Ermonela Jaho: Këtu jam rritur, janë rrënjët e mia ndaj më mungon çdo gjë nga Shqipëria

Sopranoja e njohur, Ermonela Jaho, rikthehet në Shqipëri për të mbajtur premtimin për një seminar të dytë me të rinjtë e kantos. Për Report tv ajo rrëfen figurat që e ndihmuan në fillim të karrierës, sakrificat pas suksesit dhe pritshmëritë për profesionin tani që ka prekur kulmin skenik.

“Këtu jam rritur, janë rrënjët e mia ndaj më mungon çdo gjë nga Shqipëria”.

Ende pa u shuar kumbimi i duartrokitjeve në Shtëpinë e Operës në Zyrih dhe buja e kritikës që e quan Ermonela Jahon si ‘zemërthyesja’ për thellësinë e pazakontë të interpretimit të jashtëzakonshëm si Magda tek “Dallëndyshja” (“La Rondine”)  e Puçinit, ajo kthehet në Shqipëri… për të mbajtur një premtim karshi të rinjve…

“Kam kënduar shfaqje në datën 1 tetor… Nuk fjeta gjithë natën, mora avionin dhe erdha herët këtu. Direkt në shtëpi, jo në shtëpinë time, të prindërve të mi, por në Teatrin e Operas dhe Baletit, sepse kisha këtë impenjim për të takuar pjesëmarrësit që do merrnin pjesë në ‘masterlcass’”

Ka nisur seminarin e saj të dytë, për Akademinë Teatrale të Teatrit të Operas. Janë 39 pjesëmarrës (22 aplikantë). Krahas trojeve shqiptare, të tjerë vijnë nga Parisi, Serbia dhe Verona.

“I kam përqafuar të gjithë, pavarësisht nëse i njihja ose jo. Kjo, për të dhënë energjinë pozitive, energjinë e suksesit që doja ta përçoja dhe tek ata. Si për t’ju thënë: Dje isha në një skenë të madhe, po sot jam këtu, duke kënduar me ju. Sepse në momentin që unë jap nga eksperienca ime edhe marr shumë nga ata”, thotë sopranoja.

Atmosfera që gjen në Teatrin e Operas, nën drejtimin e violinistes Abigela Voshtina e bën entuziaste.

“Kam gjetur miq këtu në TKOB, nisur nga shoqet e mia të Liceut, njëra prej të cilave drejton sot institucionin. Gjeta një entuziazëm që më ka kënaqur dhe kështu duhet të funksionojë një teatër, një institucion artistik, përmes energjisë pozitive, sepse nëse ajo mungon, nuk ke çfarë i jep publikut”, shprehet sopranoja.

Për sfidat që ka hasur, vetë sopranoja e di rëndësinë e të pasurit pranë njerëz që të nxisin të ndjekësh ëndrrat. Tek kthehet pas në kohë, kujton me mirënjohje figurat që e mbështetën.

“Përveç familjes sime që i kam pasur gjithmonë prezent, kam mësuar shumë nga pedagogët e mi si Zina Zdrava, Emine Gjata, Suzana Frashëri etj,por dy prej tyre kanë influencuar shumë tek unë. Kanë lënë shenjë. Ata janë Sonja Sulo dhe Vangjo Kosta”, thotë Jaho.

Është ndër emrat më të lakuar të muzikës klasike, sukseseve të saj i shtohet së fundmi dhe nominimi për çmimet “Gramaphone 2023′, për interpretimin e saj në kryeveprën e fundit të Puçinit ‘Turnadot’. Por pas këtij shkëlqimi skenik, tregon se ka shumë sakrifica, e një jetë private, që e mbron me fanatizëm.

“Ermonela është artistja, po mbas atij artistit është një eksperiencë jete. Anën private kam dashur gjithmonë ta mbaj të tillë, por është një rrugëtim jo i lehtë, që nuk bëhet po s’pate dhe njerëz të familjes, të stafit etj., që të mbështesin. Është jo vetëm një rrugëtim, por edhe një jetë jo e lehtë, mirëpo kur je e rrethuar nga njerëz pozitiv, çdo gjë kapërcehet”, thotë Jaho.

Kritikët dhe mediat më të mëdha ndërkombëtare e quajnë si ‘superstarin’ shqiptar të muzikës klasike. Është padyshim në majat e suksesit, dhe emri i saj një garanci për shfaqjet ‘sold out’ në skenat më prestigjioze, por çfarë dëshirash ruan Jaho në sirtar, ndoshta ende të papërmbushura për karrierën e saj?

“Nga ana profesionale ëndrra nuk kam më. Tani duhet që çdo gjë vetëm ta mbaj dhe të kem atë rrugëtimin tim shpirtëror në skenë!Të jap eksperiencën time brezit të ri.

Mendoj që çdo artist kur arrin një lloj kulmi, duhet ta përcjellin tek brezat e tjerë. Kjo sepse arti e kultura janë integriteti i një populli”, shprehet Jaho./ Report tv

ObserverKult


iden poezi nga gerhard pregapuva nese martohemi observerkult

Lexo edhe:

GERHARD PREGAPUCA: NËSE MARTOHEMI!

Nëse martohemi!
Shpesh do të besdisesh,
duke shfryrë nëpër shtëpi.
Do t’i lash edhe një herë,
të larat me të palarat.
E gjellës kripë,
mbi dy herë,
do t’i hedhësh pa dijeni.

Nëse martohemi!

Shpesh do të mallkosh,
dhe ditën kur u njohëm,
si ditë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult