Nga Ervin Hatibi
Iku dhe kjo natë, të tha, po unë aty paskam mbetur, i the, në pyllin e gjoksit tënd, ende natë. Kaq më tregove nga nata që shkoi dhe u gajase, ndërrove temë (nata po binte si koincidencë ) (natë si netët me njerkë kur s’mundje dot të zgjidhje mes shtëpish të qytetit, e gdhije jashtë –fëmijë nëpër natë, ashtu të pashë, sulmoje makinat se shkelnin një mace, anës Lanës, pa zë shkelmonte natë, macja, rrethuar ndër rropulli-unë ngriva, vrap ti shkove në gjunjë iu bëre kupolë përmbi e drita makinash të përgjaknin përqark. Sytë t’i pashë anash e dhëmbët si qeshnin me tërbim, kafshës nuk i dhe dot shpirt).
Herë tjetër, te Liqeni mbërrinim gjithë bashkë. Ju i keni metafora këto, the (e, në fakt, përdore një fjalë më të ashpër), por unë, the, po desha, fluturoj vërtet. Askush nga ne të tjerët s’u ndie. T’kisha qenë si ti poet s’do dyshoja, me drojë, në po sfidoje me tjetër hedhje nga dritaret, shok.
(Veç policia mundi ta provojë metaforën, ose jo, kur të gjetën Te Kataraktet.)
Dhe ishe ende gjallë kur bregut t’Erzenit gjeta, a më gjeti, një kotele gri (vetëm se s’kishte syze –krejt ti) dhe qeshën kur i vura mbiemrin tënd si emër dhe u zhduk sa e solla në Tiranë dhe për këto ka dëshmitarë, rima besëtyte, të bindem në jetoi vërtet çka po shkruaj.
Si më the kur u pamë herën e fundit?
Tani jetoj te një veterane, ish-partizane, gjithë natën ndajmë të njëjtën dritare , largoje bërrylin, nëno, i them, ajo qesh, dhe në mëngjes mbushje çantën me buzëkuq e rimel, t’mësyje gjithë ditën floktore, ambulanca, radhë të gjata në ambasada, t’i shndërroje në cirk, arlekin, me grim te çanta, mësyje gratë e varfra, a pamundur mos të të blesh sa hapje gojë, me lekët e pakta, ktheje te partizania plakë, skuqnit yje mbi qytet gjer të shuhej nata.
Përgatiti: ObserverKult
*Titulli i origjinalit: Vdekja e metaforës
———————————-—–
LEXO EDHE POEZINË: ERVIN HATIBI: MESNATË NË BREGDET
Ose: