Kam gjithë jetën që dua të të takoj…

me puthje


Nga: Esmeralda Shpata

Para meje je ti. Kam gjithë jetën që dua të të takoj. Dua të takoj patjetër. Fytyra jote tani ka marrë një fizionomi të qartë, kjo u ndodh burrave, ata dallojnë pas kësaj moshe. Ka dhe një detaj tjetër, i cili të shpërfaq, vërshimi i dritës dhe ajrit të freskët.

Ty nuk të duhet çfarë mua më shkon, ndaj druhesh të më zgjasësh dorën. Më thua se unë jam një blasfemi. Arsyen nuk ma thua. Dua të jem e bukur dhe e ndjeshme për ty, në mënyrë që të kesh një arsye të fortë për të më parë.

Unë dua t’ua kaloj të gjithave. Edhe për këtë kam arsyet e mia.
Unë kam ndërtuar një skemë në mendje, ajo është me tre lëvizje, parë nga jashtë duket trekëndësh barabrinjës, kur ndodhesh brenda, (unë ndodhem brenda), këndet ngushtohen sa të marrin frymën. Unë prirem të kafshoj, i ngul dhëmbët këndit ku ndodhem dhe e brej aq sa të mundem të hap një shteg.

Në këtë mënyrë unë pa e kuptuar kam ngrënë brinjët e mia, kjo është një mënyrë jodjallëzore që të hapem me botën.
Moti jashtë është i shkëlqyer, por jo skema që unë kam ngritur. Ajo tani është një figurë e grisur, pa kulme.

Nuk kam ç’të them për jetën që bëj. Gjithmonë që kam menduar ta njoh më ka pushtuar frika dhe jam tulatur.

E pranoj që prita gjatë të të gjeja, kjo është sprova ime e të gjeturit. Më duhet ta pastroj shpirtin tim me gjuhë ashtu si gjirafa veshin.

Kush është i pavëmendshëm mendon se po përsiat për një temë të humbur dashurie.
E vërteta është se nuk kam ç’të them për këtë, nuk jam unë e detyruar ta kuptoj pozicionin ku ndodhem.

Mua më duhet të zhytem te skema që kam mbetur peng.
Me frikë të madhe dhe jo pa admirim, nuk mundem të rri pa thënë ca të vërteta tronditëse që sapo i zbulova, sigurinë e të qenit e vëmendshme dhe zemërimin tim të vjetër.

*Titulli i origjinalit: “Pothuajse ty”

ObserverKult


Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: AJO NUK ËSHTË MË…

ObserverKult