Octavio Paz: Poezia, shoqëria, shteti

Nuk ka gjë më të dëmshme dhe më barbare se sa t’i japësh Shtetit të drejtën dhe fuqinë mbi sferën e krijimtarisë artistike. Pushteti politik është shterp, sepse esenca e tij qëndron te nënshtrimi i njerëzve, paçka se pas cilës ideologji fshihet. Edhe pse kurrë nuk ka pasur liri absolute të të shprehurit – Liria gjithnjë përcaktohet nga disa pengesa dhe nga disa kufij: jemi të lirë përballë kësaj apo asaj -, nuk është e vështirë të tregohet se atje ku pushteti sundon çdo veprimtari njerëzore, arti meket apo shndërrohet në një krijimtari servile dhe mekanike. Një art i lirë është diçka e gjallë, një shpikje e vazhdueshme brenda njëfarë drejtimi. Asnjëherë i imponuar nga jashtë, por i lindur nga prirjet e thella të shoqërisë, ky drejtim, deri në një farë pike, është i paparashikueshëm, ashtu siç është edhe rritja e degëve të pemës. Përkundrazi, arti zyrtar është mohim i natyrshmërisë krijuese: perandoritë e mëdha përpiqen ta njëtrajtësojnë fytyrën e ndryshueshme të njeriut dhe ta kthejnë në një maskë të përsëritur pafundësisht. Pushteti e ngurtëson, e gdhend në një fytyrë të vetme – madhështore, të tmerrshme apo teatrale, por si përfundim thjesht monotone – larminë e jetës. “Shteti jam unë” është një formulë që shpreh tjetërsimin e fytyrave njerëzore, të gdhendura me tipare të gurta të një uni abstrakt që përshtatet deri në fund me modelin e një shoqërie të kërkuar. Arti që ecën dhe end kombinime të reja sipas mënyrës së një melodie të diktuar, duke përdorur të njëjtat elemente, degradohet në një përsëritje të mërzitshme. Nuk ka asgjë më urgjente se sa të hedhësh dritë mbi pështjellimin e bërë midis të ashtuquajturit “art i përbashkët” apo “art kolektiv” dhe artit zyrtar. Njëri është arti që frymëzohet nga bindjet dhe idealet; tjetri, arti që i nënshtrohet rregullave të një pushteti tiranik. Idetë dhe prirjet e ndryshme shpirtërore – kulti i polisit, krishterimit, budizmit, Islamit, etj. – janë mishëruar te Shtetet dhe Perandoritë e fuqishme. Por, do të ishte një gabim ta shihje artin gotik apo romanik si krijim të Papatit, ose skulpturat e qytetit Mathura në Indi si shprehje të perandorisë së themeluar nga Kanishka. Pushteti politik mund të kanalizojë, të përdorë dhe – në disa raste – të nxitë një rrymë artistike. Por kurrë nuk mund ta krijojë atë. Për më tepër: në përgjithësi influenca e tij, me kalimin e kohës, rezulton sterilizuese. Arti gjithmonë ushqehet nga gjuha shoqërore. Kjo gjuhë, po ashtu dhe mbi të gjitha, është një vizion për botën. Ashtu si artet, Shtetet jetojnë falë kësaj gjuhe dhe i futin sa më thellë rrënjët e tyre në atë vizion për botën. Nuk e krijoi Papati krishterimin, përkundrazi ishte krishterimi që krijoi Papatin; Shteti liberal është krijesë e borgjezisë dhe jo e kundërta. Shembujt janë të shumtë. Dhe kur një sundimtar i imponon një populli vizionin e tij për botën – p.sh: Islami në Spanjë -, Shteti i huaj dhe gjithë kultura e tij qëndrojnë si mbivendosje të huaja përderisa ai popull nuk e përvetëson atë koncept fetar e as atë politik. Kjo do të thotë: derisa vizioni i ri për botën nuk kthehet në besim dhe gjuhë të përbashkët, nuk lind një art apo një poezi me të cilat të karakterizohet shoqëria. Kështu që Shteti mund të imponojë një vizion për botën, mund të ndalojë lulëzimin e vizioneve të tjera dhe të shfarosë ato që i bëjnë hije, por ai kurrë nuk arrin të krijojë një tjetër. Pikërisht kështu ndodh edhe me artin: Shteti nuk e krijon dot atë, me vështirësi mund ta shtyjë përpara pa e korruptuar dhe, në të shumtën e rasteve , sapo nis ta përdorë e deformon, e mbyt apo e kthen në një maskë.

(Fragment nga eseja)

Në shqip nga origjinali: Bajram Karabolli