Ekzekutimi i poetit në moshën 31-vjeçare/ “Shpërthimi” në sallën e gjyqit dhe fjala e fundit të Trifon Xhagjikës…

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi në ditën e lindjes, poetin disident Trifon Xhagjika (1932-1963). Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe në vijim tek “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë. Studioi në pedagogjiken e Elbasanit (1947).

Në vitin 1951 filloi punë si shef redaksie në revistën “Pionieri”. Më 1954 mbaroi Shkollën e Bashkuar në degën Artileri Kundërajrore. Ka punuar në Degën e Rregulloreve në Ministrinë e Mbrojtjes.

Gjatë viteve që shërbeu si oficer, Trifon Xhagjika ka botuar cikle me poezi në shtypin e kohës, në revistën “Nëntori”, “Letrari i ri”, “Zëri i Rinisë” etj. Më 1959 boton librin e tij të parë “Gjurmët”. Trifon Xhagjika “rebeloi” shumë shpejt, sepse donte lirinë dhe poezinë.

Fillon të bjerë në konflikt të hapur me regjimin diktatorial dhe më 6 dhjetor 1963, dënohet për tradhti, vepra terroriste dhe agjitacion e propagandë. Gjyqi e dënoi me vdekje, ndërsa Trifoni në sallë recitoi poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”.

Trifon Xhagjikën e pushkatuan më 23 dhjetor 1963, në moshën 31-vjeçare. Ai tregoi qëndrimin dinjitoz në sallën e gjyqit, “ku shpërtheu i rebeluar “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!” Kjo ishte dëshira e fundit e Trifon Xhagjikës përpara inkuizitorëve.”

Edhe pse kanë kaluar 61 vjet nga ekzekutimi i tij, ende nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij dhe dorëshkrimet e blloqet me vjersha që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit…

Bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në repartin 3700 në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë.

Në këtë kohë bëri një kurs për Gazetari e Histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë. Qysh në vitet e para të punës bëhet i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë.

Në vijim, transferohet nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj.

Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij. Në vitin 1959, botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”.

Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, e cila do të kristalizohej më vonë në një disidencë të hapur.

Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua.

Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.

Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij. Ndërkaq, familjarët dhe miqtë e poetit të martirizuar, ende nuk kanë rënë në gjurmët e krijimeve që i rrëmbeu Sigurimi në kohën e arrestimit.

Në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara katër dorëshkrime origjinale të tij.

Mbas rënies së diktaturës janë botuar librat e tij “Atdheu është lakuriq” (1994) si dhe një përmbledhje me poezi (2002).

Gjithashtu, Trifon Xhagjika ka lënë në dorëshkrim librin “Stina mendimi”. Muzeu Historik Kombëtar e konsideron poetin e pushkatuar, Trifon Xhagjika, si një meteor drite në poezinë shqipe.

Në vitin 1994, Trifon Xhagjika u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me motivacionin: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”.

Kohët e fundit në fshatin e tij të lindjes, në Peshtan të Tepelenës është vendosur një bust në kujtim të veprës dhe jetës së tij.

Atdheu është lakuriq!

…E pashë Atdheun lakuriq, (vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur! Por sa i vogël qenka!
As një degë nuk e këpuste dot.
E mora për dore ta rrit në zemrën time…
Vëllezër po e kërkuat Atdheun, e kam unë.
Ndihmomëni të qesh. Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!

1963

/panorama.com/ ObserverKult


Lexo edhe:

KËTO JANË FJALËT E FUNDIT TË POETIT QË TRONDITËN DIKTATURËN/ TRIFON XHAGJIKA NUK KËRKOI MËSHIRË…

Nga Visar Zhiti

60 vjet më parë, e pushkatuan dhe ishte vetëm 31 vjeç, poet… vrasja ndodhi dy ditë para Krishtlindjes nga një regjim gjakatar ateistësh, pa besuar kurrë se mund të kishte dhe ringjallje…

Poeti i pushkatuar Trifon Xhagjika

“Më jepni një top, t’i bie Komitetit Qendror, sistemit tuaj!” Këto ishin fjalët e fundit të tij, që po trondisnin trupin gjykues.

I pandehuri nuk po kërkonte mëshirë, siç dhe u pëlqente sundimtarëve, që të ndjeheshin të gjithëfuqishëm, gjysmë perëndi, si emblema të dhunës me sopatë në dorë, që drithëronin botën.

Jo vetëm që s’kishte kërkuar mëshirë, po kishte kërkuar një top…
 Është artilier…
– Ashtu?…
– Po, po… dhe poet…

– Se mos duhet t’i kërkojmë ne atij mëshirë… Në sallë arritën dhe dy vëllezërit e të pandehurit, sapo qe dhënë dënimi me pushkatim. U panë sy më sy…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult