Elona Caslli: Grua mos festo, por protesto!

elona caslli
Elona Caslli

Mos festo nesër, grua! Protesto!

Protesto për 364 ditë, që i jeton si skllave që nga mëngjesi deri në darkë!

Mos luaj teatrin e përvitshëm të gruas së lirë dhe me plot të drejta, pasi edhe ti vetë, e di fort mirë që je në rol.

Mos e gënje veten me një ditë lirie në vit ! Kjo nuk është liri. Gardiani yt dhe njëkohësisht burri yt, të ka lejuar thjesht të dalësh për ajrim, por kthimi në qeli është i pashmangshëm.

Qelia jote, është barra e përgjegjësisë familjare, që ti e përballon krejt e vetme, teksa yt shoq të ndjek rehatshëm nga kolltuku i spektatorit.

Qelia jote, është tjetërsimi yt, nga një grua , në një shërbëtore pa asnjë të drejtë.

Qelia jote, është zëri i tët shoqi, që të kujton orë e çast, që edhe ajri që thith është falë tij.

Mos e lyej me buzëkuq skllavërinë tënde, grua! Mos e vish atë me petk rrëzëllitës!
Mos e pagëzo shëmtinë, me emrin e bukurisë!

Mos festo nesër, grua! Protesto!

Post Scriptum- Domethënia e një gruaje qëndron tek dinjiteti i saj./ObserverKult