Emin Z. Emini: Sonet i pakryer

më deshe aq fort të desha pafundësisht
çerep i dashurisë mori flakë e zjarr
diell e planete flladisje me qerpikë
të digjem desha për beli kur të marr

buzëzjarret mbi trup m’i derdhje kuçedër
pastaj më përmbyte tallazeve në det
me këmishën e natës më lidhe të çmendur
i çmendur qesh’ pas teje ndaj s’e pata dert

natën ra një mjegull e dendur e hirtë
petalet e gonxhes s’u çelen më në ag
para këpucëve të saj kënga dha shpirt

hiri i mallit bërë është pluhur kozmik
as jashtë as brenda kam mbetur në prag
siç toka ndjek diellin ashtu s’më lë të ik