Enver Hoxha dha urdhër për ekzekutimin e saj, e pastaj ia vodhën veprën…

sabiha kasimati
Sabiha Kasimati

Më 15 shtator 1912, lindi shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati.

Ajo lindi në Edërne të Turqisë, në një familje intelektuale libohovite. Kur familja e saj u kthye në atdhe, Kasimati vijoi studimet në Liceun Francez të Korçës, si e para grua që ndoqi këtë shkollë. Më pas, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, në Shkollën Amerikane të Kavajës, në Institutin “Nana Mbretneshë”, si dhe në Liceun e Korçës.

Në vitin 1936 iu akordua bursë shtetërore për studime në Itali, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, në Universitetin e Torinos, ku u dallua për rezultate të shkëlqyera.

Në 18 shkurt 1943, Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, vendosi të krijojë pranë tij, një muze të shkencave dhe për këtë u ngarkua Sabihaja. Edhe gjatë viteve të para të komunizmit, ajo vazhdoi kërkimin shkencor krah figurave të shquara, si: Çabej, Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta etj.

Shpërthimi në oborrin e ambasadës sovjetike më 19 shkurt 1951, u konsiderua si “akt terrorist” nga regjimi, i cili e përdori si pretekst për arrestimin e 22 intelektualëve që do të pushkatoheshin në netët e 26 dhe 27 shkurtit.

Mes tyre gjendej e vetmja grua, Sabiha Kasimati. Ndonëse e shpallur “armike e popullit”, puna shkencore e saj do të përvetësohej dhe do të botohej në vitin 1955, nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakowa dhe të dy studiuesve shqiptarë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikon, sot, portretin e Sabihasë, si dhe korrespodencën e Ernest Koliqit, kryetar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, me shkencëtaren.

sabiha kasimati

Enver Hoxha dha urdhër për ekzekutimin e saj

Sabihaja u arrestua më 20.02.1951, ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja.

Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpiluesi i listave të zeza rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zëvendësministrat e tij – Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti. Them për këta të fundit, se këta mbulonin Sigurimin.

Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe Byroja ia miratoi, pra, i kishte duart “e lira”. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave që kishte përzgjedhur, por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht.

Për pushkatimin e saj dhe 22 intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: “Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”

Si u vodh vepra e Sabiha Kasimatit pas pushkatimit të saj?

Sabiha Kasimati ka qenë ihtiologia e parë shqiptare. Një shkencë e vështirë, por njëkohësisht e domosdoshme dhe e re për Shqipërinë në vitet ‘40. E para që studionte faunën e ujërave të ëmbla dhe kishte eksperimentuar deri te kryqëzimet embrionale të peshqve. Madje ajo ishte e para që kishte bërë edhe universitetin në një degë që deri atëherë nuk kishte studiuar asnjë shqiptar, Ihtiologji.

Në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit te Torinos, ku ajo studionte i kërkuan të qëndronte për të punuar, sepse ishte diplomuar shkëlqyer dhe u dallua për zotësi e aftësi të veçanta shkencore, dhe Sabihaja u kthye ne atdhe, pa e ditur se e priste martirizimi.

Një pjesë e veprës së Kasimatit ka mbetur në arkiva dhe pjesa tjetër që është përdorur për studime shkencore është ribotuar, por e përvetësuar nga persona të tjerë. Në vitin 1955, shteti komunist ribotoi veprën e dr.Sabiha Kasimatit, jo me emrin e saj, por me emrat e rusit Anatolij Poljakov dhe të dy studiuesve fillestarë: Ndoc Filipit dhe Ndoc Rakajt.

Është e kuptueshme se pas pushkatimit, vepra e Kasimatit që i kushtoi asaj 10 vjet studime nuk mund të flakej nga diktatura sepse ishte e dobishme për ekonominë dhe shkencën shqiptare, por asaj iu mohua pronësia mbi veprën, emri. Zbulimet e saj shkencore u përvetësuan nga emra të tjerë. Cilët ishin autorët dhe në cilat kushte iu grabit krijimtaria shkencëtares së talentuar Sabiha Kasimati?

Studiuesi Uran Butka, ish-i dënuar politik i pyetur nga “shqiptarja.com” kohë më parë tha se u veprua në këtë mënyrë. “Vepra e Kasimatit i duhej shkencës shqiptare dhe universiteteve. Ndaj për ta maskuar librin akademikët i vunë si emër të parë emrin e një rusi anonim, Anatolij Poljakov, i cili nuk ekzistonte dhe emrat e dy autorëve shqiptarë, qe sapo kishin nisur të bënin kërkime shkencore, Ndoc Rakaj e Ndoc Filipi, të cilët me këtë vepër morën edhe tituj e doktorata dhe vijuan ngjitjen në karrierë në veprimtarinë e tyre pedagogjike dhe shkencore”, ka deklaruar Butka.

E përgatiti: A. K.- ObserverKult


Lexo edhe:


“NËNA E DËGJOI PISKAMËN QË E LËSHOI SABIHA PARA SE TË NDËRRONTE JETË”