave të kulturës dhe trashëgimisë ndërmjet dy vendeve tona.

Polovina shprehet se gjatë këtyre ditëve ekspozita është vizituar nga një numër i lartë turistësh.

“Të shumtë e në rritje ka qenë numri i turistëve, gazetarëve e delegacioneve nga Republika e Bullgarisë. Të cilët kanë patur mundësinë të vizitonin Beratin, Muzeun e Ikonografisë Onufri, katedralen “Fjetja e shën Marisë”. Dhe koleksionin e muzeut ku ruhen edhe reliktet e dy shenjtorëve Shën Gorazdi dhe Shën Angjëllari”, tha Polovina.

Ekspozita vjen si një projekt i Institutit Kulturor Shtetëror të Republikës së Bullgarisë në bashkëpunim me fondacionin Helena dhe Dujçev. Ku në 24 panele prezantohen ikona, kisha e manastire si dhe relikte të shenjta në vendet ballkanike të shoqëruar me një përshkrim të shkurtër për secilën imazh./ATSH


Lexo edhe:

FOTOGRAFI QË “TË RRËQETHIN”, JA SI DUKEJ BERATI PARA NJË SHEKULLI

ObserverKult


Lexo edhe: