Epitafi i Gllavenicës, i treti në Evropë për nga rëndësia në llojin e vet

Muzeu Historik Kombëtar së fundmi ka publikuar në rrjetet sociale një nga gjërat më me rëndësi të fondit që posedon, pëlhurën e qëndisur me fije ari dhe argjendi e quajtur si Epitafi i Gllavenicës.

Në të paraqitet Krishti i shtrirë në varr. Epitafi përdoret në shërbesën e të Premtes së Madhe dhe sipas traditës, nxirret përreth kishës në përkujtim të varrimit të Krishtit.

Sipas njoftimit të Muzeut Historik, Epitafi i Gllavenicës daton në vitin 1373 dhe është zbuluar në qilarin e një shtëpie të rrënuar, në afërsi të Ballshit. Gjatësia e epitafit është 211 cm, aq sa gjatësia e një varri të zakonshëm, ndërsa gjerësia 114 cm.

Fjala epitaf vjen nga greqishtja bizantine dhe do të thotë “përmbi-varr” ose siç mund të thuhet ndryshe “mbulesë-varri”.

Epitafi i Gllavenicës është i qëndisur me fije ari në mëndafsh të butë nga dora e murgut Savia.

Këtë fakt e vërteton mbishkrimi, i cili gjendet i qëndisur me ar dhe argjend në dy shtylla, pranë kokës dhe këmbëve të Krishtit që paraqitet i pajetë.

Epitafi i Gllavenicës është unikal dhe është vlerësuar si i treti në Europë për nga rëndësia në llojin e vet. Epitafi është një nga objektet më të rëndësishëm në Muzeun Historik Kombëtar.

ObserverKult


Lexo edhe:

MBYLLET PËR 4 VITE MUZEU HISTORIK KOMBËTAR

Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet për 4 vite. Institucioni më i rëndësishëm kulturor dhe një ndër destinacionet kryesore të një turisti që prek Tiranën do të ulë qepenin nga ky 15 mars deri në 15 marsin e vitit 2028.

Në llogarinë zyrtare në Facebook të Muzeut thuhet se arsye për mbylljen është rikonstruksioni.

 ‘Të nderuar drejtues të agjencive turistike, drejtues të tureve kulturore dhe palë të tjera të interesuara, ju bëjmë me dije se.

Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 Mars 2024. Kjo deri më datë 15 Mars 2028. Kështu ka njoftuar Muzeu Kombëtar.

Drejtues të institucionit nuk kanë dhënë sqarime sesi do të ruhen objektet historike gjatë restaurimit 4-vjeçar. Dhe nëse do të zhvendosen në ndërtesa të tjera.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


SEKRETET DHE SIMBOLIKAT E IKONAVE TË RUAJTURA NË MUZEUN E ARTIT MESJETAR

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në ciklin “Zbulo ikonën bizantine” në Korçë së fundmi ka sjellë ikonën Shën Mëri Odigitria.

Ikona e ka origjinën nga kisha e Shën Mëhillit, Vithkuq, Korçë. I përket fillimit të shekullit të 17-të me autor të panjohur.

Ikona i përket tipit “Odhigitria”, e cila përkthehet “Udhërrëfyesja” nga greqishtja e vjetër dhe është konceptuar në bazë të shkrimeve të shenjta. Aty ku përmenden fjalët e Krishtit “Unë jam rruga”.

Shën Maria shfaqet duke mbajtur Krishtin në krah. Dora e saj është e shtrirë dhe e drejtuar drejt fëmijës. Kjo duke udhëzuar si “rrugën e vetme që duhet të ndjekim”.

Krishti mban në dorë një pergamenë të mbyllur e cila simbolizon logosin ose fjalën e Perëndisë. Duke ndjekur këtë rrugë zbulohet dhe fjala e tij ku merr jetë dhe shprehja “E para ishte fjala”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult