Ekspozitë në ObserverKult: Osman Demiri, fotograf (foto)

osman demiri

Në rubrikën Expo, ObserverKult ua prezanton fotografin e njohur shqiptar Osman Demiri.

Osman Demiri ka lindur në vitin 1965 në Kumanovë. Ka kryer shkollën e mesme për Fashion Design, Fakultetin Filologjik në Shkup, Shkollën e Fotografisë “John Kaverdash Scool” në Milano dhe masterin në Universitetin për Film dhe Arte Audiovizuele, drejtimi “Kamera Filmike” në Shkup.
Ishte bashkëpunëtor i gazetës “FLAKA”, redaktor i javores “JETA”, korrespondent i gazetës RILINDJA.
Po ashtu ishte drejtor fotografie në filmat “Maratona”, “Aksioni”, “Ditari” dhe filma dokumentar “Fshati im”, “Një jetë për liri”.
Regjisor i filmave të shkurtër “Heroi”, “Rruga”, “Portreti” dhe pjesmarrës në disa festivale. Anëtar jurie dhe kurator në konkurse dhe ekspozita të fotografisë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Turqi, Bullgari etj.
Ligjërues i Fotografisë në Universitetin e Tetovës. Themelues i Shkollës Verore të Fotografisë “Qyteti im” dhe My Way”. Ish kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Maqedonisë së Veriut Draudacum. Drejtor i Galerisë KULT.

Ka hapur ekspozita personale në: Gostivar, Tetovë, Prizren, Shkup, Prilep, Veles, Milano, Guidizzolo, Salsburg, Boston, Maribor, Beograd, Novi Sad, Berat, Korcë, Stamboll, Antalia, Brisel, New York, Prishtinë, Tiranë, Preshevë, Suharekë etj. dhe mbi 150 ekspozita kolektive në Maqedoninë e Veriut dhe jashtë.      

Fotografitë që kemi zgjedhur t’ua prezentojmë janë pjesë e ekpozitës së tij “Përtej Kaosit”.

Përtej kaosit

Nga Vlora Demiri, historiane e artit

Teoria e kaosit mund të përkufizohet si shkenca që studion rrëmujën, kompleksitetin, trazirat, veprimin ose sjelljen e ripërsëritur në mënyrë të çrregullt e të paparashikuar. Kjo teori studion sjelljet komplekse, jo tw qëndrueshme, joperiodike apo të paparashikueshme në sisteme aktive përcaktuese jolineare. Një prej parimeve më të rëndësishme të saj është “Efekti flutur”, që mbështet konceptin se lëvizja e krahëve të një fluture në një vend, mund të shkaktojë ndryshime të mëdha në një vend tjetër. Thelbi i kësaj teorie është se në një sistem kompleks, gjërat e vogla sjellin ndryshime të mëdha.

Fotografia e Osman Demirit bën një shkëputje nga kaosi aktual në të cilin jetojmë. Ajo reflekton qartë parimet e kësaj teorie, ku detajet apo shmangiet e vogla, që syri i shpërfill, papritmas krijojnë një imazh krejtësisht të ndryshëm. Demiri merr guximin të hyjë në të përditshmen, që është sinonim i kaosit, dhe me ngulm arrin ta shkëpusë sublimen nga ky kaos. Nganjëherë të krijohet përshtypja se ai ia përcjell me pahir këtë efekt publikut për t’i ngjallur kërshëri apo dëshirë për të kërkuar dhe për ta gjetur veten në ato detaje që përcillen brishtësisht përmes fotografisë. Përmes ndjeshmërisë dixhitale (dikur celuloid) Demiri arrin të izolojë atë çka syri jonë e shmang, duke e kthyer në një imazh të fuqishëm dhe të rrënjosur në realitet, por të larguar nga realizmi. Abstraksioni i tij fotografik shpreh një ndjenjë të caktuar, një ide, një përshtypje estetike, që mbështetet në perceptimin tonë vizual, sensin parësor të formës, linjave dhe ngjyrave. Kompozicionet në fotografinë e autorit janë si gjurmët e gishtërinjve, të ngjashme, por aspak të njëjta. Demiri shkrep, mban pre imazhin deri në momentin e parë të takimit me shikuesin dhe më pas e lë të lirë në imagjinatën dhe kuriozitetin e tij natyror. Fotografia e tij është fluide dhe mund të themi pa droje se ajo, me qetësi dhe durim, depërton në syrin tonë duke na krijuar një imazh të pafund, që ngjall ndjesinë e një imazhi fraktal. Momenti kur autori arrin qëllimin e tij është kur na ka përcjellë mesazhin se janë detajet ato që bëjnë ndryshimin.

Duke qenë pjesë e pashmangshme e kaosit dhe monotonisë kaotike është e lehtë të ndikohesh nga buja e gjërave të mëdha, që kanë impakt në çdo sferë të jetës, por fotografia e Osman Demirit na kujton mirëfilli se gjërat e vogla janë ato që bëjnë ndryshimin dhe kanë efekt esencial në jetën tonë.

ObserverKult