Ëmbëltore në tunelin e komunizmit në Gjirokastër, habiten turistët me objektin e kthyer në biznes

Foto ilustrim

Një prej tuneleve të kohës së komunizmit i shndërruar në mjedis ku ofrohen gliko dhe ëmbëlsira tradicionale është kthyer në atraksion turistik tërheqës për vizitorët që mbërrijnë në Gjirokastër.

Në brendësi të tunelit prej betoni janë vendosur ëmbëlsira karakteristike të zonës së jugut, duke e kthyer këtë relike të diktaturës komuniste në një qendër të vizitueshme për turistët.

“E kisha një informacion që përveçse ishte një tunel i kohës së komunizmit, për një periudhë kohe kishte funksionuar si depo në të cilën mbaheshin djathi, vezët, gjiza, për shkak të temperaturave konstante të ulëta dhe duke ditur që produktet e mia kanë nevojë për mjedis të freskët jo për shumë diell që të qëndrojnë dhe të mbajnë shijen dhe ngjyrën e tyre atëherë e menduam bashkë me bashkëshortin që ta rijetëzonim, e kthyem në një vend, në një atraksion të vogël të të gjithë vizitorëve, të cilët shkojnë në kala kthejnë kokën dhe kanë një shkrim aty jashtë në anglisht “Provo diçka nga këtu”.- theksoi Etleva Yzo, artizane e ëmbëlsirave karakteristike.

Gjatë vizitës në këtë mjedis shijes së ëmbëlsirave tradicionale i shtohet edhe interesi që kanë turistët për historikun e tunelit të kohës së komunizmit .

“Çdokush që ka provuar diçka në 100 % të rasteve e ka blerë atë me kënaqësinë më të madhe, shijet që ka provuar por ka marrë edhe shije të tjera. Më të preferuarat likeret kanë qenë domethënë një sukses që nuk e mendoja që do të kishin kaq sukses, mendoja se suksesi më i madh do të ishin glikotë por ecën paralelisht bile mund të them që likeret ua kanë kaluar glikove në shije”  – shton ajo.

“Është tërheqëse, gjëja e parë që i tërheq që zgjasin kokën është kjo pastaj gjëja e dytë që i tërheq është produkti, ngjyra, forma, paketimi pastaj kur provojnë dhe shijen dalin patjetër duke blerë diçka” – thekson Yzo.

Janë të shumtë turistët që kanë vizituar ish-tunelin e komunizmit duke lënë pas mbresa jo vetëm nga ëmbëlsirat që kanë shijuar por edhe mjedisi i veçantë.

“Kam ruajtur një letër  të cilën e gjeta tek dera një ditë ku Natali, një turiste nga Kalifornia e cila shijoi likerin e luleshtrydhes duke qëndruar aty dhe duke mbajtur shënime dhe mua më bëri përshtypje mënyra sesi ajo shkruante dhe duke biseduar me njëra-tjetrën. Kjo ishte letra e parë, por gojarisht kisha dëgjuar fjalë dhe mbresa të shkëlqyera edhe nga turistët ju pëlqen zgjidhja, ju pëlqen ideja, ju pëlqen produkti, ju pëlqen edhe freskia, që është këtu” – tha Yzo.

Artizania gjirokastrite e përgatitjes së ëmbëlsirave karakteristike shprehet se nëse do ti krijohet mundësia ajo do ta ndërmerrte sërish këtë iniciativa për bërjen të vizitueshme për turistë të relikeve të periudhës së komunizmit.

 “Nëse do të kisha mundësi, po”- përfundoi ajo./euronews.al

ObserverKult


Lexo edhe:

ZBULOHET TUNELI NËNTOKËSOR 1500-VJEÇAR, MISTERET QË FSHIHEN PAS TIJ