Eqrem Çabej: Njësia e kombit dhe shpirti i kombit

E rëndësishme në pikëpamje të historisë së kulturës na paraqitet pyetja nëse Shqipëria duhet konsideruar si një njësi apo si një mozaik. Kur nga mesi i shekullit të kaluar filluan-nga Shqipëria Jugore!-studimet rreth Shqipërisë prej burrash të pajisur me kulturë mendore të lartë e të gjerë si Ami Boué, Hahn e të tjerë, u duk e natyrshme që Shqipëria, me gjithë ndryshimet e saj lokale, t’u këqyrte si tërësi e njënjëjtë e të vihej si e tillë përkundrejt viseve të tjera të Ballkanit. Por kjo ndërroi me lindjen e specializimit në shkencë.
Specialistët iu kthyen tashti vetëm një aspekti të formave të jetës shqiptare ose një krahine të vendit, pa kqyrur tërësinë. Një pjesë kështu e kufizuar ndritohesh prej tyre në të gjitha pamjet e saj dhe i çelej shkencës. Mirëpo ç’u fitua këtu në thellësi u humb në gjerësi. Dijetarët po mësohen tani, ndryshe nga brezi i mëparshëm, të kenë sy më shumë për pikat diferencuese sesa për pikat lidhëse. U mungon vështrimi i përgjithshëm, i cili ndryshimet lokale të mund t’i shikonte si lloje të një specieje dhe t’i përmblidhte nën emëruesin e përbashkët shqiptar, të lidhte në një tërësi fijet e përndara.
Kurrkund nuk bëhet më pyetja nëse ekziston një njësi shqiptare, sepse nuk ekziston interesi për këtë njësi.
Por njësia është. Është njësi etnike e kulturhistorike, e rrjedhur nga njësia gjeografike. Do vetëm që të zbulohet. Për ta kuptuar duhej rrahur vendi nga njëra anë në tjetrën. Atëherë shlyhen ndyshimet e theksuara, trajta lokale të jetës kalojnë mengadalë njëra në tjetrën dhe bashkohen domosdo në një tërsi të njëllojtë. Kjo merr fund atje ku ne të kalojmë kufijtë e lëmës së gjuhës shqipe: na del atëherë përpara një botë tjetër, e ndryshme nga bota shqiptare.
Pamë më sipër se trualli shqiptar na paraqitet gjeografikisht si njësi. Me rëndësi ka se si banojnë e jetojnë njerëzit në këtë truall. Shkenca e banesës shqiptare ndodhet vërtet në fillimet. Megjithatë ne mundim pas sa dimë gjer sot e me gjithë influencat e huaja të nxjerrim trajta të përbashkëta: Mendimi themelor që vihet për kriter në goditjen e banesave është mundësia e mbrojtjes. Përkundrejt këtij mendimi komoditeti i ndejtjes dhe pikëpamja ekonomike mbeten në rend të dytë. Këtij shpirti i përshtatet shtëpia e fortifikuar, kulla, të cilën e ndeshim më shpesh a më rrallë në gjithë Shqipërinë, dhe në Ballkan kudo atje ku ka ose ka pasur shqiptarë. Është pastaj karakteristike për natyrën individualiste të shqiptarit që ky, ashtu si stërgjyshët ilirë dhe të tjerë popuj indoeuropianë të moçëm si p.sh gjermanët, banon një shtëpi të vetme mjaft të izoluar. Kjo me rritjen e familjes së madhe zmadhohet me oborre (Gehöfte), bëhet lagje fisi dhe sëfundi një katund i tërë fisor. Katundi fisor është katundi i vërtetë shqiptar dhe sot e gjithë ditën katundi i zakonshëm i maleve.
Me anën e gjuhës shqipe mund t’i ndjekim mirë këto etapa zhvillimi të banesës shqiptare. –Njësia shqiptare shtrihet edhe në pajimin e brendshëm të shtëpisë nëpër krahina të ndryshme të vendit.
Në lëmë të kostumeve Shqipëria nga ndarja e saj në krahina të veçuara na paraqet një pamje plot ndryshime e ngjyra. Çdo krahinë ka kostumet e saj. Këtyre u shtohen dhe ndryshime në pikëpamje historike, duke qenë që kostumet po të një krahine zhduken e zëvendësohen prej kostumesh të reja e këto të fundit prej më të rejash. Edhe faktorët social, konfesionalë, pekuniarë , faktorë të modës e të tjera elemente ndryshuese lozin rol në këtë lëmë. Po me gjithë këtë shumicë ngatërruese mund të themi se e bardha është ngjyra kombëtare e veshjes shqiptare. Veçanërisht kësula e bardhë është ajo që, me gjithë ndryshimet e formës të rrjedhura nga fisi (Kosovë, Dibër, Shqipëri e Mesme, Myzeqe, Labëri etj.) e dallon shqiptarin nëpër gjithë Ballkan. Ngjyra rrjedh nga leshtë e bardhë të dhenve, me të cilat popullsia baritore i end vetë teshat e saj.
Objektet e kulturës materiale të Shqipërisë Veriore, veglat e orenditë të cilat i pat spjeguar në pikëpamje kulturore e historike Baron Nopcsa, na shfaqen në shumicë të njëjta edhe nëpër zona malësore të Jugut. Kjo tregon që toka shqiptare përveç etnikisht na paraqet një njësi të konsiderueshme edhe përsa i përket kulturës materiale.
Është vështirë të mohojmë a priori këto lidhje kulturore.
Dukja e jashtme e shqiptarëvet është e caktuar nga raca dinarike, e cila përfshin edhe pjesë serbokroate e greke. Natyrisht tipari somatik na shfaqet në Shqipëri si kudo gjetkë i ndryshuar prej hyrjes së gjakut të huaj. Vetëm se shqiptari qoftë nga shtati i madh ose i vogël, qoftë me kompleksion të bardhë ose të thellë, nga sjellja e tij, nga shprehja e fytyrës, nga vështrimi i syrit dallohet përgjithësisht qartas nga popujt që e rrethojnë.
Por më rëndësi se këto trajta dukjesh të jashtme kanë trajtat e brendshme, që, duke rrjedhur prej të paravet, lidhen me jetën shpirtërore e janë të përbashkëta për të gjitha pjesët e popullit. Janë njohur prej të huajve gjithmonë si cilësitë tipike shqiptare dhe e kanë bërë këtë popull të dalë si komb para botës. Ami Boué thotë midis të tjerash: “Në qoftë se shqiptari ka cilësi fizike të zviceranëvet e të tirolasvet, në qoftë se ai është si edhe ata një ecës i palodhur më këmbë, i cili, me pushkë supit, ngjit e zbret posi dhia majat e maleve, janë bashkuar tek ai edhe gjallëria e shkathtësia jugore me hollësi e prezencë të jashtëzakonshme të mendjes. Janë popull i përgjigjeve të shpejta e therëse par excellence. Krenaria e natyrshme e shqiptarit shprehet në më të voglat fjalë të tij, në gjestet, në ecjen e lehtë edhe mund të themi teatrale. Kuraja i është e lindur. Po të qytetëroheshin, do të bëheshin jo zviceranët e Lindjes, po frëngj të hollë, d.m.th. një nga ata popuj të cilët mbi çdo gjë tjetër çmojnë pushtimin. Jeta me rreziqe është aq fort elementi i tyre sa fatkeqësitë në luftë nuk peshojnë aspak për ta.”
J.Ph Fallmerayer Shqipërinë e quan vendin e vullnetit të fortë dhe të mendjes së shkurtër. Ky nuk është i vetmi kontrast që përmban karakteri i popullit shqiptar. Po meqë kontrasti përmban në vetvete thelbin e dramacitetit, shohim se një rremb dramatik e përshkon karakterin shqiptar, i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim sesa të rrijë e të mendojë. Karakter dramatik ka dhe historia shqiptare me fytyrat e saj kryesore. Kjo cilësi na shfaqet dhe në poezinë popullore të shqiptarëvet.
Nga dijetarët e rinj Herbert Louis thotë: Një nga përshtypjet më të forta që të lë një pjekje e gjatë me popullsinë shqiptare është sigurisht kjo, që te çdo shqiptar shohim një njeri që vepron me kokë të tij. Secili, i zgjuar qoftë a i trashë, disponon përmbi një fuqi vendimi të konsiderueshme dhe është mësuar të rrezikojë në veprimet e tij kamjen edhe gjakun. Kështu në një situatë të vështirë çdo pjesëmarrës, pavarësisht nga fuqia gjykuese e madhe ose e vogël, tregon një madhësi habitëse, sepse gjithkush është në gjendje të marrë një iniciativë të fortë. Shkurt, nuk ka një masë indiferente.”
Përbri shpirtit të energjisë dhe karakterit rezolut qëndron mungesa e prirjes për mistikë dhe për mendimin spekulativ. Sepse shpirti i popullit shqiptar është krejt realist dhe i kësaj bote. Në përshtatje me këtë drejtim shpirtëror veprimtaria historike e shqiptarit u ka zhvilluar kryesisht në lëmë administrative dhe militare. Cilësitë e tij organizatore janë vërtetuar më shumë në vende të huaja, historia osmane mund ta dëshmojë këtë më së miri, sikurse e dëshmon historia perandorake e Romës për stërgjyshët ilirë të shqiptarëvet. Zotësia ushtarake i është e lindur kësaj race, ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të përjetshëm: “Est enim [hec] Albania regio satis lata et magna, habens homines bellicosos ulade, sunt enim optimi sagitarii el lancearii” thotë Anonymi description Europae Orientalis në vitin 1308. Natyra e ushtarit është një trajtë e përbashkët karakteri, një atribut konstant i këtij kombi. Është kryesisht figura e luftarit, me të cilën kombet e tjera e paraqesin më mirë shqiptarin.
Thelbi shpirtëror i shqiptarit është rezervimi. Kjo veti e popujve të Veriut duhet të na çuditë disi te një popull i Jugut. Kjo cilësi sidoqoftë e dallon këtë popull mjaftë thellë prej popujve të tjerë të Europës Jugore. Spjegimin do ta kërkojmë për këtë si në veti të trashëguara si dhe në natyrën e mbyllur e të ashpër të vendit. Kjo e detyron banorin që jo vetëm kundrejt të huajit, por edhe me të afërmin të sillet në fillim i matur e i rezervuar, edhe i mbyllur. Kështu na spjegohet rezervimi i thellë i shpirtit të popullit shqiptar, rezervim i cili na del në dukje edhe në pozinë tonë popullore.
Kjo është sjellja e njeriut që është i zoti i vetvetes, i cili, për të ruajtur të drejtat e veta, është i matur në fjalë e në punë. Por ky rezervim nuk përjashton karakterin e hapur, edhe këtë cilësi e gjejmë me të vërtet te shqiptari. Përbri saj na shfaqet tek ai edhe dhelpëria e lindur e banorit të maleve. –Është një shenjë e individualistit , siç ka qenë gjithmonë shqiptari, që rezervimi i tij në raste të veçanta të jetës të kthehet në një qëndrim të egër e kokëfortë. Kjo veçori që rron në gjithë shqiptarët është pasoja e racës, e na kallëzohet edhe për ilirët e moçëm. Edhe kolonitë shqiptare, sado të shkëputura prej shekujsh nga toka-mëmë dhe tani në mes të së huajve, nuk kanë mundur ta fshehin sjelljen kokëfortë të karakterit shqiptar.
W.Briquet e përcakton karakterin e popullit shqiptar si kryelartë të pafre, të ndershëm, mik të së vërtetës.
Në lëmë sociale themelin e qendrën e jetës shqiptare e përbën familja e madhe. Shqiptari është për gjithë jetën e tij i lidhur përhera me të. Kjo lidhje patriarkale ekziston jo vetëm për katundarin, por edhe për banorët e qytetit. Ç’është për malësorin fisi dhe familja e madhe është për qytetarin familja. Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet. Me këtë lildhet malli i tokës që e shquan këtë popull si gjithë që popujt malësorë.
Dëshira për shtegtim dhe malli i tokës bashkohen te karakteri shqiptar në mënyrë të çuditshme. Lidhja shpirtërore me tokën u është e përbashkët gjithë shqiptarëve. Kështu ne shohim te i ikuri në dhe të huaj se si, i shtyrë nga malli, dëshiron gjithmonë të kthehet ndonjëherë në atdhe.
Tenaciteti në jetë dhe ngjitja pas zakoneve është një veti tjetër e përbashkët e karakterit shqiptar. “Forca e rezistencës së gjuhës shqipe dëshmon tenacitetin e kombit. Edhe në qoftë se doket e zakonet e sotshme të Shqipërisë nuk paraqesin një fytyrë të njënjëtë, ruajtja e ngulur e tyre është një fenomen i përbashkët për to. Përgjithësisht analogjive që shkojnë midis zakoneve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë nuk u është dhënë vëmendja e duhur. Në qoftë se qërojmë një nga shtresat e influencave të huaja në zakone, do të ndeshim mësëfundi në thelbin indoeuropian. Të nxjerrësh në dritë këtë shtrat themelor do të thotë të zbulosh rishtas atë që ka qenë dikur e përbashkët në zakonet shqiptare. Shumë zakone të lindjes, dasmës e vdekjes, kalendari i së kremteve të vitit, supersticionet dhe figurat mitologjike, paprekësia e gruas dhe e të voglit, qëndrimi i posaçëm ndaj mikut e armikut janë disa nga gjurmët dhe aspektet e këtyre zakoneve të përbashkëta shqiptare. Sidomos është qëndrimi ndaj mikut e armikut ajo që i jep jetës së përditshme njësinë edhe në proverbin shqiptar. Ky qëndrim na shprehet me një anë në pritjen e mikut, më anë tjetër në hakmarrjen. Ky zakon i fundit është kufizuar tani në disa krahina të vetmuara, i pari është i gjallë në gjithë vendin. Është me rëndësi në folklorin e Ballkanit që zakonet hospitaliere të grekëve të Veriut dhe të aromunëvet na dëshmojnë influencën e kanunit të mikpritjes shqiptare.
Historianët anojnë nga mendimi se përçarja e tokës shqiptare në pjesë të izoluara dhe dyndjet centrifugale të popullit nuk e kanë lënë Shqipërinë kurrë të shfaqet si njësi në kuptimin historik të fjalës. Mirëpo H. Louis gjen një anë të njënjëtë në historinë shqiptare në këtë pikë, që popujt e huaj janë përpjekur pareshtur ta shtrojnë këtë vend, por edhe me aq qëndrim shqiptarët janë rebeluar kundër këtij shtrimi. Por edhe të tjera momente historike tipike mund të përmenden: Një rrymë episodike dhe dramatike e përshkon historinë shqiptare. Pastaj është fuqia e personalitetit ajo që pas mendimit tim luan tek shqiptarët si dhe tek stërgjyshët e tyre, ilirët, një rol më të rëndësishëm sesa gjetiu. Një fytyrë e tillë e fortë i bashkonte shqiptarët dhe ngjallte për pak kohë ndjenjën e bashkëjetesës kombëtare. Historia e Shqipërisë është histori e personalitetit. Në pragun e kohës së re ia mbërrin Gjergj Kastrioti të bashkojë fiset e shpërndara shqiptare dhe t’i fusë aktivisht në histori. Shekuj më vonë Shqipëria u vë veshin veprave të Ali Pashë Tepelenës. Ky shtron nën fuqinë e tij një pjesë të madhe të vendit; fiset më të shumta shqiptare shërbejnë nën armët e tij. Vdekja dramatike e tij në Janinë bashkon në ndjenjën e zisë gjithë Shqipërinë. Kënga popullore shqiptare e vajton edhe sot që prej Çamërie gjer në Shkodër.
Përsa i përket ndarjes konfesionale të Shqipërisë në shumë besime, kjo këtu nuk ka qenë aq ndarëse e thellë si gjetkë. Vërtet se Shqipëria është vendi ku grindjet fetare midis kishave të Perëndimit e të Lindjes janë zhvilluar më së ashpërmi. Është gjithashtu e vërtetë se influencat fetare të huaja kanë eroduar pak nga pak tokat e skajeve shqiptare. Me gjtihë këto, njësia e kombit ne themel nuk u shkatërrua. Ekzistenca e shumë zakoneve të përbashkëta parakrishtere e krishtere te të gjitha shtresat e popullit dhe në gjithë krahinat ka ndihmuar , pa ditur, për ruajtjen e kësaj njësie.
Ndërgjegja e fisit dhe ndjenja nacionale kanë qenë gjithmonë më të forta. Ky fakt i njohur nga shkenca duhet marrë parasysh kur studiohet historia shqiptare. Ky edhe u ka vërtetuar gjatë saj shpeshherë, në mënyrë që në çaste vendimtare interesat e veçanta konfesionale u lanë mënjanë para interesash të përbashkëta kombëtare.
Edhe poezia popullore dhe shkrimtaria jonë e dëshmojnë, siç do të shohim, njësinë dhe shpirtin e nacionit. Vazhdimin e gjuhës shqipe të përbashkët gjer në kohë të mesme e pamë më sipër.
Është e vërtetë se krahinat kufizore shqiptare kanë lidhje të thella me fqinjët e tyre ballkanikë, lidhje këto që rrjedhin më shumë prej natyrës dikur shqiptare të këtyre tokave që sot janë bërë të huaja: mirëpo vallë a mos nuk lidhen më ngushtë pjesët shqiptare ndërmjet tyre, gjurmimi i kësaj çështjeje është një nga detyrat kryesore të studimeve shqiptare.

*Shkëputur nga libri i Eqrem Çabejt: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”

Përgatiti: ObserverKult