“Epoka” e re e hekurit
Nuk është fjala për “kohën e hekurit” në lashtësi si periudhë historike, e as për lulëzimin e industrisë mekanike në Shqipërinë e viteve ‘60, kur u ndërtuan disa uzina që prodhonin makineri dhe pajisje, por për këtë kohen e sotme të “hekurit”. Na qoftë për mbarë! Koha do të tregojë nëse po bëjmë gjithnjë gjënë e duhur me këtë “hekurin” bashkëkohor, edhe pse miniera e hekur – nikelit në Gur të Kuq (Pogradec) ka pushuar prej shumë vitesh.
Nga Ndue Dedaj
Sapo është vënë mbi këmbët e veta, pas rrëshitjes nëpër liqen ura e çeliktë, njëharkshe e Kukësit, që më të vërtetë është një vepër e rrallë inxhinierike siç është thënë dhe në Ballkan. Po këto ditë në hyrje të Shkodrës u përurua një çelës disatonësh prej hekuri, instalacion artistik me simbolikën e mirëseradhjes në qytetin, që kurrë nuk pati nevojë për ndonjë “çelës”, mbase ngaqë kishte simbolikat e veta autentike në dy mijë vjet qytetërim. Sigurisht që janë dy gjëra të ndryshme për nga funksioni, “çelësi” i Shkodrës dhe ura e Kukësit, paçka se të dyja kanë vetinë për të mos u ndryshkur, për më tepër që dhe ura ka mbrujtjen e vet artistike.
Nuk dimë ende sa vepra si ky “çelësi” do të shkrihen natyrshëm me shpirtin e qyteteve ku janë, pasi hekuri nga natyra është disi i “ftohtë” për t’u përshtatur me mjedisin urban dhe njeriun. Ky shpesh i bie shkurt: “Ore, ky çelësi ynë ka kuptimin e hapjes apo të mbylljes së “portës” së qytetit?” pasi çelësat dihet që janë shpikur për të mbyllur e pastaj për të hapur.
Jo se këto janë të parat vepra të tilla në vendin tonë. Edhe te rrethrrotullimi i Zogut të Zi është një instalacion metalik modern punuar i gjithi në inoks. Le pastaj në botë, ku shkëlqen Kulla Ejfel, Statuja e Lirisë, për ndërtimin e të cilave janë përdorur qindra ton hekur etj., gjer njëqind ujqërit prej hekuri në Napoli.
Problemi është sa hekuri i kësaj “epokës” së re të tij do të rrijë lirisht e denjësisht krahas monumenteve prej bronzi etj. E themi këtë se ka pasur dhe vepra diletante, si një obelisk në Rrëshen, prej12 shufrash të trasha hekuri, të lidhura në krye me një qafore, që nuk i rezistoi kohës as pesëmbëdhjetë vjet. Një simbolikë prej metali në qendrën e Pirustëve (Mirditë) të paktën duhej të ishte prej bakri. Ende më keq e ka pësuar Fieri me globin e tij të famshëm metalik që u ndryshk brenda pak vitesh, duke e bërë Bashkinë ta heqë nga qendra e qytetit simbolin e Europës, por duke e ruajtur të pandërruar ëndërrën e integrimit europian. Edhe “globi” ishte i ideuar nga një artist dhe kishte kushtuar jo pak.
Hekurishtet ndonjëherë kanë qenë mallkimi ynë i madh. Mjafton të shohësh se si Elbasani, njëri nga qytetet më ekologjike shqiptare u shndërrua në “varrezë hekuri” e Metalurgjikut, që vazhdon t’i zërë frymën. Edhe pse nuk është një vepër artistike, mbase instalacioni i hekurt më me kuptim është një vagonë minerali e ekspozuar në mjediset e ish – minierës burg të Spaçit.
Liria e krijimit është e shenjtë dhe skulptorët janë në të drejtën e tyre të fantazojnë e krijojnë vepra nga më të guximshmet, ndonjëherë dhe ekstravagante, kurse institucionet shtetit që administrojnë hapësirat publike kanë detyrimin që të dëgjojnë paraprakisht qytetarët për çdo objekt të ri që vendoset në parqe, sheshe, rrethrrotullime etj.
Artistët për veprat e tyre të artit dhe ato monumentale historikisht kanë përdorur çdo material të fortë dhe me shkëlqim: bronzin, bakrin, hekurin, gipsin, mermerin, qelqin, allçinë, drurin, bririn etj., por a thua po i “konkuron” të gjitha të tjerat hekuri!? Mbetet për t’u parë, është koha e re e tij, apo ky është vetëm një shpërthim kalimtar hekuror, apo “hekurishtesh”, siç i hasim shpesh në të folurën e përditshme?…
ObserverKult
Lexo edhe: