Ernest Hemingway: Kafene e pastër, e ndriçuar mirë

Ernest Hemingway
Ernest Miller Hemingway ( 21 korrik 1899 – 2 korrik 1961)

Nga Ernest Hemingway

Ishte shumë vonë dhe të gjithë kishin ikur nga kafeneja, përveç një plaku që rrinte ulur nën hijen e gjetheve të një peme që qëndronte kundruall dritës elektrike. Ditën, rruga ishte e pluhurosur, por natën vesa lante pluhurin dhe plakut i pëlqente të rrinte deri vonë, për shkak se ishte i shurdhër dhe tash natën ishte qetë e ai e ndiente ndryshimin. Dy kamerierët brenda kafenesë e dinin që plaku ishte pak i dehur dhe megjithëse ishte klient i mirë, ata e dinin se nëse do të dehej tepër, ai do të ikte pa paguar, kështu që e ruanin.
“Javën e kaluar u përpoq ta vriste veten”, tha njëri kamerier.
“Pse?”
“Ishte i dëshpëruar”.
“Për çka”?
“Për kurrgjë”.
“Ku e di që për kurrgjë”?
“Ai ka boll pare”.
Ata rrinin ulur së bashku në një tavolinë ngjitur me murin, pranë derës së kafenesë dhe shikonin në tarracë ku të gjitha tavolinat ishin bosh, pos asaj ku rrinte ulur plaku, nën hijen e gjetheve që lëviznin ngadalë në erë. Një vajzë dhe një ushtar kaluan në rrugë. Drita e rrugës ndriçoi mbi numrin e bakërt të jakës së tij. Vajza nuk kishte shami në kokë dhe shpejtonte pranë tij.
“Roja do ta zërë”, tha njëri kamerier.
“Çka ka lidhje nëse ai e arrin atë që do”?
“Më mirë të mos rrinte në rrugë tash. Roja do ta zërë. I ranë këndej para pesë minutash”.
Plaku që po rrinte ulur në hije, i ra pjatës së filxhanit me gotën e tij. Kamerieri i ri shkoi te ai.
“Çfarë do”?
Plaku e shikoi. “Edhe një konjak”, tha ai.
“Do të deheni”, tha kamerieri. Plaku e shikoi. Kamerieri u largua.
“Do të qëndrojë tërë natën”, i tha kolegut të tij. “Më merr gjumi tash. Kurrë nuk shkoj në shtrat para orës tre. Duhej ta vriste veten javën e kaluar”.
Kamerieri e mori shishen me konjak, një pjatë tjetër filxhani nga brenda banakut të kafenesë dhe marshoi drejt tavolinës së plakut. E vendosi pjatën e filxhanit dhe gotën mbi e mbushi plot.
“Duhej ta vrisnit veten javën e kaluar”, i tha shurdhit. Plaku bëri më gisht. “Edhe pak”, tha ai. Kamerieri hodhi në gotë aq shumë konjak saqë ai u derdh dhe u lëshua teposhtë në pjatën e filxhanit duke u bërë pellg. “Faleminderit”, tha plaku. Kamerieri e ktheu prapë shishen brenda kafenesë. U ul prapë në tavolinë me kolegun e tij.
“Tash është i dehur”, tha ai.
“Ai është çdo natë i dehur”.
“Pse donte ta vriste veten?”
“Ku ta di”.
“Me çka”?
“Me konop”.
“Kush e shpëtoi”?
“Mbesa e tij”
“Pse e bëjnë këtë”?
“Frikësohu për shpirtin e tij”.
“Sa para ka”?
“Sa të duash”.
“Duhet të jetë tetëdhjetëvjeçar”.
“Sidoqoftë, duhet të them që i ka tetëdhjetë”.
“Do të doja të ikte në shtëpi. Kurrë nuk shkoj në shtrat para orës tre. Çfarë ore është kjo për të shkuar në shtrat”?
“Ai rri, ngase i pëlqen”.
“Ai është i vetmuar. Unë nuk jam i vetmuar. Kam gruan që më pret në shtrat”.
“Edhe ai kishte grua”.
“Një grua nuk do t’i bënte mirë tash”.
“Nuk i dihet. Mund të ndihej më mirë po të kishte grua”.
“E mbesa kujdeset për të. Thatë që ajo e shpëtoi”.
“E di”.
“Nuk do të doja të plakesha kaq shumë. Një burrë i plakur është gjë e keqe”.
“Jo gjithmonë. Ky plak është i pastër. Pi pa derdhur anash. Edhe tash, kur është i dehur. Shikoje”.
“Nuk dua ta shikoj. Dua që ai të shkojë në shtëpi. Ai nuk ka respekt për ata që duhet të punojnë”.
Plaku shikoi përmes syzeve përreth sheshit, pastaj kamerierët.
“Edhe një konjak”, tha, duke bërë me gotë. Kamerieri që ngutej u afrua.
“E kreve”, tha ai, duke folur në mënyrën sintaksore të heqjes së fjalëve siç flasin njerëzit budallenj ndaj të dehurve dhe të huajve. “S’ka më sonte. Mbyllur tash”.
“Edhe një”, tha plaku.
“Jo. U krye”. Kamerieri e fshiu sipërfaqen e tavolinës me peshqir dhe e tundi kokën e vet.
Plaku u ngrit, ngadalë i numëroi filxhanët, e nxori kuletën e lëkurës nga xhepi dhe pagoi për pijet, duke lënë gjysmë pesete bakshish. Kamerieri e shikoi teksa po largohej teposhtë rrugës, një plak shumë i vjetër që ecte pasigurt, por me dinjitet.
“Pse nuk e le të rrinte e të pinte?”, pyeti kamerieri që nuk ngutej. Ata po i ulnin grilat. “Nuk është dy e gjysmë”.
“Dua të shkoj në shtrat”
“Çka është një orë”?
“Është më shumë për mua se për të”.
“Një orë është e njëjtë”.
“Edhe ti po flet sikur plak. Ai mund ta blejë një shishe e të pijë në shtëpi”.
“Nuk është e njëjta gjë”.
“Jo, nuk është”, u pajtua kamerieri që kishte grua. Nuk donte të bëhej i padrejtë. Ai thjesht ishte në ngut.
“E ti? Nuk ke frikë të shkosh në shtëpi para orës së zakonshme”?
“Po doni të më ofendoni”?
“Jo mik, po bëj shaka”.
“Jo”, tha kamerieri që ngutej, duke u ngritur pasi kishte lëshuar grilat e hekurt poshtë. “Kam besim. Jam plot besim”.
“Ke rini, besim dhe punë”, tha kamerieri më i vjetër. “Ke gjithçka”.
“E ty çka të mungon”?
“Gjithçka pos punës”.
“Ti ke gjithçka që kam edhe unë”.
“Jo. Kurrë s’kam pasur vetëbesim dhe nuk jam i ri”.
“Lëre pashë Zotin. Mos fol gjepura dhe mbylle derën”.
“Unë jam nga ata që kanë qejf të rrinë deri vonë në kafene”, tha kamerieri më i vjetër. ”Së bashku me të gjithë ata që nuk dëshirojnë të shkojnë në shtrat. Së bashku me të gjitha ata që natën u duhet dritë”.
“Unë dua të shkoj në shtëpi dhe të futem në shtrat”.
“Ne jemi dy lloje të ndryshme”, tha kamerieri më i vjetër. Ai tashmë ishte veshur për të shkuar në shtëpi. “Nuk është vetëm çështja e rinisë dhe besimit, ndonëse këto gjëra janë shumë të bukura. Çdo natë ngurroj ta mbyll kafenenë, për shkak se mund të gjendet ndokush që ka nevojë për të”.
“Mik, ka dyqane të vogla të hapura tërë natën”.
“Ti nuk kupton. Kjo është një kafene e pastër dhe e këndshme. Është mirë e ndriçuar. Drita është shumë e mirë dhe gjithashtu, tash ka edhe hije nën gjethet”.
“Natën e mirë”, tha kamerieri i ri.
“Natën e mirë”, tha tjetri. Pasi e shoi dritën elektrike, ai vazhdoi të fliste me veten, ishte drita, natyrisht, por është e domosdoshme që lokali të jetë i pastër dhe i këndshëm. Nuk doni të dëgjohet muzika. Sigurisht që nuk doni muzikë. As nuk mund të qëndroni para banakut me dinjitet, ndonëse kjo është krejt çka mund të gjeni në këtë orë. Nga çka frikësohej ai? Nuk ishte frikë, as drojë, ishte asgjëja që ai e njihte mirë. Krejt kjo ishte asgjë dhe një njeri ishte po ashtu një kurrgjë. Ishte vetëm kjo dhe krejt çka duhej ishte drita, njëfarë pastërtie dhe rregull. Disa jetonin brenda dhe kurrë nuk e ndienin, por ai e dinte që krejt kjo ishte kurrgjë, nada[1], bash hiç kurrgjë, e asgjë. Asgjëja jonë, që je në kurrgjë, kurrgjë ti je, emri yt mbretëri e asgjësë vullneti jot qoftë kurrgjë në asgjë, ashtu siç është kurrgjë. Jepna këtë kurrgjë, asgjënë tonë të përditshme dhe asgjë neve asgjënë tonë asgjëja jonë dhe asgjënë tonë në asgjë, largona nga asgjëja; për kurrgjë. Lavdi hiçit që është plot me hiç, hiçi qoftë me ty. Ai buzëqeshi dhe qëndroi para një banaku, mbi të cilin avullonte një makinë farfuritëse kafeje.
“Për çka jeni”, pyeti banakieri.
“Nada”.
“Otro loco mas”[2], tha banakieri dhe ia ktheu shpinën.
“Një filxhan të vogël”, tha kamerieri.
Banakieri ia mbushi.
“Drita është shumë e shndritshme dhe e këndshme, por banaku është i papastër”, tha kamerieri.
Banakieri e shikoi, por nuk u përgjigj. Ishte tepër vonë për bisedë.
“Dëshironi edhe një filxhan?”, pyeti banakieri.
“Jo, faleminderit”, tha kamerieri dhe shkoi. Atij nuk i pëlqenin baret dhe dyqanet e vogla. Një kafene e pastër, e ndriçuar mirë ishte shumë më ndryshe. Tash, pa menduar më tutje, do të shkonte në shtëpi, në dhomën e tij. Do të shtrihej në shtrat dhe, më në fund, me dritën e mëngjesit, do të shkonte të flinte. Në fund të fundit, i tha vetes, sigurisht është vetëm pagjumësi. Shumë duhet ta kenë.
1933

Nga anglishtja: Gëzim Aliu


[1] Asgjë në spanjisht.

[2] Edhe një budalla; spanjisht.

ObserverKult

Lexo edhe:

ERNEST HEMINGWAY: NËSE TI NUK MË DO, S’PRISH PUNË, UNË JAM I AFTË TË DUA PËR TË DY…