Nga Esmeralda Shpata
Dëgjomë!
Ti e di, po s’më lëndove unë nuk mund të të dua. Në qoftë se unë nuk e ndiej gjëmën, si mund të të dua?! E mban mend kur më braktise, kur më le mes katër rrugëve për një nga ato të lëvizurat e vogla?!
Sa shumë të desha atëherë, i përmbysi dashuria të gjitha rastet e tjera. Sa nuk u çmenda nga dhimbja. Ti e di, mezi mbijetova nga vdekja. Kur e mora veten nga sëmundja dhe u bëra më mirë, shkova dhe mblodha të gjitha lulekuqet që kisha parë. Bleva ftesa dhe të përgatita funeralin. Ti erdhe i lemeritur nga çmenduria ime, më gjuajte mes gjindjes me këpucë.
E mban mend si ikën të gjithë të tmerruar?!
Kur salloni u zbraz u pamë në sy dhe ia dhamë së qeshurës me të madhe. Më pas u përvodhëm në heshtje në cepin më të errët të shtëpisë dhe u puthëm. Ti vure muzikë dhe kërcyem tërë natën. Si iku koha! Në ag, sapo zbardhi dita, më përplase me dhunë në tokë sepse u kujtove ç’të kishte sjellë mbrëmë pranë meje.
Mund të martohemi, por do të ishte torturë të më sillje kafen, të paguaje faturat, të më prisje thonjtë e dorës së djathtë çdo të diel pasdite. Sa herë ma thua që përgjegjësia ta shpif, ta bën shtrydhjen. Asnjë s’mund t’i shohë plagosjet dhe therjet tona të brendshme, ato të thellat. Askush! Me ngazëllim hamendësojmë rastet ngjyrë qelibari.
Shiko ç’sajova!
Të të hedh helm e të ta heq në çastin e fundit nga ushqimi. S’mund ta bëj se ma shpifin të vjellat. Po sikur një herë të vetme mos të ta heq helmin, gjoja e harrova pa dashje?!
Jo i dashur, nuk mundem të bëj sehir e të gjej mënyra për ta vrarë dashurinë tonë.
Kur të shihemi të dy te portat hijerënda të së ardhmes, do të gajasemi me retë që na kanë mbyllur. Ato janë të bardha, por të shqetësuara e të sëmura, na shkruajnë një vragë të brendshme, të kuqe.
Qeshim për ta fshehur tronditjen, marrim rrugën dhe martohemi pa ceremoni në kishën tonë.
*Titulli i origjinalit: “Me titullin, martohemi”
ObserverKult
Lexo edhe: