Tregim nga më të bukurit e Ernest Koliqit: Kërcimtarja e Dukagjinit

Ernest Koliqi

Nga Ernest Koliqi

Puc, motër e vogël andërrtare qi hapë sytë e zez të mëdhaj edhe dridhesh nga andja e sendeve të mrekullueshme kur të kallzoj ndonji prrallë, – Puc, shtegtare e palodhshme gjatë udhës lulëzim-plote të prrallave, e cila në kët jetë a’ ndoshta e vetmja qi arrin deri tu Fatbardhësija, – Puc, ndëgjoje, me kureshtën e heshtëshme qi të pezullon krejt gjallninë e vizave të fytyrës e të gjymtyrve të njoma, legendën e vjetër të Kërcimtares së Dukagjinit.
Paska qenë dikur në Dukagjin nji vajzë mrekullisht e hijëshme. Për në dhe’ tonë asokohe mund të thohej se nuk kishte si m’u gjetë nji tjetër ma e bukur. Hijeshija e fytyrës e përsosja e gjithë pjesëve të trupit, lente për nji copë herë pa mend para saj kedo qi e shifte së pari. Kryet, krye perëndeshe; duert, duer Zanash; kambët aq të vogla e të lehta sa me t’u ba se he he po qesin fletë e po e çojnë fluturim n’ajri. Me dy fjalë: nji kryevepër natyre.
Por…
Kapricet e nanës Natyrë janë vërte të çuditshme. Vasha ma e bukur e dheut tonë ishte e ngathtë, e trashë, turulluqe. Kur flente dukej nji hyjneshë e zbritun nga qielli qi nji gjumë i papritun kishte zanë mbi tokë; sa zgjohej therte shpirtin me ngutinë e lëvizjeve, me pazhdërvjelltinë e sjelljeve e të gesteve e me trashamaninë e fjalëve. E gjithë ajo bukuri qi kishte derdhë Perëndija në te bante me spikatë edhe ma tepër shëmtimin e atyne mënyrëve të palëvrueta. Sytë lëshojshin shikime të fikuna, buzët iu shtrembnojshin në nji nenqeshje të marrë e të pakuptueshme. S’dinte me ndejë, s’dinte me ecë. Gjithë ditën e lume shifej me duer n’ijë pse kurrgja s’i vinte për dore me punue. Ishte mbesë e Lekë Dukagjinit. E ama ankohej me të gjithë për at kryq qi iu donte me bartun. Tashti ndodhi qi Mbreti i Shqiptarëve, Skanderbegu, mbas nji lufte të fitueme kundra tyrqve, grishi në Krue gjithë Parësinë e Shqipnisë për me kremtue at ngadhënjim armësh. Lekë Dukagjini ishte i thirrun ndër ma të parët e prandej shenjoi gjinden qi do ta përsillte: pesëdhetë luftarë të zgjedhun, njizet krenë, tridhetë gra e vajza ma fisniket ku ishin. Ndërmjet tjerëve i tokoi me marrë pjesë n’at udhëtim edhe Zogës me të bijën Lulen (kështu quhej vasha e çuditshme). Princeshë Zoga tue pregatitë petkat ma të çmueshme qi ruente n’arkët e mëdha, si për vete ashtu edhe për vajzë, fshante e shkreta, trishtueshëm. Mendja e saj s’kishte paqë. Mendonte se n’at mbledhje princash e bujarësh, bukurija e së bijës do të tërhiqte menjiherë vërejtjen e përgjithëshme e se shumë kush do t’i afrohej me andje për m’u largue i neveritun. Zbardhi dita e të nisunit. Kualt pritshin para kështjellit të Dukagjinve tue rrahë kalldramin me thundra të padurimshme, tue tërfatë e tue hingëllue. Kumbonët bijshin hareshëm për me i urue udhën e mbarë princit e ndjekësve të tij. Lekë Dukagjini doli, i rrethuem prej krenve, kërceu mbi kalë e u nis në krye të vargut. Parzmoret hekuri të burrave shkëlqejshin në dritën e diellit të mëngjesit. Veshat e grave e të vajzave hidhshin ngjyrat e ylberta nëpër blerimet e shtigjeve prendverore.
U nisën, mbi kual, së bashku, rrethue prej heshtave të luftarëve përsjellës. Princeshë Lulja kishte hypë mbi nji kalë pullumb e ecte krah për krah me t’amën, pa folë. Zoga bisedonte pa pushue me gra. Tue e dijtë se Lulja nuk i qëndronte mirë kalit, or’ e ças sillej për me i thanë: “Venja menden se këtu rruga asht e keqe”. Por nji herë tue u dredhë me ia përsëritë për të dhetën herë kët porosi, çudija e la me gojë haptë. E bija e shikonte me dy sy të qeshun, plot gjallëni e ambëlsi qi i jepshin fytyrës nji shkëlqim të jashtëzakonshëm. Zoga rrahi qerpikët e vërejti ma mirë. N’at buzëqeshje hyjnore skajet e buzëve nuk iu ulshin tue iu shtrembnue si në ditë tjera. Mbandej i rrinte kalit për bukuri si kalorset e vadituna qi gjajnë të leme mbi te. Por çudija e Zogës dhe e gjithë udhëtarve gjet kulmin kur karvani doli në nji shesh të gjanë e Lulja e lëshoi kalin në pikë të vrapit, bashkë me djelm qi dojshin me mujtë shoqishoqin në të ngamë, e arrijti e para tue kapërcye gropa e prroska me nji udobi të mrekullueshme. Ishte ndërrue krejt. Krijesë ma të shkathtë s’kish pae sy njeriu. Nuk e zente vendi vend: herë dilte në krye të vargut tue u vërvitë tërmaleve të thikëshme, herë ndalej në fund për me zanë pastaj karvanin me vrape të falisuna: bante hoka, shpërthente në gaz të kandshëm e të zashëm nëpër varg t’udhëtarve tue zgjue ndjesi të freskta ambëlsije të mbinatyrshme. E gjithëkush bahej copash për ta kondendue në çdo trillë qi i kërcente. Zoga dyshonte mos ish n’andërr. Tue e shikue mirë s’i dukej bija e saj: fytyra po; edhe trupi po; sytë, por, si mos me qenë të Lules. Dy sy të rij, të panjohun, plot shkëndija misterioze qi mezi me ia durue të shikuemit.
Mbas nji udhëtimi tri ditësh me ndalje e pushime të shpeshta, princ Lekë Dukagjini e përsjellsit e tij arrijtën në Krue ku ishte mbledhë Parësija e gjithë Shqipnisë. Kishin ardhë tu Mbreti me dhunti të panjehuna edhe bajlozat e Venedikut, të Raguzës e të Mbret Alfonsit. Hareja ishte e shkrueme në gjithë fytyrat. Kanga kriste anë për anë. Vallet e lojnat derdheshin prej qytetit nëpër rrethe. Edhe qielli qeshej mbi at triumf lavdije shqiptare. Lulet e prendverës kruetane erësojshin mbi parzmat e gocave e të zojave t’ardhuna në kremtim nga katër anët e dheut të shqipeve.
Ishte agimi i ditës ma fatlume të kombit tonë, i asaj dite qi mbaroi tepër shpejt me nji perëndim të përgjakun tue lanë mbrapa natën e errtë të nji robnije shekujsh.
Kremtimi i madhnueshëm ngjati shtatë ditë e shtatë net. Në pallat mbretnuer sofrat u shtrojshin njana mbas tjetrës e kush do, i njohun a i panjohun, shqiptar a i huej, mund t’u ulte në to. Muziktarë Italije, natën e ditën, mbajshin gjallë me vegla të tyne kangët e vallet. Kërcehej ndër sallone të ndritëshme të kështjelleve, ndër shtëpija të bujarëve, në çardaqe të pasanikëve, n’odat e pastolisuna të punëtorve, në jerevitë e skamnorve, nëpër lulishta e oborre, në rrugë të madhe. Gëzimi rrëmbente gjithkend sikur she i turrshëm qi bjen nga malet e hjedhta në fushë tue përla ça gjen përpara.
Ishte nji të marrun fryme ndërmjet dy luftimeve titanike. Mbreti i papërulun hiqte parzmoren hekuri e veshte në vend të saj petkun e mëndafshtë të pushimit për me i çelë popullit luftar kremtet e meritueme, të cilat shpesh herë ishin të këputuna në gjymsë nga nji kushtrim i ri.
Ditën e fundme të kremtimit, kasnecat mbi kual tue u fry burijave e tue u ra trumbetave nëpër sheshe e kudo qi daheshin udhët kryq, leçitën:
“Mbreti lajmon se ka me i falë plaçkën ma të çmueshme, qi u gjet në shatorren e krye-kumandarit tyrk të vramë, asaj vajze a grueje qi para oborrit mbretnuer të bajë kërcimin ma të bukur”.
Nji grue e panjoun, veshë si tyrkinë, e mbështjellun krejt në mahrama të qindisuna qi ia mëshefshin fytyrën e trupin, erdhi e para.
Mbreti ishte në sallën e madhe të kështjellit rrethue prej kapidanave ma të përmendun e prej bajlozave të huej. Rrinte në kambë, në mes të tyne, tue u sjellë fjalën tash njanit e tash tjetrit. Prej nji selije të naltë, Donika, mbretnesha e bukur e zemër-bardhë, i falte kujdo qi ta shikonte nga nji nenqeshje plot dritë e mirësi.
Sa muer vesht Mbreti për tyrkinën qi pritte jashtë, dha urdhën qi të niste menjiherë kërcimi.
Mbëkambësit sollën nji shtrojë të mëndafshtë Persije dhe e shpalisën tue mbulue me te mesin e sallonit. Oborrtarët u renduen rreth e rreth.
Tyrkina hyni, u përkul deri në tokë para Skandërbegut e u zbulue, tue hjedhë në nji anë mahramat e pashmangët ari qi kishte në kambë.
U kallzoi muziktarve jonën qi i lypej e, kambë-dathun, befas si ta prekte nji dorë e padukshme, u ngrit maje gishtave, çoi të dyja duert përpjetë e i ngjiti përmbi krye dhe u rrotullue kadalë me bel, tue i shikue të gjithë ndër sy sikurse të donte me njohun këqyrsit nji nga nji.
Shtat-hjedhun, me krahnuer të mbërthyem për gjymsash në nji xhamadan të shkurtë të ngrimun n’ar, këmishë harkate të ndërpashme, me mangë të gjana, dimij të hollë të mëndafshtë bojë qiell me lule të zbeta gjelbërore, lonte kambë e krahë ritmikisht herë shpejt herë kadalë. Nji unazë e vetme i ndritte në dorën e rrëmaktë me nji gur të madh qi qitte flakë në të luejtun. Dy vathë të gjatë iu varshin nga bulat e veshve.
Kërcimi i saj shëmbëllente nji lutje dashunore të dishprueme. Mësynte nji nga nji skajet e shtrojes tue përkulë belin e tue dredhë krahët pa pushue; zmbrapej me hove të shkurta; ravizonte rrotullakë të vetimshëm; ngitte maje gishtave me duer të ndeme si të kërkonte me zanë dashuninë qi ikë. Hapat e shpejtë e rrotullimi i krahve gjinikojshin nji vrellë përpise të luejtunash ku ajo dukej se don të fusë nji dashës të padukshëm. Por erdhi tue u ndalue, pak nga pak, deri sa kërcimi i saj u shëndrrue në nji ecje të kadalëshme: kryet e rrëzoi mbrapa si të lodhun; krahët përsollën me nji lëvizje shumë ma të qetë muzikën.
Mbet për pak çasa në mes të shtrojës si nji gem i lulëzuem qi flladi lëmon e puthë tue e përkulë kah të dojë. Por, qe, rishtas vallja e saj u ngjall, u valavit, flakëroi; ra, nisi prapë, vijoi me rrotullime të panjehuna, brodhi me hove të reja, u ba deshir pësim tërbim shpejtije, mbandej u ambëlsue, u zgjanue, mbaroi e kadalëshme e e plogët dhe në nji atitudë plastike gjet paqën.
Kur pushoi muzika, ajo ra ndër gjuj para Mbretit. Krahnori, tue marrë frymë, i rrihte me turr e sytë e zez të qeshun silleshin rrotull tue lëshue shikime përkëdhelse.
Mbas asaj u paraqit nji shkinë hollake e sy-larme e cila kërceu gëzueshëm e rrëmbyeshëm tue iu sjellë shtrojës për qark si çuterr gjarpnues qi përhapë fushave harenë e vet prendverore.
Pastaj tjera e tjera; u ndërruen ma se dhetë kërcimtare, disa t’ardhuna prej së jashtmi, disa të daluna nga vargu i madh i zojave e i zojushave bujare qi rrethojshin Mbretneshën.
E fundmja qe nji princeshë nga Tosknija qi bani nji kërcim të dridhshëm, plot hir e zhdërvjellti, buzëqeshun, sy-shkëlqyeme, rrethue me tanë dritën e rinisë së saj ngadhënjyese.
Si u këshillue me bajloza, Mbreti dau me ia dhanë çmimin e premtuem tyrkinës së panjohun e ishte kah jepte urdhën të shpallej ky vendim, kur nji kërcimtare e papritun e ndaloi tue dalë në mes të shtrojës.
Ishte princeshë Lulja, mbesa e Lekë Dukagjinit.
Si u ba ? Ça ndodhi ?
Porsa hyrija malsore çoi duert e luejti kambët, nji habi e ambël kapi gjithë shpirtnat. Nëpër tanë sallonin u ndie si nji amë lulesh mali e si nji gurgullim krojesh të ngrita.
Sy njeriu s’kishte pae as valle ma të mrekullueshme as kërcimtare ma të bukur. Lëkura e fytyrës së saj gjante e endun me rreze e fletëza prilli. Trupi i vërgjilët përhapte anë për anë nji njomësi si lule qi sa po ka çelë.
Të gjithëve iu bante se shifshin rreth saj tue lulëzue e tue u shfletëzue, si n’andërr, lulishta madhshtore. Ishte nji apotheozë lulesh: lule të denduna të panjehuna iu çelshin nen kambët e lehta, reshshin mbi flokë të lëshuem, dridhedhin ndërmjet gishtave të bardhë, derdheshin mbi trup hyjnuer.
Tash gjante si t’ish tue luejtë foshnjisht me përfytyrimin e saj në pasqyrën e nji uji të kulluet; mbandej dukej të këputte rremtha të lulëzuem, tue u ngritë maje gishtave të vogjël. Herë ngitte nëpër shtroje si të ndiqte ndonji flutur ari; herë valavitej si ta perkundte jehu i nji jonës së largët qi ngjallë malle të paprituna.
Merrte m’u ngjitun nëpër nji shkallë ajrore, largonte gjeth e lule të padukshme qi ia ndalojshin hovin, hidhej përpara si të biente zhyt në ndonji krue, shtrinte dorën me kapë shoqe tjera e sillej me mënyrën e asaj qi u prin nji vargu të gjatë vajzash kërcyese.
E drejtë si curril uji gufues, e lakueshme si gem i njomë, e shpejtë si hije reje, e dridhshme si drita në krue, endej shpejt, kadalë, hovshëm, pritueshëm. Kërcimi i saj ishte i freskët si lirija e maleve, i lehtë si kind flamuri qi valon ndër maje t’epra, i egër si fluturimi i shqipeve, i përmallshëm si kangë e harrueme qi ngjallet në fund të zemrës.
Sa mbaroi, nji brohori e përgjithshme e emnoi mbretneshë të kërcimtareve. Mbreti vetë erdhi m’e marrë për dore. Princat, kapidanat, bajlozat, bujarët, kalorsit e rrethuen tue e mbulue me lavde e tue i ngjitë mbiemna të bukur.
-Zanë me flatra !
-Hyjneshë e kërcimit !
-Dritë hane në prrue !
-Fllad fluturues !
-Lule n’erë ! Flutura e Shqipnisë !
Bajlozi i Venedikut i pëshpëriti:
-Tersicore !
E ama, Zoga, me çudinë ma të madhe qi mund t’i shprehte fytyra, u lëshue kah ajo:
-Po kush të ka mësue, moj, ty me kërcye ashtu ?
Shatrat e Mbretit e çuen me zgjedhë ça të donte ndër plaçkat e luftës së fundme. E ajo mori nji peshtah ari të punuem për mrekulli.
Mbretnesha e thirri afër vetes dhe e puthi në ballë. Tuba lulesh të panjehun nisën me i ardhë. Princat e rij çojshin me kërkue lule nëpër lulishta të Krues për te; zojat i hiqshin prej parzmit me ia falë asaj.
Nji triumf i pashoq !
Ajo shkëlqente për gjithë ças ma e bukur ma e njomë, ma tërhjekse.
Festat mbaruen e gdhini dita e kthimit. Lekë Dukagjini me përsjellsa u nis për Malsi.
Udhës të gjithë ishin të lodhun prej kremtimeve të gjata. Vetëm Lulja, së cilës iu përtrijshin ças me ças forcat, s’kishte kurrë qeti. Lojnat e hokat e saj, gazi kristaluer, të ngamet mbë kual ngjallshin gëzimin e tretshin lodhjen e shtegtarve.
Arrijtën, tekembramja, në nji perëndim të kuq, te kështjelli i Dukagjinve. E, sa hangrën bukën, të gjithë u rrokullisën në të shtrueme me i hjekë spik gjumit.
Të nesërmen nji lajmtar i papritun e zgjoi heret Zogën. Lekë Dukagjini e thirrte për nji punë me randësi të madhe. Ia kish befë në kështjell nji princ i ri, nga shtëpija e Muzakajve, qi kërkonte m’e marrë Lulen e donte m’u fejue aty për aty. Kërcimi i pashoq e kishte ba m’u çmendë mbas saj, e ai kish vrapue për t’arrijtë i pari, sepse ishte i sigurtë se tjerë deshirtarë do t’u paraqitshin për së shpejti.
Zoga, si mori vesht punën, ngau me zgjue të bijën. Por kjo gërhitte tue fjetë e s’ishte send qi e lonte vendit.
Mbasi e shkundi e ama mirë e mirë, në fund Lulja u ngrit me sy të turbullt e me nji shprehje mërzije në skaje të buzëve.
-Çou, -i briti Zoga, -se kanë ardhë me të lypë për grue.
Ajo s’u tund asnji fije, por mori m’u veshë kadalë me plogëtinë e zakonshme.
-Ma shpejt, he qyqe ! Ku ma lae zhdërvjelltinë qi kishe në kërcim ? -bani e ama tue e nxitë.
-Ku ? Si ? -pyeti vajza e nji habi e madhe iu pikësue në fytyrë.
-Në Krue, pra deh, -ia priti Zoga: -kur ishim në Krue.
Vajza qeshi si e marrë e tha:
-Në Krue ?… Po unë s’jam kenë kurrë në Krue !
E ama e vërejti çuditshëm. Sytë e Lules kishin shikimin e dekun të përparandejshëm; buzët iu shtrembnojshin prapë në nji nenqeshje trashanike e të pakuptueshme.
E, si Zoga, të gjithë u habitën, kur e panë Lulen të kthyeme përsëri në plogëtinë e trashamaninë e dikurshme. Askush nuk mund të kuptonte se si ajo vajzë e ngathtë kish pasë nji triumf aq të madh në Krue. Por çudija kapërcente gjithë kufijtë e kuptimit kur ajo bante be se kurrë s’mbante mend qi të kish kërcye në jetën e vet. Princi i ri, sa e soditi dhe foli pak me te, lypi leje e iku i dishpruem.
Puc, motër e vocërr me shpirt plot et mrekullimi, unë e shof në buzët e tuja të njoma tue u ravizue pyetjen qi rrjedh vetvetiu mbas këtij kallzimi.
“Ça kishte ndodhë ?”
Mos i hap sytë e bukur edhe ma tepër se i ke hapë; qe, me dy fjalë po ta hjeki kureshtën. Zanat e Dukagjinit, për me i qitë zanin maleve të tyne, kishin da qi njana prej sosh të merrte fytyrën e trupin e Lules e të shkonte në Krue në vend të saj, më sa qi këte, tue e plandosë në nji gjumë të randë, e kishin vu me fjetë në banën hyjnore ku ato jetojnë. Mbandej e kishin çue prapë në shtëpi, natën, pranë s’amës, kur shoqja e tyne ktheu nga triumfet e Krues.
Puc, Zanat bajnë shpesh këso lojnash !…

ObserverKult


Lexo edhe:

ERNEST KOLIQI: SHQIPTARVE U PËLQEN POLITIKA E KAFEHANEVE…