Ernesto Sabato: Një letërsi tragjike

Nga Ernesto Sabato

Nëse është sofizëm të flasësh për dehumanizimin e artit bashkëkohor në bllok, do të lypsej rishikimi i kuptimit të të gjitha fjalëve, zgjerimi i atij gjykimi në letërsinë e sotme.

Është kjo një letërsi e vërtetë, e vështirë dhe tragjike, me një fortësi që nuk e njihte shekulli  XIX, me përjashtim të atyre shkrimtarëve që e ndjenë shembjen.

Larg nga rënia, romani dhe drama kanë thelluar enigmat e mëdha etike dhe fetare: nga Dostojevski deri te Graham Grini (Graham Greene), duke kaluar nga Kafka, letërsia e madhe e kohës sonë është jashtëzakonisht metafizike dhe problemet e saj janë probleme thelbësore të njeriut dhe fatit të tij.

Është kjo letërsi asketike dhe dashuria shfaqet në të si spektri i përsëritur i vetmisë dhe i vdekjes. Asnjëherë si sot, dashuria trupore nuk është përshkruar me kaq vrazhdësi. E megjithatë fiton një kuptim metafizik, sepse nëpërmjet saj, në ekstazat e saj intensive, por të shkurtra, njeriu përballet me problemin tragjik të komunikimit dhe kuptimit të jetës.

Hëlderlini (Friedrich Hölderlin )thoshte se nëse nuk  merremi me pafundësinë, nuk ia vlen të merremi me asgjënë. Problemi është të jesh, apo të mos jesh.

Problemi është përkohshmëria e çdo gjëje tokësore: lumturia e brishtë e dashurisë, iluzionet e adoleshencës, momentet e komunikmit me të ngjashmin. Çdo gjë marshon , pashmangshmërisht dhe ankthshmërisht, drejt vdekjes.

Pothuajse mbi krejt letërsinë e madhe të sotme rëndon problemi i vdekjes, problem që përkeqësohet kur afati është i njohur. Që nga Idioti deri tek I huaji. Vdekja është me afat të caktuar, vdekja e njohur dhe e pritur minutë pas minute ngre në mënyrë të pakundërshtueshme enigmat që vdekja natyrore i lë si të harruara: në jetën e përditshme ne vazhdojmë sikur të ishim të përjetshëm; punojmë, luftojmë për të ardhmen, vuajmë nga asgjëja, thuajse do të jetojmë përjetësisht.
Shkrimtari i shekullit XIX jetonte ende në euforinë e një qytetërimi arrogant. Triumfet sekulare të njeriut, siguria në të ardhmen e nxitën atë drejt një letërsie optimiste dhe të lehtë dhe, në raste të tjera, në estetizmin e saj preciz.

Por shembja e të gjitha miteve borgjeze na ballafaqoi me një realitet dramatik që kërkoi nga shkrimtari një qëndrim më pak moskokçarës dhe mondan, një vullnet për purifikim metafizik, më shumë sesa për bukuri të thjeshtë.

Perënditë tona nuk janë më perënditë e ndritshme të Olimpit që ndriçuan artistin perëndimor që nga Rilindja: janë perënditë e errta dhe mizore që kryesojnë shembjen e një qytetërimi.

Theksi, që në letërsinë novecetiste, ishte I ngarkuar me estetikën ose kostumbristen, apo socialen, tani ngarkohet me metafiziken dhe etiken. Ky revolucion në përmbajtje është realizuar me një transformim të detyrueshëm të formës dhe kjo është arsyeja pse të gjitha përpjekjet për ta gjykuar artin e ri dhe letërsinë e re nga pikëpamja e formës së pastër, dështojnë. Neveria e sotme për diskursin solemn, në fakt, është më shumë etike sesa estetike më shumë i bindet çështjes  së përmbajtjes sesa asaj të formës: ajo është pjesë e vokacionit të autenticitetit që posedon artisti bashkëkohor, ndonjëherë frenetikisht, në vullnetin e tij për të refuzuar çdo gjë që tingëllon false, konvencionale, thjesht “letrare”.
Kurrë më shumë se sot fjala “letërsi” nuk ka ngjallur kaq shumë mosbesim mes vetë shkrimtarëve.

Ajo ikën nga stilizimet dhe retorika, që karakterizojnë epokat e lehta dhe të kota; është më afër Shën Agustinit dhe Paskalit, sesa Oskar Uajlldit (Oscar Wilde) ose Gabriele D’Anuncios (Gabriele D’Annunzio). Ashtu si në të gjitha epokat e mëdha-dhe ky tregues i vetëm do të provonte se epoka jonë është literalisht e madhe-eksluzivisht flasin faktet: janë fakte ato që janë poetike apo tragjike, jo fjalët që, të përulura dhe transparente, nuk futen mes lexuesit dhe gjërave që thuhen. Forca e shkrimtarëve më të mirë bashkëkohorë theksohet nga ai neutralitet i gjuhës që përdorin: tmerri i tragjedisë ka arritur në maksimum duke u shprehur me saktësi të thjeshtë.

Letërsia e sotme nuk e propozon bukurinë si qëllim-nëse pavarësisht kësaj e arrin, kjo është diçka tjetër. Është më shumë një përpjekje për të thelluar kuptimin e ekzistencës, një përpjekje e egër për të arritur deri në fund të problemit.

Kjo dëshirë për autencitet që te disa njerëz si Arto (Antonin Artaud) shkoi deri në egërsi dhe çmenduri, është ajo që hodhi poshtë sentimentalizmin konvencional dhe të rremë  që pati pllakosur letërsinë para Dostojevskit , atë letërsi ku njerëzit ishin të mirë apo të këqinj, heronj apo frikacakët, fisnikë apo batakçinj. Që prej Dostojevskit ne po mësoheshim me kontradiktën  dhe me pisllëkun që e karakterizojnë gjendjen njerëzore: tashmë e dimë se pas paraqitjeve më fisnike, mund të fshihen pasionet më të neveritshme, se heroi dhe frikacaku janë shpesh i njëjti person, ashtu si edhe shenjtori dhe mëkatari. Për herë të parë, fëmijët mund të kenë instikte të këqija dhe ndjenja tortoruese. Sa larg është Dimitri Karamazovi nga batakçiu, apo nga heroi i një filmi të Perëndimit të Egër! Dhe sa larg, gjithashtu, nga Mësjë Test, ajo lloj specieje e automatit kartezian!

Dhe çdo fjalë është e mbështetur nga shkrimtari-njeri , asgjë nuk thuhet kot, thjesht për lojë, për aftësi të pastra gjuhësore. Dhe kur ndodh, ashtu si shumë herë te Xhojsi, bëhet fjalë për një defekt dhe jo për një virtyt.

Pak herë në histori na është dhënë ai lloj i shkrimtarit që, si Laurenci (T.E. Lawrence), Malroja (André  Malraux), apo Sent-Ekzyperi (Saint Exupery), formon një qenie të vetme dhe të pandashme me njeriun prej mishi dhe kockash që e përkrah. Asnjëherë si sot nuk ka pasur kaq shumë përbuzje për fjalët e thjeshta.


Shën Agustini në Rrëfimet e tij thotë:”…sepse atëherë m’u duk se nuk e meritonte ta krahasoje Shkrimin me dinjitetin dhe përsosmërinë e shkrimeve të Ciceronit. Sepse fryrja dhe kotësia ime refuzuan t’i përshtateshin thjeshtësisë së atij stili…”.

Për diçka na duket kaq modern Shën Agustini.
Letërsia ka pushuar së takuari Arteve të Bukura, në mënyrë që të hyjë në metafizikë.

(Shkëputur nga libri “Njerëzit dhe ingranazhet” të autorit Ernesto Sabato, botuar nga “OM”. 2017)

Përktheu: Orjela Stafasani

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

daniela xhani

DANIELA XHANI: PAS TË BËRIT DASHURI, NJË GRUA…

Ju ftojmë të lexoni poezinë “Re të purpurta” nga Daniela Xhani!

Pas të bërit dashuri, një grua,
vështrohet në pasqyrën e mbuluar
që ruan imazhin e saj. Re të purpurta
prapë. Më shumë se dy duar.
Teshat e hedhura. Lëvizjet. Orën –
pjesë e humbjes siç dikush që,
kur u kthye nga lufta, nisi të qeshte
si i marrë; mungonte njëra dorë,
ajo që nuk ngjan me tjetrën –
që zhduk rrezikun, natë pas nate,

duke thërritur emra të ndryshëm
sikur të ishin i njëjti. Së paku
kujton se, të biesh në dashuri,
është më e lehtë se përqafimi
dhe më e vështirë se vetëvrasja
pas të bërit dashuri.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


Imer Topanica

IMER TOPANICA: KANGË DASHNORËSH

Ju ftojmë të lexoni poezinë “Kangë dashnorësh” të poetit Imer Topanica!

Unë e ti jemi dy trupa që të njajtën valle e vallëzojnë
Unë e ti jemi dy gojë që të njajtën kangë e këndojnë

Ngjallim lule, vdesim duhi,
jemi nji
Ti je unë o shpirt, e unë jam ti

Unë e ti jemi dyzim i nji Dashnie
Për etjen e madhe të jetës unë të bahem krue
e për zheg, ti më bahesh hije
Jemi ba bashkë të dy, kemi fluturue mbi andrra të dy
Unë e ti jemi nji

ObserverKult