Nga Ervin Nezha
(Në përkujtim të Genc Lekës dhe Villson Blloshmit)
Imagjinoni një makinë të vjetër e cila ngjitet në një kodër të veshur nga shkurret një natë korriku. Një hënë e madhe, e kuqe, e ndjek nga pas.
Nga zhurma duket se është një motor benzine, ndoshta një gaz kinez me karroceri të mbuluar. Dritat e saj nuk rrahin shumë larg, ato janë të zbehta. Ca më tepër i zbeh dhe hëna. Jasht është vapë, shumë vapë, por ata që janë brenda nuk e ndiejnë këtë.
Shoferi është i përqendruar te rruga, ndërsa në dy vendet e para janë ulur dy njerëz me fytyra të lodhura. Njëri është me flokë të rrallë të bardhë. Tjetri e ka hundën si sqep. Çuditërisht ngjan me një korb, që qëndron i mbledhur kruspull sepse ka veshur rroba të zeza.
Në karrocerinë e mbuluar janë dy çifte ushtarësh me nga një të burgosur në mes. Të dy të burgosurit janë të rinj. Ushtarët janë më të rinj se të burgosurit. As ata nuk flasin.
E dinë se çfarë do të ndodhi pastaj. Edhe të dënuarit e dinë, por kanë ende një shpresë se ajo që mendojnë, nuk do të ndodhë.
Në pjesën e rrugës që ka mbetur, të gjitha mendimet e tyre rrahin në këtë pikë.
Shoferi: – Është mirë që ata mos të më shohin, është mirë që fytyrën time mos ta mbajnë mend edhe të vdekur. Fundja unë s’kam asnjë faj pse ata përfunduan kështu, ndaj s’ka përse ta urrejnë fytyrën time!
Burri me flokë të rralluar: – Janë shumë të rinj. Njëri m’u duk se ishte përlotur. Kurse tjetri hiqej krenar, por dukej qartë se qe i trembur. Unë do të qëndroj larg, fundja s’kam pse përzihem, do të afrohem vetëm kur të bien krismat. Do t’u mat pulsin dhe do t’u mbyll sytë! Po sikur njërin ta gjej të gjallë dhe të më pështyjë në surrat?! Të më thotë: “Kujtove se unë jam i vdekshëm, o kaqol! O hajvan i pandreqshëm!” Jo, jo …edhe sikur të kenë shenja jete, patjetër do të jenë në kllapie. Mirë do të qe sikur t’i gjeja fare të vdekur.
Burri si korb: – Nga larg dëgjoj një angullimë qeni. Jo, nuk është angullimë. Këtë e dëgjova edhe kur i nxorëm nga biruca. Nuk ka mundësi që një qen të angullijë aq fort, sa të dëgjohet gjer këtu. Vetëm nëse angullijnë të gjithë qentë njëhësh. O perëndi, ç’natë e llahtarshme? Përmenda perëndinë?! Çudi!
Komandanti ynë nuk e beson Zotin! As ne. Po kush jemi ne?! Hije apo njerëz?!
Ç’komedi, ç’tragjedi! Po a mund të udhëtosh pa Zotin këtë natë ?
Oh, ç’mënxyrë! Jam i detyruar t’u kërkoj fjalën e fundit, pastaj punën do ta zgjidhë komandanti i togës. Po unë që duhet të firmos procesverbalin?! O Zot, ç’torturë?! Jo, nuk është torturë! Derisa m’u besua një detyrë kaq e rëndësishme, kjo tregon se shteti beson tek unë. Por edhe unë kam bërë ca gabime. Thua t’i dijë partia të gjitha gabimet e mia ?! Por unë ia kam fshehur me kujdes. Me siguri nuk i di! Në të kundërt, nuk do isha këtu sonte i ngarkuar me këtë detyrë të rëndësishme! Më mirë t’i dinte dhe të mos isha këtu!
Ushtari 1 :- Çfarë kanë bërë, që Partia i dënoi kaq kështu?
Me siguri diçka të keqe!
Ushtari 2 :- Unë nuk qëlloj mbi ta! S’kam pse e bëj këtë. Mirë kjo, po sikur të gjithë shokët të vendosin si unë, të mos qëllojnë, dhe ata të mbeten në këmbë?! Kështu turpërohemi të gjithë. Turpërohet edhe ushtria jonë e lavdishme. Po pse po ndiej sikur më zuri frika….S’ka pse më zë frika! Po kjo natë sesi qenka! Nuk duhet ta jap veten.
Ushtari 3: – Unë kurrë s’kam qëlluar mbi një njeri. Po sikur të më zërë gjaku? Po, po, edhe mundet! Sikur të më bjerë të fikët? Frap….
Po atëherë? Ç’do të thotë shoku prokuror? Ku e gjetët këtë frikacak? Jo, jo, unë do të qëlloj mirë! S’ka pse të më dridhet dora! Po sikur të mos isha sonte këtu? Lëre tani! Ja që qëllova! Fundja, po vrasim dy armiq të betuar që na kanë pirë gjakun! Ç’gjak? Fundja mua s’më kanë bërë asgjë! Si, si s’të paskan bërë gjë? Po i kanë bërë Partisë! Nuk është e jotja Partia?
I burgosuri 1: – Kjo punë mori fund. Ç’ironi? Para ca ditësh shkrova një poezi. Ç’poezi se! Të zezë si nata! Sikur e ndieva se qe e fundit. Edhe një varg i saj më duket sikur e thotë këtë. Po, po, “Mos vallë për mua po mban zi?” I drejtohet hënës më duket! Pa shih, vërtet, edhe sonte kishte dalë një hënë e madhe, por e trishtë, e përgjakur. Si u rrokullisën gjerat kështu? Eee… si? Ndiej tëmthat e mpirë, ndoshta… ndoshta e kam nga frika! Por duhet të përballem me të.
Ushtari 3: – Kë të qëlloj, të parin apo të dytin? Do të qëlloj këtë që kam në krah, sepse çuditërisht më duket sikur më poshtëron edhe kështu siç është i lidhur! Kulagu i poshtër!
Ushtari 4: – Ndiej se gjunjët më janë prerë. Por këtë nuk e kam nga frika. Jo, jo, ç’frikë, por po mendoj se si do të ndodhë. Do t’u lidhin sytë, do t’u kërkojnë fjalën e fundit dhe ja! Po sikur ndonjëri prej tyre të qajë me ngashërim ? Edhe bën vaki, por mua s’ka përse të më dridhet dora. Megjithatë, mirë do të qe të mos tregohem shumë i zellshëm.
I burgosuri 2: – Aaa sa keq përfunduam, sa keq! S’ma mori mendja kurrë se do të ndodhte kështu! Ndoshta u thyem në gjyq dhe pranuam më tepër akuza se ç’duhet?! Po ç’them dhe unë, ata e patën vendosur. Më vjen inat, dreqi ta marrë! Më është mbledhur në grykë një lëmsh i madh urretjeje. Do të më ngushëllonte vetëm diçka, pa në djall jeta, sikur sapo të frenojë makina, të thotë dikush “Shoku udhëheqës ka vdekur” dhe t’i shihja njëherë të qanin si çupërlina, prokurorin sidomos. Haha çfarë mendoj kështu! Shiko, çadra e kamionit paska një grisë. Hëna qenka e madhe dhe e bukur, por gjersa të mbërrijmë atje, rrezikon të fshihet mbas asaj resë së zezë. Më mirë të fshihet, s’ka pse të shikojë diçka kaq të keqe! As unë nuk dua ta shoh duke u shembur.
Ndërkohë makina frenon. Ata që janë brenda zbresin me rregull. Hapat largohen. Aty qëndron vetëm shoferi. Ky ndez një cigare dhe pret. Dikush bërtet për t’i dhënë zemër vetes. Dëgjohet një urdhër. Pastaj drita, krisma automatiku, një rënkim dhe zëra. Në fund dy të shtëna revolveri. “Mbaroi! Kaq ishte, ndoshta u shqetësova kot, qe më e lehtë se ç’e mendova,” tha shoferi që kërkonte në errësirë çakmakun për të ndezur një cigare tjetër. Errësirë! Hëna qe fshehur pas resë së zesë, ndërsa angullima e qenit pati pushuar.
ObserverKult
Lexo edhe: