Nga Elona Caslli
Ne s’jemi si ata,- më thoshte nëna gjithmonë. Në shtëpinë tonë, bota ishte ndarë në dy pjesë- ne dhe ata. Ata ishin komunistët, ne ishim njerëzit që nuk pajtoheshin me ta.
Ne s’jemi si ata,- ishte përgjigjja e vetme që më jepte nëna çdo here, ku flitej për padrejtësitë e tyre, për mizorinë e tyre, për ligësinë e tyre.
Nëna që lutej fshehurazi. Nëna që besimin në Zot nuk e humbi kurrë. Nëna që shpresoi gjithmonë. Nëna që na rriti ndryshe nga ata.
Që në gji na ushqeu me besimin tek e mira, mua dhe tim vëlla. Na ushqeu me dinjitet dhe kurajo njerëzore, ndonëse ambienti ku jetonim mund të të jepte gjithçka, veçse shpresë jo.
Na ushqeu me shpresën, se do të vinte dita që drejtësia do të vihej në vend. Se Zoti kishte me marrë hak një ditë.
Nëna, ajo grua fisnike e mbledhur një grusht, nga sëmundja në vitin 1985.
Nëna ai shpirt i përvëluar në vetmi, buzë shtratit lëngonte dhe më thoshte me zërin e saj pothuajse të mekur- Nuk vdes pa përcjellë atë. Ndonëse fjalët e mjekëve nuk jepnin shpresë, nëna kish vendosur ta sfidonte vdekjen. Vdekja duhet të merrte më parë Qoftëlargun.
Dhe ashtu ndodhi. Nëna vdiq në qeshor të vitit 1985. Ditën e vdekjes së qoftëlargut, sytë e saj pothuajse të shuar, më shihnin dhe dukej sikur më thonin- Tani mund të shkoj e qetë.
Nëna shkoi. Bashkë me të shkuan dhe vitet. Tanimë i gjendur përballë gjendjes tragjike, ku gjendet vendi im, ndërmend më kthehen fjalët e nënës- Ne nuk jemi si ata.
Post Scriptum- Nuk qemë kurrë si ata. Nuk u bëmë kurrë si ata. Nuk do të jemi kurrë si ata.
Ata do të jenë gjithmonë ajo çka ne nuk mund të bëhemi kurrë.
*Titulli i origjinalit: “Ne s’jemi si ata…”
ObserverKult
Lexo edhe:
ELONA CASLLI: E DIJA, VEÇSE SHPRESOJA KËTË HERË MOS TA BËJE…