Qyteti i Elbasanit mirëpret për të 22-tin vit radhazi Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2020”. Edhe pse në rrethana të kufizuara për shkak të situatës në të cilën ndodhemi prej pandemisë, organizatorët vendosën që ky kompeticion të mos i mungojë qytetit.
Nën sloganin “Gjurmë” ashtu sikurse viti 2020 ishte, do të ngjiten në skenë 10 trupa pjesëmarrëse shqiptare dhe të huaja, të ardhura nga Turqia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por mbyllja e kufijve ka bërë që të mungojë trupa Italiane.
Sipas drejtorit artistik të festivalit, Adonis Filipi, nëpërmjet shfaqjeve që do të përcillen për publikun do të synohet që ky edicion i 22-të të shërbejë si një akt frymëzimi për njerëzit. “Të gëzuarit dhe të ëndërruarit janë kusht ekzistencial i jetës sonë!”
“Ky festival shërben si modul që njerëzit të ndjejnë impulsin e jetës”, është shprehur drejtori artistik i festivalit Adonis Filipi.
Nga viti në vit shihet një rrudhje e shfaqjeve të ngjitura në skenë dhe artistëve profesionistë. Përgjegjës për këtë vit regjisori Filipi bën pandeminë, por edhe mos mbështetjen me fonde të ministrisë së Kulturës.
Mbështetja është modeste nuk është siç ka qenë viteve e kaluara, por mbase kjo është edhe çështje e politikave. Duhet të dimë se kjo nuk është e sotmja por edhe e kaluara, ky festival është aset jo vetëm për qytetarët e Elbasanit por për të gjithë vendin”, ka thënë Filipi.
I gjithë edicioni i Festivalit “Skampa” për tu mbrojtur dhe nga pandemia është konceptuar të mbahet në mjedise të hapura atraktive të qytetit të Elbasanit, në vendndodhje të veçanta – duke filluar nga ato të trashëgimisë kulturore e deri te sheshet.
“Do të bëhet në vende të ndryshme, lëvizja do të jetë në disa zona të qytetit”,ka thënë Kliton Kapaj, drejtor i Teatrit Skampa.
Festivali do të çelet me veprën “Mbyllja e dashurisë” me Luiza Zhuvani dhe Vasjan Lami. Ndërkohë organizatorët i bëjnë thirrje artdashësve të respektojnë masat anti-Covid në momentin që do të ndjekin shfaqet./abcnews.al