“Me qenë vetëm”, nga Esmeralda Shpata
Po ngjitet shkallëve. Kishte dalë nga puna si zakonisht. I ishte dorëzuar monotonisë dhe deri në çastin që po shkonte për tek apartamenti i vet, as nuk e kishte vënë re ç’kishte bërë e kë kishte takuar përgjatë atyre 1000 metrave e gjysmë ore rruge.
Në duar kishte zarfin që kishte marrë në postë, dy qeska me fruta e perime, kos e qumësht që i bleu te shitorja e lagjes, një pako me letra A4, çantën e punës dhe xhupin e lehtë. Dhe këto ngarkesa nuk i ndjeu, as kur i bleu, as kur i mbajti. I lëshoi para portës së tij. Shikoi majtas-djathtas si i ngarkuar me një mision të fshehtë dhe u shtri sa gjatë e gjerë mbi rrugicën e vogël që shërbente për të fshirë këpucët. Vuri veshin në hapësirën e padukshme midis pragut dhe derës dhe filloi të përgjonte. Nuk ka fjalë.
Ajri i ngrohtë dhe i ndenjur që vinte nga brenda po i mbushte flegrat e hundës. Ndiente ca pëshpërima të largëta dhe e rriste edhe më tepër përqëndrimin e veshëve mbi çimenton e zezë.
Parë nga lart gjithçka qe komike.
Nga kati i mësipërm po kalonin këmbë njerëzish, të cilat i dhanë një të shtyrë në ije për të hapur rrugën e të zbrisnin shkallët. Ia dhanë të qeshurit me të madhe dhe thanë: “Zot na ruaj mendjen!”.
As e prishi terezinë fare, madje as e çoi mendjen që ua pa të mbathurat në rrëzë të këmbëve të mbuluara deri në nyjë me fustane shumëngjyrëshe. Dramatike.
Si ndejti gati 10 minuta ashtu shtrirë para derës së tij, u ngrit, shkundi pluhurin nga rrobat, futi duart në xhep, nxori çelësin dhe hapi derën.
Mori gjërat që kishte lëshuar në tokë dhe e mbylli derën nga brenda.
I hodhi një vështrim sallonit. Mendimet e tij ishin rehatuar dhe ishin ulur të shtendosura nëpër karrike. Ndjesitë ishin tulatur dhe prisnin të qeta mbi tryezë. Një merimangë, e veshur për merak me saten e kamosh nga këmbët e nyjëtuara kujdesej që mos ta shqetësonte asnjë insekt. Drita e verdhë që kishte mbuluar dhomën shpesh dërgonte ca sinjale të mekura të bardha.
Eci në majë të gishtave pa ia prishur rehatin askujt. Hyri në banjë, hapi rubinetin dhe futi kokën në ujin e ngrohtë. E shkumëzoi kurrizin duke e fërkuar me një furçë me bishtë të gjatë. U kujtua që kishte pjesë të tjera për të larë, megjithëse s’po i digjte vendi i skuqur mbi shpinë. I filloi me radhë, nxitoi se uji po ftohej. Nuk ishte i çmendur.
Këto ndodhën sot, e vendosi qumështin dhe kosin në frigorifer. I lau me ujë të bollshëm perimet dhe frutat, bëri një sallatë të lehtë, pjesën tjetër e rregulloi në vasketa. Me merak dhe rregull i vendosi edhe ato në frigorifer. Kutinë e letrave e çoi te tryeza, do të shkruante, do t’i mbushte plot me përjetime. Hapi zarfin, mori në duar certifikatën e çregjistrimit nga kjo jetë. Mori kutinë e ndihmës së shpejt me shenjën e kryqit, nxori prej saj bisturinë dhe filloi t’i priste trupit gjithçka. Dhimbja nuk kishte të sosur, megjithëse asnjë bulë gjaku nuk dilte, gjithçka kishte ngrirë. Tani e kishte të qartë, kishte një jetë të tërë që kishte vdekur.
ObserverKult
Lexo edhe:
ESMERALDA SHPATA: MË KA IKUR NJË JETË E TËRË PA TY… POR TANI TË GJETA…