
Ne duhet të kuptojmë se në shoqëri të ndryshme, tradicionalisht edhe në ditët tona, disa lloje ëmbëlsirash nuk përkujtojnë ngjarje të gëzuara, por situata tragjike.
Për shembull, ashurja është një ëmbëlsirë shumë e shijshme dhe me vlera ushqyese. Përgjithësisht myslimanët, sidomos bektashinjtë, i kushtojnë vëmendje të veçantë përgatitjes së kësaj ëmbëlsire.
Në traditën disamijëravjeçare të shumicës së popujve të botës, ëmbëlsirat janë elementi kryesor i menusë së banketit të ngjarjeve të gëzuara në jetën e njerëzve si lindja e fëmijëve, fejesat, martesat etj.
Ndryshe nga kjo traditë e mirëkonsoliduar, ëmbëlsira e ashures përkujton luftën e shumëanshme, deri në vetësakrifikim të Imam Hussain , e të pasuesve të tij më të devotshëm në Qerbela.
Kësisoj, ndryshe nga shumë ëmbëlsira të tjera që simbolikisht shënjojnë dhe përkujtojnë gëzime të shumëllojshme, në jetën e përditshme të njerëzve, ashurja u kujton çdo vit shumë myslimanëve, veçanërisht bektashinjve, të përforcojnë frymën altruiste deri në vetëmohim, për të përparuar shoqërinë në dritën e mësimeve kuranike.

Edhe hallva si ëmbëlsirë e thjeshtë, serviret në drekën mortore pas varrimit të të ndjerit dhe “funksionon” simbolikisht si ëmbëlsirë që nderon të ndjerin në ceremoninë përkujtimore, të cilat mund të zhvillohen në ditë të caktuara në mjedise familjare, në lokale ose dhe në varreza, ku prehet ai që përkujtohet.
ObserverKult
Lexo edhe:
“TË QARA ME ULËRIMA”… SI BËHEJ DASMA SHQIPTARE NË VITET E ’80-TË