Ekspozohen në Prishtinë ekzemplarë të rrallë të abetares së gjuhës shqipe

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, çelën në Prishtinë, ekspozitën retrospektive “Rrugëtimi i abetares shqip 1844-1942”.

Kjo ekspozitë sjell për herë të parë në Prishtinë ekzemplarë të rrallë të teksteve të abetareve të gjuhës shqipe, të personaliteteve dhe figurave të shquara të kombit.

Kjo ekspozitë sjell rreth 100 vjet rrugëtim të abetares shqip, duke nisur nga abetarja e parë e gjuhës shqipe e njohur gjer më sot, ajo e Naum Veqilharxhit më 1844, që mendohet të jetë botuar në Bukuresht ose Rumani dhe deri në vitin 1942 me abetaret toskërisht e gegërisht, botuar nga Ministria e Arsimit në Firenze.

Ekspozita “Rrugëtimi i abetares shqip 1844-1942” mban për autorë emra të mëdhenj të letrave shqipe, duke nisur me Veqilharxhin e vijuar me Kostandin Kristoforidhin, Anastas Kulluriotin, Sami Frashërin, Jeronim de Radën, Luigj Gurakuqin, Nikolla Lakon, Mati Logorecin, Ndre Mjedën, Jani Vreton, Pashko Vasën, Ndoc Nikajn, Parashqevi Qiriazin, Aleksandër Xhuvanin, Ndue Palucën etj., të cilët duhet t’i kujtojmë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.

Shumica e abetareve të ekspozuara janë shtypur jashtë vendit, çka reflekton edhe situatën e vështirë që ekzistonte në Shqipëri dhe vështirësitë në rrugëtimin e lëvrimin, njohjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare.

Këto abetare janë shtypur në Bukuresht, Konstancë, Athinë, Selanik, Bruksel, Firence, Milano, Vjenë, Paris, Stamboll, Sofje etj. Ndërkohë që abetarja e parë e shtypur në vend është ajo e Shoqërisë “Bashkimi”, shtypur në Shkodër më 1899-ën./ATSH


Lexo edhe:

KUSH I SHTYPI DY ABETARET E NAUM VEQILHARXHIT?

ObserverKult