Ernest Koliqi: “Njerí qi s’turbullon új, gojâmbël, pa krení…”

ernest koliqi

Nga Ernest Koliqi


Në shoqnín shqiptare ky typ shfaqet në shum trajta. Përmbledh në vetvete dobësít mâ t’urrejshme, s’pari egoizmin e mandej lakmín e teprueme të nderimeve e të pasunís, pabesnín, papërfilljen e vuejtjeve të tjerve, çinizmin përball çâshtjeve të bashkësís kombtare. E të gjitha këto vetí t’ulta i veshë me nji hipokrizí të pakurrkundshoqe. Paraqitet me fjalë si altruist, si njerí që përbuzë fitimet e kënaqet me pak, si mik e shok besnik në dít të bardha e të zymta, si i pajisun me ndienja humanitare qi preket nga mjerimet e kujdohit. Këta me fjalë e me të shtime. I ligësht, punët e praksueme të veta i kryen me djallëzí, por edhe me matunín mâ të madhe. Hjedh peshën e mshefë dorën. Siellet kundrejt çdonjânit tue matë të prûmit simbas dobís qi pret me nxjerrë si. Paraqitet shkarraq në veshë për me mshefë gjendjen e mirë qi mjeshtrija e tij ia raditi. Miklues e lajkatar dhe plot kërmame të përvûjtuna para të të fuqíshëmvet, trajton me njerzí të thát ata qi nuk i hyjnë në punë. Por nuk prishet me kurrkend. Mendon se të pafuqíshmin e sotshëm mund e naltojë fati nesër në pozita me randësí. Sidoqoftë përpiqet qi t’i dali zâni si njerí i butë, i shkueshëm, i ndershëm, pa ambicje per me përdorë at zâ si mjet përfitimi. Disa prej këtyne typave, ç’se duel në vete Shqipníja, gëzuen ofiqe me shpërblime të majme tue u sherbye besnikisht me rend zotnuesave të kohës. Shokët e këtij lloj politikani hângne haps, u dërmuen trupnisht e shpirtnisht në mërgime të gjata, u vranë rrugave. Ai kapërcei ndër ndrrime politike prej nji rregjimi në tjetrin pa i hy ferrë në kambë. Sherbëtuer i zellshëm e plot zotësí i zotnuesavet qi temoheshin në sundim të vendit, por sidomos besnik i arkës së shtetit.
Ajo qi vret mâ tepër ndijen e drejtësís nuk âsht aq sjellja e nji typi të tillë sa shfaqjet e nderimit qi e rrethojnë. Gjikojnë mendelehtit: “Njerí qi s’turbullon új, gojâmbël, pa krení…”. Ai me nji buzëqeshje të ngërdheshun falnderon ata qi i a miratojnë të prûmit e veprat, ndërsa në mende të vet i njehë torollakë e kryetula qi rrêhen aq kollaj nga duka e nuk depërtojnë kurrsi në mbrendí të punve të shekullit. Polêmi, përgjithësisht, këta hypokrita i çmon si qytetarë shembullorë. Përkundrazi përçmon burrat qi nuk përkulen, qi rrezikojnë qetí vetjake e të mira, qi flijojnë edhe jetën për nji ideal t’epër, sepse i duken kryekërcyem, ambicjozë të rrezikshëm, njerz qi ushqejnë qellime t’errta.

(1972)

Përgatiti: Agim Morina

ObserverKult

Lexo edhe:

ERNEST KOLIQI: SHKO TI…