Është një pjesë e zemrës që na mbyt e na varros

s'mund ta bindesh

Nga: Anhel Garsia Lopes

Gjithçka tani është e bukur. Ka paqe
shpirti këtë natë. Të panjohur të kisha,
tani pjesë time të kam. Kthehesh
sikur asgjë e askush s’mund të na ndajë.
Vjen prapë. Të njoh përsëri dhe me këngë
mbushem. Sytë, po t’i hap,
zënë lulen e dritës, pikat jetëshkurtra
të dritës. Ajri ajrin djeg.
Flakadan i madh. Hije.

Jo. Asnjëra
s’mund të krahasohet me ty. Ledhatim
i përsëritur. Dafinë
e dy tëmthave. Varg pas vargu
gjithçka jap për ty. Fletë e bardhë
ku flijimin e vet bën poeti.

Toka është një pjesëz e vogël
e zemrës. Do të doja të të bekoj
sot që urrejtja ndërron fytyrë. Hare
mijërangjyrëshe.

Megjithatë flas. Shkruaj,
pa dashur,
atë që heshtja më thotë. Eja.
Që të kuptohemi, duhet t’i themi njëri-tjetrit
diçka.
Eja. Unë jam.
Mos më harro. Ekzistoj. Kohë magjie.
Diej të zjarrtë. Ngazëllim i tingullt.
Zëra të thellë. Zëra.

S’ka mundësi
të jetë jehona, jo
s’ka mundësi. Mali u zhvendos
-ah, besim që shkëmbin e shtyn
kundër zogut në qiell!-dhe vende të virgjra
shkeli. Vende
ku dashuria jote më s’është. E vërteta
që duhet të më shpëtojë. Ajo
dhe asgjë tjetër. Jo ujë i turbullt.
E vërteta. Rrëketë.
Dëgjoj
këngë engjëjsh që me tunikën e tyre
më të pastrën kallëz çikin. Ah, po,
toka
është një pjesë e zemrës
që na mbyt e na varros.
Me të lindur dita,
vdes.
Ku ta gjej, o gjurmë,
rrezen e dritës? Hije të tmerrshme
vijnë. Mbajmë vesh, të kulluar mrekullinë
e lindjes. Mbajmë vesh. Rrahjen e flatrave
dëgjojmë.

Shpëtomë. Ti mund
të më shpëtosh.
Shpëtomë. Zbukuro
aromën e humbur-vezullim
vërtetësie.
Kemi për të shpëtuar
duke ardhur te ti. Trumbetat do të bien.
Muret do të rrëzohen. Palma të kaltra
që këndojnë. Ujëra të llagarta.

Do të doja të të bekoj. Të të flakëroj
drejt prehrit amësor. Drejt pafajësisë
së krijimit. Të marr përpjetë përrenjtë.
Pemën e etjes. T’i thyej zinxhirët armiq.
Të jem yti. Të të përkas
si një himn në gjak, si një lumë
që derdhet në det
për të lindur aty.

Pëktheu: Aurel Plasari

*Titulli i origjinalit: “Himn për të filluar pranverën”