Ernesto Sábato: Ka kohë që nuk arrij ta mposht dot brengën që po më mbyt…

(Fragmente)

Që kur ka vdekur Horhe Federikoja* gjithçka është rrënuar brenda meje, dhe ka kohë që nuk arrij ta mposht dot brengën që po më mbyt.

I humbur në një xhungël të errët dhe vetmitare, më kot përpiqem të dalë nga trishtimi që më ka pushtuar. Më përpara – po sa përpara? Para se të ndodhte kjo fatkeqësi, – në çaste depresioni, i kaloja orët në studion time të pikturës, duke punuar me ndonjë kuadër, derisa pikëllimi të më fashitej disi. Por tani koha është ndalur. Angështimi nuk më ndahet dhe ndihem i braktisur në shkretinë e pafundme brenda katër mureve.

I mbytur në dhimbje, mes mendimeve rrënoja, më vijnë së largu ca vargje të Vajehos:

Aq rëndë të goditka kjo jetë,

thua se të urryeka Zoti vetë.

* * *

Pasditja shkon e gremiset, pa e kuptuar fare, dhe unë ndihem i rrethuar prej errësirës që ma rëndon edhe më shumë pasigurinë, dëshpërimin, mosbesimin te një Zot që sjellka aq shumë dhimbje. Tonet e mbrëmjes më pushtojnë me ca pamje të çuditshme që më përpara nuk i kisha vënë re. Tani edhe këngët e zogjve janë ndryshe, ose s’janë fare. Një dritë e mugët derdhet gjithandej, thua po krijon një realitet të ri, të shpërfytyruar prej dhimbjes.

Një shi i butë vjeshtor rizon mbi kopsht, po ashtu mbi zogjtë dhe pemët që… po kush mund ta dijë?… mbase edhe ata meditojnë njësoj si ne.

Kushedi sa çifte, në rrugët e këtij Buenos Airesi, plot labirinte, kruspullosen për t’u mbrojtur nga të ftohtit, me ato gjestet e një dashurie të pashprehshme e të pamundur.

Nga dritarja e studios sime shikoj kopshtin. Jaseminët, trëndafili kinez, manjolat dhe plot lule e bimë të tjera kujtojnë Horhiton. Dhe atëherë bukuria kthehet e më zymton përsëri. Dhe shikoj drejt asgjësë. Vëzhgoj gjëra kot: një gomë për të fshirë, një stilolaps, një kalendar, orën time. O Zot, ç’është kështu?

Në shqip: Bajram Karabolli

*Shënim: Horhe Federiko (Jorge Federico Sabato 1938 – 1995) – djali i madh i shkrimtarit. Intelektual dhe ministër i Arsimit e i Drejtësisë (1983 – 1989) në Argjentinë. Vdiq në një aksident automobilistik. Ernesto Sabato e përjetoi rëndë humbjen e të birit.

ObserverKult


Lexo edhe:

DINJITETI? AH, I SHKRETI, TRAJTOHET SHPESH SI PARE XHEPI!