“Dashnorët e fjalëve”, nga Esmeralda Shpata
Unë të pashë kur iu përvodhe njerëzve, mbajte për nga qendra e këtij qyteti të zymtë. Të pashë ku me bisht të syrit ndoqe një grup djemsh që flisnin e ecnin rrëmujthi në rrugë. Ma kapi syri dhe tulatjen e të tuve, syve, kur u shkëmbeve me ta.
Të pashë sa e bukur më ishe bërë sot, pa asnjë truk, ecje vetëm dhe shkujdesur. As nuk e more me mend se ç’mendime më ngjize në mendje, as ç’dritë shpirtit më hodhe. Ti je buadallaqe fare, si nuk e kupton asnjëherë ç’liri i jep trupit tënd për t’më torturuar, aq shumë vuaj sa nuk di ç’fjalë të gjej që të ta them. S’kam pasur raste më parë, më ka ikur një jetë e tërë pa ty, tani të gjeta, gjeta dhe forcën time për ta çoroditur zemrën. Nuk kam pasur turp të bëj dashuri me fjalët për dekada të tëra, aq sa për zhuritjen që ndieja prej tyre i dhashë rregull dhe jetës sime.
Sapo të pashë një turfullimë shpirtërore ndjeva, në fillim dyshova mos ishe një ëndërr, por jo, ti je e gjallë, ke emër, puls dhe gjak.
Bëmë festë të dy, festë fjalësh, ato lidheshin, shkriheshin dhe bëheshin një trup i vetëm. Ne i shihnim të mrekulluar dhe qetësonim trupat që s’na bindeshin. Kjo nuk është një prirje letrare e dashur, ku ka letërsi pa instinkt, kjo është dridhmë që rrugës ndërton fjalën dhe shfaqet mbi buzët tona.
Le të shkojë në dreq bota me rregullat e veta, ne kemi fjalët, ato kanë lëndën e tyre që është mbrujtur ku ngjizet jeta, mu në eks të shpirtit.
ObserverKult
Lexo edhe: