Esmeralda Shpata: Të gjithë e kanë humbur zërin…

Esmeralda Shpata huaj

E tanishme pa zë

Nga Esmeralda Shpata

Me shefat e mëhershëm nuk i dihet a ka qenë jeta më emocionuese se tani. Ky i riu është i çuditshëm.
Të gjithë janë në gjendje alarmi dhe presin urdhrin e të madhit. Ai vetë është, por nuk shfaqet. Të rinjtë binden. Nga pamja e jashtme nuk ka asgjë të qortueshme në qëndrimin e tyre. Xhaketat i kanë të hapura dhe këmishët e kopsitura, kanë vënë kollare të zeza, shndrisin nga eleganca dhe nuri. Kështu i do Ai. Dielli sapo ka feksur dhe majat e maleve shkëlqejnë për këdo që di ta hedhë shikimin mbi to. Ajri mëngjesit të ngop mushkëritë dhe flladi i lehtë u prek me merak fytyrat djelmoshave.
Më duhet ta sajoj vetë historinë e emrit.

Djali, të cilin do ta përdor për të treguar akullimën e ngjarjes, nuk më lodh shumë që ta dalloj mes të rinjve. Ai jam unë.
Bulëzat e djersës mbi buzën time vezullojnë nga dielli, dhe po të duash t’i mbyllësh sytë e mos të shohësh asgjë, ndien si dihas mes të tjerëve.
Sa herë që mundohem të shikoj veten, stërmundohem, duket sikur e kam pasion të vuaj. Unë e njoh, frika aq më bën, mbushem me frymë dhe më hov gjoksi nga dëshira e mekur. Dua ta zbuloj para të tjerëve e ta ndëshkoj, kam mbledhur mllefin e të gjithëve.

Me siguri e mbani mend, që të gjithë kanë humbur zërin, ndër më të bukurin që mund të qe deri në të tanishmen, veçse për ta kapur jehonën e tij të duhet shumë mund, sakrificë e guxim. Atë e fsheha unë. Më urdhëroi shefi.
Njerëzit u lodhën duke e kërkuar, sytë e tyre kërkojnë të çmeritur dhe shenjën më të vogël për ta zënë gafil njeriun që ka grabitur gjuhën e të gjithë gjindjes.

Ndjesia e tmerrshme e humbjes i ka dërrmuar. Nuk guxojnë ta pranojnë si e kanë humbur atë që e kanë pasur. U ka shkuar mendja dhe më parë se ç’ndryshime ka mes njëri-tjetrit dhe sa e habitshme është që kjo pranohet qorrazi, pa ndërmjetësimin e askujt. Dyshimi se mund ta shtijë secili në dorë i tensionon të gjithë, ndaj për ta mbajtur ngjarjen në kontroll përgatiten, vishen e kollarisen për merak. Zëri i humbur shkëlqen brenda një fyti dhe e mban vullnetin e të gjithëve të tendosur. Nga vendi i fshehtë i mendjes, aty ku ka mbetur pak kujtesë ndihet një kuje e mbytur. Ata si të pushtuar nga djajtë dridhen dhe përpëliten me mirësillje, mynxyra ka përfshirë të madh e të vogël në të gjitha rangjet dhe në ato të lartat.

Po të hedhësh sytë mbi radhën e të rinjve, mbi kostumet dhe fytyrat e tyre, po të dish vërtetë të shohësh, do të këndellesh nga aftësia e tyre e të qenit të bukur të pazë. Të gjithë njerëzit janë shndërruar në prenë time.
Unë e kam zërin, megjithëse është e habitshme si arrij t’i çorodisë të gjithë. Shikoj me veshë e dëgjoj me sy të gjitha poshtërsitë që bëhen rreth e rrotull meje, pa më dalë askund emri. Ekzaltohem duke admiruar perëndimin e diellit majë kreshtave dhe marr vëmendjen e shefit.

ObserverKult


Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: DHIMBJA NUK KISHTE TË SOSUR…