Ekspozitë në ObserverKult: Alketa Bercaj Delishaj, piktore (Foto)

Në rubrikën EXPO në ObserverKult, kemi zgjedhur për ta prezentuar me punimet e saj artistike, piktoren Alketa Bercaj Delishaj.

Alketa Bercaj Delishaj lindi në Malësinë e Madhe dhe prej vitit 2001 jeton në Verona të Italisë. Është trajnuar në fushën e artit bashkëkohor, fotografisë, instalacionit dhe performancës.

Në 2016 hapi studion e saj të parë artistike dhe në vitin 2021 galerinë e saj personale në Riccione të Italisë.

Alketa ka hapur ekspozita të shumta në Itali, Gjermani, Holandë, Kosovë, Turqi etj..

Ajo ka bërë projekte të ndryshme ndërkombëtare duke arritur të bashkëpunojë dhe me Belmond Group, liderin ndërkombëtar të hoteleve që është pjesë e LVMH Mowt Hennessy Louis Vuitton.

Në vitin 2021 veprat e saj u blenë për njërin nga hotelet e tyre siç është “SPLENDIDO a Belmond Hotel Portofino”

Në vitin 2018 Alketa ishte fituese në manifestimin “Mediolanum ne Arte Padova” me pikturën “Swimmers”. Po atë vit u rendit si finaliste për çmimin Contemporary Art Talent Show, por vetëm një vit me vonë fitoi çmimin e dytë në po të të njëjtin konkurs.

Në vitin 2019 ishte fituese e çmimit “Miglior artista in studio” (Artistja më e mirë në studio) i dhënë nga DRM Mantova. Në vitin 2020 fitoi çmimin PRS Talent Prize në Paratissima Bologna.

Në vitin 2021 Alketa realizoi projektin CAPOLAVORO me një ekspozitë fotografike dhe një film të shkurtër, me punëtorë të fushave të ndryshme. Fokusi i këtij projekti ishin punëtorët dhe problematikat e punës së kohëve moderne. Ky projekt u financua nga HSERVIZI dhe UilTucs Bergamo e Lombardia në Bergamo të Italisë.

Në maj të 2022 Revista ELLE Italia, një ndër revistat më prestigjioze në Itali publikoi punën e saj me rastin e pjesëmarrjes ne Booming Bologna. Gjithashtu dhe gazeta e famshme la Repubblica po ato ditë publikoi veprimtarinë e Alketës.

Alketa ka vendosur të bëj art jokonvencional, duke studiar bazat e asaj që ajo prezanton, siç është projekti kushtuar zhytëseve të para gra, si ato të viteve 1920- Jane Fauntz dhe Katherine Rawls, e që konkurruan për herë të parë në Lojërat Olimpike në Anversa, deri në ditët e sotme duke treguar historinë e hedhjes nga trampolina në Lojërat Olimpike. Këto vepra janë burimi i një pasurie të madhe në pikturën e saj. Lëvizjet, dinamizmi dhe eleganca e këtij sporti kanë frymëzuar vite të tëra gjatë punës së saj.

Ekspozitën e radhës për vitin 2023 Alketa do ta mbajë në Milano në panairin e artit UNFAIR, nga 2 deri më 5 mars 2023.

E përgatiti: A. S.- ObserverKult

EKSPOZITË NË OBSERVERKULT: LEBIBE TOPALLI, PIKTORE (FOTO)