Filli i jetës njerëzore kishte qenë tejet i shkurtër për ta parë të botuar në plotni veprën e tij jetësore “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Në shtatë vëllimet kapitale të kësaj ndërmarrjeje shkencore, Eqrem Çabej do të avanconte në pikën më të lartë njohjen për shqipen, sinkroninë dhe diakroninë e saj.
Dyzet vjet më parë, të mërkurën e 13 gushtit në një klinikë të Romës do të jepte frymën e fundit studiuesi gjirokastrit, që në të gjallë gëzoi reputacion në rrethet ndërkombëtare të albanistikës, romanistikës dhe ballkanistikës.
Ministrja e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, Elva Margariti, ka qenë ndër të parat që ka përkujtuar ditëvdekjen e gjuhëtarit të njohur shqiptar. Ajo ka thënë se 40 vjet më parë u shua një prej mendjeve më të ndritura shqiptare, intelektual i klasës së parë dhe albanolog i shkëlqyer.
“I brumosur me një kulturë perëndimore, ndonëse me një të ardhme të sigurt përpara, në Vjenë, ai zgjodhi Shqipërinë dhe gjithë jetën ia dedikoi zbulimit të rrënjëve të shqipes e çështjeve të tjera që lidheshin me gjuhën, folklorin e letërsinë”, ka shkruar Margariti.
“Edhe në ditët më të zymta të diktaturës, Çabeji ruajti të pacenuar dinjitetin e shkencëtarit, intelektualit dhe sharmin e një zotërie të vërtetë. Një pikë referimi pa kohë, pa të cilën albanologjia shqiptare do të ishte e gjymtuar”.
Pedagogia dhe përkthyesja e njohur, Mirela Kumbaro, e ka cilësuar Çabejn si njërin ndër gjirokastritët buzëhollë e mendjendritur.
“Si sot, në vitin 1980 u nda nga jeta e të zakonshmëve një njeri i jashtëzakonshëm për gjuhën shqipe, për letrat shqipe dhe për mendimin shqiptar, por edhe për enciklopedinë gjirokastrite”, ka shkruar ajo.
Një dedikim gjatë ditës për Çabejn ka bërë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, e cila e ka konsideruar gjirokastritin si një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare.
“Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë”, thuhet në biografinë e përmbledhur të afishuar në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, transmeton ‘koha.net.
Gjuhëtari dhe studiuesi, Xhevat Lloshi, në një shkrim të publikuar të mërkurën ka vlerësuar se Çabej përben “palcën e studimeve shqiptare”.