Ervin Hatibi: Poemth për Don Kishotin

Poezi nga Ervin Hatibi

Unë Kishotin që i vogël e njihja,
Nga filmat e njohja Kishotin e Mançës
Ah, unë, sa e doja, unë fëmija
Atë dhe Sançon e Pançës.

Unë nuk e dija mirë seç ishte
Ai burrë i fandaksur me mjekër e ushtë,
Por di se mendjen për aventura e kishte,
Mendjen të mjegullt e zemrën të prushtë.

E doja se ai veç luftën donte,
Luftën e nderin e rregullin kalorësiak,
Ah, plaku i mjerë të pambrojturit mbronte
Dhe qaja kur e qeshnin tek shtrohej ne dajak.

Ah, sa mërzitesha ndërsa të tjerët qeshnin,
Tek e shihja në krahë mulliri, nën tallje,
Donte atë që njerëzit s’e deshnin,
Kohën e vdekur e të nxjerrë në shpallje.

Dhe merrja dërrasat e shpejt gatitja
Mburojë e ushtë si Don Kishot
Dhe nisja gjithçka e përsërisja,
Princeshave të rrëmbyera u dilja zot.

Në ndryshim nga idhulli im mendjeçalë
Sanço nuk kisha, nuk gjeja dot,
As Sanço e as Rosinant brinjëdalë
Por drurin e haja si Don Kishot.

Sa për Dylqinjë, as bëhet fjalë,
Me mua qeshnin dhe me kaq sa kisha,
Por isha i vogël, o miq, i mitur-djalë
Mendjeshkurtër si mançaraku s’isha.

Hajde-hajde dhe ja, u rrita,
Don Kishot s’u bëra dot
Portën e hapa muzgjesh e prita
Dhe prita më kot një Don Kishot.

Kish Don Kishotë, megjithëse pak,
Por rrotën e kohës s’e kthyen dot,
Kish nga ata që derdhnin dhe gjak
Dhe ishin të mençur, dhe ishin gjakftohtë.

Nga moti në mot unë u rrita,
U rrita unë nga moti ne mot
Dhe e kuptova, kish ardhur dita,
S’të imitova më, Don Kishot.

E theva me zhurmë shpatën e drunjtë,
E hodha në zjarrin e kazanit të rakisë
E kuptova pse digjte rakia e shkumtë,
Kish zier me ëndrrën e fëmijërisë.

ObserverKult

Lexo edhe:

ERVIN HATIBI: KUSHTUAR KALAMAJVE QË E GDHIJNË NË KËMBËT E “PESËMBËDHJETËKATËSHIT”