Në jetë të gjithë kanë nevojë për t’u ndjerë mirë. Por, më shumë se kushdo fëmijët me sindromën down. Prandaj, dy kantautorët e njohur Elina Duni dhe Vlashent Sata kësaj here ngjiten në skenën e qendrës kulturore të Katedrales Ortodokse me koncertin “Për me u ndje mirë”. Një kauzë bamirësie, ajo e mbështetjes së fëmijëve me aftësi ndryshe, të cilët kanë nevoja themelore për t’u arsimuar, strehuar edhe për të fjetur. Artistët Duni dhe Sata, por edhe vet drejtoresha e fondacionit Doën Syndrome Albania dhe Qendrës së Shërbimeve PRO PAK Emanuela Zaimi bëjnë thirrje, që njerëzit të jenë më shumë të vëmendshëm ndaj fëmijëve specialë
“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme në këtë botë, që njerëzit me aftësi ndryshe të jenë pjesë e shoqërisë edhe të kenë mundësi ta jetojnë jetën, duke qenë gjithëpërfshirës në shoqërinë tonë”, shprehet kantaurtoja Elina Duni.
Edhe Vlashent Sata e cilëson këtë koncert, një mundësi që të gjithë jenë bashkë jo vetëm si artistë, por edhe si njerëz
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij koncerti për të ndihmuar fëmijët, që të ndihen mirë. Fakti që ne jemi bashkë, si artistë, por edhe si njerëz, do të na bëjë të gjithë bashkë me fëmijët specialë. Do të sjellim muzikë që përfaqëson këto vlera edhe muzika do të bëjë që të gjithë të ndihen njësoj”, shprehet kantautori Sata.
Emanuela Zaimi, drejtoresha e fondacionit Down Syndrome Albania dhe Qendrës së Shërbimeve “PRO PAK” bën apel më shumë dashuri edhe kujdes ndaj këtyre fëmijëve, të cilët kanë nevojë që të ndihen të barabartë në shoqërinë tonë
“Terapia që ne bëjmë për fëmijët me aftësi të kufizuara është që të ndihen të barabartë me fëmijët e tjerë në shkolla, në rrugë, në punë. Shteti nuk është ende ekzistent, s’ka mundësi që të mbulojë shërbimet ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara. Për ne është një sfidë kaq e vazhdueshme, sepse në çdo tre muaj ne gjendemi, në situatën që: “Si do t’ia bëjmë për muajt e ardhshëm?”. Uroj që edhe nesër mbrëma, të mbledhim forcat edhe të gjejmë një paqe shpirtërore nëpërmjet artit që bëjnë këta artistë për të ndihmuar këto familje që kanë nevojë”, thotë Zaimi.
Koncerti me Elina Dunin, Rob Luft edhe Vlashent Satën do të zhvillohet në datë 21 dhjetor, ora 20.00 në qendrën kulturore ortodokse në Tiranë.