Eqrem Çabej: Fiset

eqrem çabej

Edhe ilirët e moçëm ndaheshin në plot fise më shumë a më pak të rëndësishme, të cilat rronin shpeshherë në grindje të ashpër midis tyre. Пó٨ıҁ është ideja bazë e jetës politike te grekët, te ilirët është gens, te të dy shprehja e partikularizmit. Rrallë pat mundur ndonjë dorë e fortë të bashkonte shumë fise ndër ilirë, dhe, në qoftë se po, vetëm për një kohë të shkurtër.
Fisi është një grumbull etnik kompakt, një grup njerëzish të cilët, të ngjitur fort ndërmjet tyre, e dinë veten të rrjedhur prej një burimi të përbashkët: njomza të fundit të një druri vigan që rritet gjithmonë, rrënja e të cilit lidhet me emrin e një të pari të fisit që është bërë gojëdhënë. Gjëja primare te misat e një fisi është ndjenja që janë një njësi. Të tjerat elemente që karakterizojnë një fis janë: mënyra e banimit , kostumi e flokët, dukja e jashtme, mënyra e jetesës, doke e zakone, institucione sociale e juridike, dialekt e gojëdhëna, edhe mënyra e ushqimit, shkurt pra kultura materiale dhe jeta shpirtërore. Po këto elemente shumica nuk përkojnë me njëri-tjetrin: ndonjë sosh, si zakoni ose kostumi, mundet, duke dalë prej një pike, të përhapet përmbi disa fise, ose një fis mundet përkundrazi të ndahet në shumë degë të posaçme përsa u përket disave nga këto elemente, si dialekt, mënyrë jetese etj.
Shqiptarët ndahen në pikëpamje gjuhësore në GEGË e TOSKË. Ky degëzim i gjuhës pas linguistikës nuk është i vjetër. Toskërishtja jugore e mbarimit të Mesjetës, siç na shfaqet në idiomin e kolonive tona në Greqi e në Itali, afrohet me gegërishten veriore të shekullit XVI e XVII. Sido që të duam ta spjegojmë këtë, duket se njësia e gjuhës, shqipja e vjetër e përbashkët, ka rrojtur gjer në Mesjetën e lartë, në trajtat kryesore më gjatë se rumanishtja e përbashkët. –
Gegë e toskë ndahen nga anë e tyre në fise e nëndialekte. Kalimet e jashtme e të brendshme ndodhin këtu si kudo gjetkë gradualisht. Ndryshimet e mëdha që kanë dy krahina në mënyrë banimi ose kostume etj., zbuten me trajta të mesme, të cilat përmbajnë diçka prej të dy poleve anësore.
Historia e fiseve shqiptare, d.m.th historia e pashkruar e Shqipërisë, ndodhet ende në errësirë. Šufflay konsideron si formim të parë etnik fiset ilire të Labeatëve, Pirustëve, Sardeatëve, Batiatëve, Partinëve etj. Shtrat i dytë janë pas tij të trembëdhjetë fiset që përmenden më 1304: Albos,Spatos, Catarucos, Bischesini, Aranitos , Lecenis, Turbaceos, Marchaseos, Scuras, Zeneuias, Bucceseos, Logoreseos, Mateseos. Në shtratin e tretë hyjnë fise si Hoti në Veri, në Jug 1481 Grisei, Churlisey, Plesei e Corvesei.
Gjer ku vazhdojnë të rrojnë në fise të sotme e në trajtë të ndryshuar gjurmë të këtyre fiseve të lashta është vështirë të thuhet, kryqëzime e shpërngulje kanë qenë gjë e zakonshme në këtë lëmë. Fiset e sotme janë më të shumtat, siç ka treguar Baron Nopcsa për Shqipërinë Veriore, produkt përfundimor emigrimesh  e imigrimesh të paqeta, shpërnguljesh e lëkundjesh të forcuara si pasojë të dyndjes së turqvet në Ballkan. Sepse vrulli shtegtues i përjetshëm i shqiptarëvet shpërtheu jo vetëm së jashtmi, por edhe përbrenda. Se sa larg mund të shtegtojë një fis na e dëshmojnë Kelmendasit. Këta dimrin e kalojnë me bagëtitë e veta në Bregun e Matit. Po kanë  lëshuar degë më një anë gjer në Sirmi, ku themeluan dy katunde e me një anë tjetër, në qoftë se nuk gënjen emri KƛƞṷEVRI kanë shtegtuar nga jugu gjer në Atikë. Është detyra e dialektologjisë që në lidhje me studimin e gojëdhënave lokale të sqarojë gjer diku gjenezën e errët të fiseve shqiptare. Atëherë do të derdhet dritë njëkohësisht edhe mbi ato fise të cilat me kohë e kanë bjerrë kombësinë shqiptare. Kështu pas traditës fisore të Krasniqëvet këta vetë, Nikajt e Vasojeviqët janë fise vëllëzer, të cilët me kohë u shkëputën:
Nikajt mbetën katolikë, Krasniqët u bënë muhamedanë, Vasojeviqët u bënë njëkohësisht ortodoksë e sllavë.

*Shkëputur nga libri i Eqrem Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit të Lindjes”

Përgatiti: ObserverKult