Ne s’kemi mësuar gjë nga “Epi i Gilgameshit”
Që të ecim përtoke
Ta duam njeriun
Të dashurojmë
Të vdesim të trishtuar
Ne s’kemi mësuar gjë nga “Dekameroni”
Se mortaja vjen papritur
Rrëfimet tona mbeten lule mbi plagë
Eliksir mbi tavolinën e të dëshpëruarit
Ne s’kemi mësuar gjë
As nga Zanafilla
As nga Përmbytja
As nga Kryqëzimi
Hipur në anije kozmike
Duke ndjekur alienët
Kemi harruar veten
Re gjaku mbulojnë qiejt e plagosur
Pranvera sjell avujt e dheut
Rilind filizat që ngriten mbi ylber
Prapa lë rrëfimet
Për kurorën vrastare