
Nga: Elvi Sidheri
T’i rikthehesh edhe një herë leximit të Odiseut, të bën shpesh vetvetiu të ndiesh se ndoshta, po të kish një libër të vetëm për të lexuar në jetë, është pikërisht ky, krahas kushedi Antigonës (edhe në respekt të gjyshes sime me të njëjtin emër), Komedisë Hyjnore, Don Kishotit, e ndonjë libri tjetër të zgjedhur me shumë sqimë në këtë rast.
Ngaqë Odiseu, ose Uliksi i romakëve të lashtë, është një personazh heroik si askush tjetër para e pas epokës së tij.
E si një Askush burimor, ai është i aftë të shndërrohet në gjithkënd: në zotëri të fisëm, mashtrues, rrënues qytetesh të lulëzuara, sikurse edhe themelues qytetërimesh njëherësh, shok për kokë i miqve të tij, e armik i përbetuar i armiqve ngaherë.
Nëse del nevoja të kryhet detyra nga dikush, ai është i pari vullnetar; po të duhet të mësyhen muret mbrojtëse të një qyteti të pamposhtur, ai sërish vërsulet përpara të tjerëve, edhe nëqoftëse jepet rasti për të kremtuar e gjerbur verën lumë (gjithmonë e ëmbël vera që ai rrëkëllen, të kuptohemi), ka për të qenë ai i pari, doemos.
Edhe nëse nevojiten lot të derdhur (lot ngazëllues a pikëllimi), ai është i pari si përherë.
Megjithatë do theksuar që fisnikëria e tij nuk ka pikën e lidhjes me ndonjëfarë tisi borgjez, ngase ai është shëmbëlltyrë e artistokracisë në kohë lashtësie, edhe më përpara se Sokratët e Platonët syresh (i dyti nga të cilët, çoku dihet botërisht se e kishte neveri Homerin e ngratë)… të rrënjosnin në ndërgjegjen (perëndimore) të njeriut, njëfarë kodi moral që ngulmonte se është më e fisme të vuash nga padrejtësitë, sesa t’i bësh ato vetë.
Diçka krejt e largët dhe e papërputhshme me frymën e hareshme, qoftë edhe në bëma egërsisht mizore, të Perëndive pagane, sikurse ishte dhe Apolloni, Perëndia e “λόγος”, logosit, i cili sidoqoftë vriste lart e poshtë, duke goditur me harkun e tij nga largësia dëfryeshëm, e krijesës njerëzore më të ngjashme me këta hyjni, Odiseut, me dinakërinë e tij të pashoqe e vullntetin e tij të paepur për kuturisje e aventura.
I aftë për bëmat më të mbrothëta të mundshme, mirëpo gjithashtu, sipas ndjeshmërisë bashkëkohore borgjeze, edhe për bëmat më të liga, njeri që godet pas shpine aleatët e vet të ngushtë (rasti i Palamedesit të gjorë, i vrarë nën breshërinë e gurëve të helenëve të acaruar paq nga letra e tij e gënjeshtërt për Priamin, e falsifikuar prej Odiseut, vetëm ngaqë fatkeqi nuk donte të përzihej në Luftën e Trojës), e hero dritëhijesh mitike, që qan me lot sa tërë ujërat e Mesdheut, Odiseu ynë, për hir të shokëve të tij të vdekur në fushëbetejë.
Askush në tërë historinë e letërsisë, nuk ka qarë si e sa Odiseu, do pranuar (mbase James Bond legjendar, ndonëse më shumë në versionin vardisës ndaj gjinisë femërore e sarkastik si pak kush, i interpretuar nga Sean Connery, jo të tjerët pas tij).
Odiseun tonë, rrjedhimisht e donin gjer në marrëzi Perënditë e Olimpit, pikërisht meqë ishte fort i ngjashëm me ta: aventurier e tejet i rrezikshëm si njeri, luan e dhelpër njëkohësisht, me raste edhe nuselalë kushedi, por gjithnjë makiavelik skajshmërisht, i padëgjuar në fuqinë e tij, por i paarritshëm sidomos në aftësinë për të mashtruar e hedhur hi syve, e ndonëse nganjëherë i mposhtur, asnjëherë i dorëzuar.
Nolan ndërkaq, aspak nuk e ka ndryshuar, siç mëton të shpjegohet tashmë, lidhur me tjetërsimin e Odiseut prej tij, por e ka zvetënuar, ose, po të krijonim një neologjizëm të ri në shqipen tonë (të na falë krye-neologjisti ynë i ndjerë, Kadare), e ka “perversuar”, ose përçudnuar kryeveprën e letërsisë gjithëkohore të njeriut.
Thënë kjo, përkundër interpretimit të vlerësueshëm të Matt Damon, i cili të jep përshtypjen sikur e ka përçuar ezoterikisht Jason Bourne të tij, në ishujt helenë plot mjegulla detare të lashtësisë.
Mbase Nolan e ithtarët e tij mund të arsyetohen me pretendimin se poema epike e Homerit, na qenkësh thjesht “mitologji” e asgjë konkrete, diçka që ka të bëjë me “fantazinë” krijuese, domethënë, prandaj mund të përmbysen e zhbëhen kuptimi parësor e domethënia e saj nga kushdo.
Do të thotë, si një çfarëdo sajese për kalamaj (ose të rritur akoma të papjekur kinematografikisht) e Marvel me superheronj imagjinarë sa të gjithëfuqishëm, aq të cekët e të djerrë mendërisht, e për nga thellësia e paqenë e veprës së tyre.
Mirëpo, siç pohonte Aristoteli dikur, poezia, e letërsia në nivelin e saj më të epërm, ngërthen më shumë të vërteta të pamohueshme sesa vetë historia.
Një herë e një kohë, edhe shkurtabiqët, teksa e pranonin këtë gjendje tyren si të natyrshme, rrekeshin gjithsesi të ngjiteshin mbi supet e viganëve, me mund e përpjekje të palodhura, për të arritur të shikonin më larg se rëndom.
Kurse sot, shkurtabiqët (në çdo fushë), bëjnë gjithçka për t’i rrëzuar e gremisur viganët, meqenëse e urrejnë patologjikisht madhështinë e përkryer, nga katakombet e mërisë së tyre të pashërueshme e smirëzezë.
Aspak rastësisht, në plot universitete anglosaksone, shpesh hasen “paralajmërime leximi”, kur është fjala për vepra si e Homerit, paçka se çfarë këtyre trutharëve nuk u honepset nga Homeri, nuk është kurrsesi pandehma e “burrërisë toksike” siç e kanë quajtur, e as trajtimi nëpërkëmbës i pakicave (prandaj fundja, edhe Helenën leshverdhë prej mijëra vitesh, e shndërrojmë në lëkurëzezë sa hap e mbyll sytë), ngase çfarë vërtet e kanë halë në sy këta trushkulur, është fakti që dikush (Odiseu, për shembull), qan i mallëngjyer ose i pikëlluar nga çështje të mirëfillta…
Jo ngaqë paskësh vuajtur nga ndonjë traumë e stisur, ose ndonjë përvojë leshkosh.
E ngushëllimi ynë i përgjithshëm në këtë këndvështrim, do të vinte mbase nga gjasa që Homeri, Akili, ndoshta edhe Polifemi ynë i dashur, të jenë duke pritur me durim stoik në Had, siç Zeusi na mëson prej Natës së Kohëve, shpagimin e tyre të ligjshëm ndaj këtyre “perversimeve” kinematografikë të mitologjisë sonë të përvuajtur.
ObserverKult
Lexo edhe:






