Erica Jong: Dashnia jem asht e tepërt për ty

Dashnia jem asht e tepërt për ty  –
të jep siklet  –
gjak, poezi, foshnje,
e kuqja ka nevojë për atë telefonin
nga vendet e huaja,
e zeza ka nevojë për atë spërkatjen
në faqet
e zemrës tande të bardhë prej letre.

Ma me qef ishe kanë me ndonji çikë
që ka nevoja të zakonshme:
drekë, seks, dashni,
që s’asht kërkuese,
darkë, verë, shtrat,
aty këtu ndonji gojore
dhe nevoja që nuk janë kurrë
të kuqe si plagë të hapuna
por të akullta e të murrme
si ekrane televizive
në shtëpitë e vargume.

Oh dashnia jem,
edhe ato çikat e zakonshme
me nevoja të zakonshme
i lexojnë librat e mi.

Ato tregojnë se ndjehen
njajt si unë.

Ato tregojnë se gjuhën e zemrave të tyne
e transkriptoj unë.

Ato tregojnë se dhimbjen e tyne
të heshtun, të patregume,
në dritën e bardhë të gjuhës
e përkthej unë.

Oh dashnia jem,
s’ka dashni
që s’asht kërkuese.

Mund të hiqet si e freskët
derisa të vjen dhimta e parë,
derisa të vjen foshnja e parë,
që ulërinë nevojën e saj të mitur
drejt nji universi
që nuk e ftoj kurrë.

Dashnia që ti p’e kërkon
nuk mundet me u gjet
veçse në faqet e bardha
të librave me receta.

Ti je tu kërku gatim,
jo dashni,
gatim që pasohet me seks,
seks të zbehtë
që i flet veç karit,
dhe jo kaosit rënkues
të zemrës.

Përktheu: Vlora Konushevci

ObserverKult