Ermonela Jaho, po sikur të kishe hapur një Big Brother?

ermonela jaho
Ermonela Jaho

Nga Mentor Kikia

Ermonela Jaho erdhi në Tiranë të bënte një kurs, “master class”, për disa ditë, për studentët dhe pedagogët e rinj të kantos.

Por u zhgënjye shumë, sepse në sallë nuk ishte asnjë student dhe asnjë pedagog. Zhurmës së krijuar, iu përgjigj një nga pedagogët e kantos, i cili tha se ne të rriturve na i kanë dhënë leksionet njerëz më të zotë se Ermonela, ndërsa studentëve ua kemi mësuar ne, kështu që s’kanë as ata nevojë.

Me pak fjalë, Ermonelës i thanë: “U bëre ti të vish të na mësosh neve. Këto që na thua ti, ne i dimë më mirë se ti”. Ndoshta pedagogët mund ta ndjenin të panevojshëm leksionin e Ermonelës, por studentët do të duhej ta kishin për nder.

Sepse Ermonela është sot në majën e suksesit në fushën e saj, në të gjithë botën.

Padyshim që Ermonela e mori vesh që bëhej fjalë për xhelozi dhe cmirë. Është gjenetike kjo. U bëre ti, kush je ti, nga na dole ti?

Por, të ishte thjeshtë dhe vetëm geni i kapadaiut, do të ishte e keqja më e vogël. Ka një problem shumë më të madh sesa ky.

Ermonela, i ke parasysh programet televizive që bëjnë eksperimente sociale?

Me këtë popull është bërë një eksperiment social masiv. I pari në botë. Si do të sillet një popull nëse i ndërpret kulturën?

Eksperimenti konsistonte në disa faza:

-U prishën kinematë. Në çdo qytet, njëra pas tjetrës ato u shfarosën dhe në vend të tyre u ndërtuan pallate e qendra tregtare.

Sot shqiptarët nuk shkojnë askund në kinema. Edhe nja dy kinema private që janë, nuk mbushen asnjëherë sepse turma eksperimentale u largua nga kinemaja.

-U prishën teatrot. Diku u shkallmuan me themel e diku thjeshtë u zhbënë. Edhe aty ku janë në këmbë si ndërtesa, kanë vetëm pastrues e punëtor skene, por jo aktorë.

Sallat e tyre mbushen vetëm kur kanë takime elektorale partitë politike.

-U shkatërrua humori, si gjini e artit. Ai vdiq bashkë me mjeshtrat e tij, që ikën njëri pas tjetrit nga kjo botë dhe nuk u zëvendësuan më.

Shqiptarët nuk dinë të qeshin. Vakumi u mbush me ca programe televizive që degjeneruan shpejt në banalitete ordinere.

-U shkatërruan qendrat kulturore dhe edukative për fëmijë, kur të vegjëlit të kalojnë kohë në mënyrë të kulturuar e të ushqejnë talentet e tyre.

-U braktisën gradualisht bibliotekat dhe libri.

-Nuk ka kinemtografi. Ca filma që prodhohen modestisht kanë gjithmonë në qendër një vajzë prostitutë dhe një djalë tutor dhe filmat më të shikuar janë ende ata të realizmit socialist.

-Në festivalet e muzikës i këndohet edhe “të bardhës”, “të kuqes” dhe “jeshiles”, dhe prezantueset i nxjerrin lakuriq që të rritet audienca.

Kishte ndodhur dekulturalizmi i një populli…..

Ndërkohë që ti Ermonela i ftoje studentët e kantos të vinin të të dëgjonin ty, jashtë ndodhte diçka tjetër.

Ke dëgjuar ti për Mevlanin e “Përputhen”i? Jo? Kur shkonte Mevlani nëpër qytetet e Shqipërisë, lëshoheshin lukunia, burra, gra, fëmijë, të rinj që ta shikon nga afër, ta preknin për të parë nëse është real apo është mirazh. Bënin foto, i merrnin autografe… Nëse shkon ti, as do ti bëjë ndërmend njeriu…

I njeh ti Ermonela Luizin dhe Kiarën? Ata janë sot njerëzit më të famshëm në Shqipëri dhe diasporë. Do të thuash çfarë bëjnë këta që janë të famshëm?

Kiara është e dashura e Luizit, ndërsa Luizi është i dashuri i Kiarës dhe puthen nën jorgan. Ti ke vetëm 13 mijë ndjekës në rrjet, ata kanë nga 1 milion.

Big Brotheri nuk mbaron Ermonela, sepse populli duartroket dhe programi zgjatet. Njësoj si ti në skene, kur pasi ke kënduar adhuruesit nuk të lënë të largohesh nga skena. Fiks njësoj. Por ti s’je aq e famshme sa Kiara.

E megjithatë Big Brotheri do të mbarojë një ditë. Por turma do të argëtohet sërish. Një tjetër program po bëhet gati. “Ishulli i Dashurisë” quhet.

Ndryshe nga BB, atje gocat thuhet se nuk do të kenë bikini fare. Madje do të bëjnë dashuri Live, që t’i shikojmë të gjithë. Për një javë kishin shprehur interes 30 mijë të rinj për tu bërë pjesë e këtij show, që duan të bëhen të famshëm.

Eh sa do të kënaqemi moj Ermonela!

Por të kthehemi tek eksperimenti. Ndërprerja e kulturës, një shoqëri e shndërroi shumë shpejt në një turmë.

Të nderuar miq. Ata që e njohin nga afër Ermonelën e dinë që ajo e do vërtet vendin e saj. Nuk është nga ata patriotë që bëjnë shqiponjën me duar për ta hedhur në Fb. Idenë e “akademisë”, apo “master class”-it, ia kam dëgjuar gjatë një bisede që pata më të, rreth një vit e ca më parë. “Dua të bëj një gjë për vendin tim, për të rinjtë e talentuar, dua të kontribuoj…”

Ermonela, ti u zhgënjeve, por mos u tërhiq në atë gjënë tënde modeste që do të bësh. Turma sot është në një vrap drejt theqafjes, por njerëzit e mëdhenj janë ata që i dalin përpara.

Jeta jote, ikja me një “copë bukë në trastë”, talenti, puna e lodhja, për të mbërritur në majën e suksesit botëror, një ditë do të bëhet film.

Ndërsa kjo historia e “master clas”-it do të jetë si ajo pjesa e filmit “Koncert në vitin 36”, kur ato “zonjat nga Vjena e Parisi kishin ardhur të engledisnin miletin në Lushnje, me pianon Hartman. Merr vesh ti!”

Por ato nuk mund të këndonin, pasi më parë programin duhej ta shikonte Zoti Xhevo dhe Zoti Fotaq.

Ermonela Jaho duke punuar me ato 3-4 artistë të rinj që erdhën nga Kosova apo Italia
Ermonela Jaho duke punuar me ato 3-4 artistë të rinj që erdhën nga Kosova apo Italia

ObserverKult


ermonela jaho

Lexo edhe:

ERMONELA JAHO DHE “VIP-AT” SHQIPTARË QË PO HELMOJNË RININË…

Nga Roland Qafoku

E lindur, rritur dhe e arsimuar në Shqipëri, Ermonela Jaho sapo është shpallur “Artistja e vitit” si soprano për “International Classical Music Award”.

Këndon në skenat më prestigjoze të botës dhe është një artiste self made. Së fundi shkëlqeu në Metropolitan Opera në New York duke marrë vlerësime si askush tjetër aty.

Ermonela Jaho është e kundërta e VIP-ave dhe të famshmëve shqiptarë që po krijojnë vlerë tallavaje dhe PR të rremë duke helmuar rininë.

Kjo dukuri në Shqipëri po ndodh jo vetëm në art, por edhe në media. Të parët nuk bëjnë art por vulgaritet dhe të dytën shtiren se po bëjnë media por janë zhytur në një llum të një stili edhe më të keq.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult