Ermal Meta zbulon detajet e koncertit që do ta mbajë në Tiranë

Ermal Meta - Vendi i kurbave

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta zbuloi disa detaje në lidhje me koncertin që do të mbajë më 17 shtator në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Meta tregon se hapjen e koncertit do e bëjë këngëtarja Elhaida Dani.

“Do të vij në datën 15, tani jam ende në Itali. Mezi pres. Jam shumë i emocionuar, zakonisht nuk ndjej këtë lloj emocioni, jam mësuar, kam bërë shumë koncerte. Por në Shqipëri emocioni është i veçantë. Kanë prenotuar për në koncert nga Italia, Rusia, Bullgaria, Turqia. Jam shumë i lumtur për këtë. Do të jetë një artiste, Elhaida Dani, që hap koncertin”, sqaroi Ermal Meta gjatë një interviste televizive.

Ermal Meta, i cili jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike në Itali, rikthehet pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë, ku dhe do të mbajë një koncert në stadiumin Air Albania.

Ky do jetë koncerti i parë që organizohet në stadiumin e ri në kryeqytet.

Biletat janë pa pagesë. Respektohen të gjitha rregulloret antikovid, dhe do të mbahet në 30 % të kapacitetit. Organizohet nga ambasada italiane në bashkëpunim me bashkinë Tiranë dhe FSHF./ATSH

LEXO EDHE: Ermal Meta nuk heq dorë, do ta mbajë koncertin e premtuar në Tiranë