Nga Elona Caslli
Unë besoj se një pjesë e mirë e individëve që qenë të privilegjuar në kohën e qoftëlargut brenda vetes do ta donin ta rikthenin përsëri atë kohë.
Pse?!
Nga nevoja për t’u ndierë të epërm në raport me pjesën tjetër të shoqërisë.
Nevoja që koka e një shqiptari të veshur si mos më keq dhe me të drejtë studimi të mohuar, të kthehet në rrugë teksa kalon “I biri i filanit” apo ” E bija e filanit” e cila është veshur me ca rrecka më të denja. Nevoja për t’u ndierë një Yll në mes të mjerimit.
Për ta përforcuar këtë ide, më kujtohet intervista e një mësueseje në një studio televizive. Po rrëfente përvojën e saj të “”” vuajtjes”””, brenda shkollave në Tiranë.
Teksa rrëfente se në X klasë nuk ishte e lehtë të jepje mësim se ishin të gjithë fëmijët e udhëheqjes dhe të kuadrove dhe ishin të lëçitur, nuk i shkoi në asnjë çast ndërmend të nënvizonte faktin se këta fëmijë kishin mundësinë të lexonin libra që pjesa tjetër e shoqërisë nuk ua dinte ekzistencën.
Përkundrazi, i paraqiti fëmijët e lëçitur si më të lëçiturit, a thua se mundësitë ishin njësoj si për fëmijët në internim, si për ata fëmijët e udhëheqjes.
E thënë shkurt, këta të përkëdhelurit e atij regjimi i tremb fjala garë. I tremb se duan monopolin e gjithçkaje.
Monopolin e librave, të shkollimit, të udhëtimeve jashtë vendit, për të përbërë përdhunshëm atë shtresë pseudointelektualësh, që i gjithë populli duhet ta shohë me admirim se këta diçka dinë, se kanë bërë shkollë dhe kanë parë botë me sy.
E nëse sot mbështesin qeverisjen e Ramës e bëjnë falë asaj arome epërsie që nuhatnin dikur dhe janë gati të bëjnë gjithçka, që ajo ndjesi epërsie të kthehet qoftë edhe për një çast.
Post Scriptum- Në vetëdijen e tyre udhëton shpesh formulimi: Ah sikur të isha edhe një herë Yll i mjerimit!
ObserverKult
Lexo edhe:
ELONA CASLLI: NËNA SHKOI… BASHKË ME TË SHKUAN DHE VITET…
Ne s’jemi si ata,- më thoshte nëna gjithmonë. Në shtëpinë tonë, bota ishte ndarë në dy pjesë- ne dhe ata. Ata ishin komunistët, ne ishim njerëzit që nuk pajtoheshin me ta.
Ne s’jemi si ata,- ishte përgjigjja e vetme që më jepte nëna çdo here. Ku flitej për padrejtësitë e tyre, për mizorinë e tyre, për ligësinë e tyre.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult