
Më bëhet sikur bie
Nga Esmeralda Shpata
Mbrëmë më vajti ters e nuk të prita dot.
Ca të pathënave nuk u jap dot trajtë, i shpërbëj e i fsheh nëpër mendje aq thellë, saqë po të mendoj se duhen zbardhur, dridhem. Me siguri rrethanat e pafavorshme për t’i dalë faqebardhë jetës vijnë e më takojnë kur vjen rasti i pavolitshëm.
Si nuk më mbetet gjë tjetër për t’ia dalë hullisë që kam ndërtuar vetë, gatuaj. Ah, kujdesi im, në krahasim me atë që duhet të bëj, ka një shije të stërholluare gruaje!
Një dridhje e dukshme nxjerr në pah merakun e vjetër se papritur mund të vdes. E marrtë djalli njeriun fytyrngushtë, i cili nuk le kuptim pa shkoqitur dalldinë e çdo lëvizjeje të sajuar nga vogëlsia e jetës që ka bërë.
Unë dua ta gëzoj jetën së tepërmi, por kryesisht nuk më ecën siç e përfytyroj.
Mbrëmë nuk kishte ujë. Një pompë e vjetër që kishte ndërruar ngjyrë nga vitet bënte zhurmë brenda kokës sime. Mendimet m’u çoroditën dhe u ktheva më këmbë nga vendi ku kisha ndërmend të nisesha. Si mundem ta përshkruaj se mes gjithë atij turbullimi të brendshëm më duhet të mbaj një qëndrim të përzemërt me zhurmën dhe me etjen që ndiej. Kam jetuar me një farë krenarie të paarsyeshme dhe në një vështrim të parë dukem e lumtur.
Mund të sillem sipas qejfit tim, por kjo nuk është aspak një padjallëzi e çiltër, vetja më bën shpesh shërbime të fshehta të cilat nuk kam si të mos i pranoj.
Ndonjëherë, siç e thashë më parë, kur mbaroj dënimet që i jap vetes, gatuaj. Vetëm duhet ta ndiesh se ç’efekt më jep të gatuarit.
Që atë çast nanuris një supë. Dikush mund të përqendrohet në një soditje të papërfillur, punë supe. Unë trazoj e përqendruar supën e kobshme, megjithëse të tjerët nuk rrinë dot pa shprehur një farë habie për përkushtimin tim të denjë me gjeste të ëmbla gruaje.
Ky mister i supës, i gatuar me rrepa, halle e dëshira të fshehta, qepë e karrota të freskëta toke, më josh. Të gjitha këto perime të zymta e gënjeshtare ziejnë e fjalosen me njëra-tjetrën dhe më lënë pa mend. Trupi im i kolmë, i ri, me gjak të pastër, me lëkurën që ndrin nga shëndeti, bie.
Në tenxheren time shfaqen vegime të tmerrshme të së ardhmes. Të vdekurit kanë bërë gati lugët dhe presin të hanë supën.
ObserverKult
Lexo edhe:






