Esmeralda Shpata: Ajo nuk është më…

Esmeralda Shpata huaj


Nga: Esmeralda Shpata

Ma ha mendja se ajo nuk është më. Ajo kur ishte sajohej me veten, dukej sikur priste veshët dhe i mblidhte në një shamizë të bardhë për t’i ruajtur dhimbjet të paprishura, por tani nuk është më, nuk i duhet përkujdesja.

Pas disa orvatjesh të mjera për t’i mbuluar plagët e freskëta me flokët e zinj, aty ku kishin qenë dy zambakë të vegjël të mishtë, vizatonte me gisht grafikë dhe figura të përçudnuara mbi fytyrën e saj.

Dhimbja e thellë fshihej pas vizatimeve. Ajo ka kohë që s’është më. Sytë i kishte ngrirë mbi pirgjet e reve, priste të depërtonte një rreze, ta vjedhte një çast dritën. Ta gëlltiste si pikëz uji për të njomur grykën, për të çuar mes gjoksit një bulëz jete, por jo. Ajo nuk është më. Tëmthat i rrihnin për këtë arsye a plot arsye të tjera, figura të vogla të kuqe merrnin një kthesë të mprehtë dhe nga sytë i buiste gjaku.

Ajo vuante, në tru kërkonte të shkuarën që s’e ndreq dot më, gjithë këto vite ka bërë më kot punën e bretkut të çalë. Ka jetuar në një epruvetë, ka marrë dyzet herë frymë në minutë. Me lëvizjet kryeneçe ka çuditur të gjitha kaviet e tjera në kavanozë. Numri i gjallesave të varura nga lavdërimet ka shkuar në 99%, por ajo nuk ndryshon dot gjë sepse nuk është më. As sot, as nesër nuk do të jetë më.

Ngjarja do të vijë me doreza të holla, të pastra dhe të kuruara për merak. Atë do ta mbyllë në një arkë me markë lindore, do t’ia heqë fytyrën nga qarkullimi dhe do të shtrihet. Ngjarja do ta vëjë kokën mbi gjoks dhe do ta pijë qumështin e taksur nga natyra për të vegjëlit.

Ndjeshmëria e skajeve ka gjini. Ajo nuk është më, sytë i kanë mbetur si një disk regjistrues për të shënuar në një bllok të rëndësisë së veçantë, njerëzoren që s’është më. Ajo u vra, vdiq dhe nuk do të jetë më.

ObserverKult


Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: SI NUK E DESHA ATËHERË… AJO KA IKUR…