Nga: Elona Caslli
Mesnatë. Bie të fle. Dritarja është hapur dhe nga azili i të moshuarve përballë saj, dëgjohet zëri i një gruaje që bërtet me sa ka në kokë- Dua të shkoj në Amerikë. Dua të nisem tani dhe të shkoj në Amerikë se del dhe më pret djali atje.
Debati vazhdon me një zë të dytë që mesa kuptoj duhet të jetë infermierja. Ajo i thotë se po shkon ora një e natës dhe është koha për gjumë, por fjalia – Dua të nisem për Amerikë tani se del e më pret djali nesër në mëngjes, është më e fortë se kurrë.
Nga këmbëngulja e gruas për të shkuar në Amerikë kuptoj se duhet të jetë e sëmurë me Alzheimer, pasi filmi i kujtesës i është prerë veç te djali në Amerikë dhe nuk arrin të kujtojë detajet e një udhëtimi nga Shqipëria në Amerikë, biletën e avionit e shumë gjëra të tjera.
Është e çuditshme kjo lloj sëmundjeje ose më saktë prerja e filmit të kujtesës. Shpesh të duket se filmi pritet te pjesa që do më shumë.
Teksa dëgjoj fjalinë “Dua të shkoj në Amerikë” ndërmend më vjen gjyshi i një mikeshe të hershme të fëmijërisë. Teksa shkoja në shtëpinë e saj, takoja gjithmonë gjyshin e saj që ulej në të njëjtin vend. Një burrë me një pamje fisnike të cilit i ishte prerë filmi i kujtesës te dobia e arsimimit. Ai thoshte gjithmonë këto fjali;
-A je në shkollë? Mbaroje shkollën dhe mëso shumë. Në jetë mund të të marrin gjithçka veç mendjen jo.
Pasi i kishte thënë këto fjali një herë, qëndronte në heshtje për pesë minuta dhe fillonte nga fillimi duke harruar që të kishte pyetur më parë.
Teksa fjalia – Dua të nisem për Amerikë sot- kumbon përsëri në mes të natës, më kujtohet historia e një gruaje që vuante nga Alzheimeri në kohë të qoftëlargut. Jetonte me djalin dhe nusen e tij dhe në mes të natës zgjohej duke bërtitur – Dua të shkoj në Durrës te ime bijë.
Djali dhe nusja kishin gjetur një mënyrë për ta qetësuar. Meqënëse gruas së moshuar i ishte prerë filmi te zhurma e trenit që shkonte te e bija në Durrës, vinin lavatriçen e modelit të dikurshëm te procesi i shtrydhjes për pak minuta dhe pastaj thonin- Zbrit mama se mbërritëm.
Zhurma e lavatriçes, që mamasë i kujtonte zhurmën e trenit dhe fjalia. Zbrit mama se mbërritëm- , duket se ishte një ilaç gjumi për gruan me Alzheimer.
Një mikesha ime teksa ushqen vjehrrën e saj me Alzheimer më rrëfen- Sa herë që e ushqej time vjehrrë më thotë; Faleminderit dhe me një fat të mirë!
Robert Alt shkruan se dritaret e ndriçuara pas mesnate kanë të gjitha një histori të pashkruar.
Post Scriptum- Gruaja që dëshiron të shkojë në Amerikë duket se u përgjumë. Nuk dëgjohet më zëri i saj. U tret bashkë me pamundësinë për të kujtuar një të shkuar që nuk kthehet më.
*Titulli i origjinalit: “Dua të shkoj në Amerikë”
ObserverKult
Lexo edhe:
ELONA CASLLI: NUK KISHA GJI PËR FOSHNJËN… DHIMBJA E MADHE MA NDËRPREU…