Esmeralda Shpata: Këpucët

Ju ftojmë të lexoni tregimin “Këpucët” nga Esmeralda Shpata!

Mateo e kishte bërë zakon. Ngrihej nga shtrati në orën katër të mëngjesit. Hidhte një xhaketë supeve dhe tërhiqte derën e dhomës së gjumit mbas vetes.
Në të errët afrohej te shtëpia me plloça guri, e asaj vejushës, që tërhiqej zvarrë. Një rrugicë tek treqind metra i ndante. Kërcitja e degëve të thata, fërshfëritja e gjetheve të rëna dhe kënga e ëmbël e ndonjë gjinkalle ia bënin të magjishme atë copë rrugë.
I binte tri herë derës dhe hiqte këpucët te pragu. I kishte blerë me çmim të arsyeshëm në fillim të majit.

Kur dita shfaqej fillimisht mbi pemë dhe pushtohej çdo gjë prej saj, Mateo ishte kthyer në shtëpi. E adhuronte të shoqen për gjumin dhe i puthte sytë kur sapo i hapte. Të dy i buzëqeshnin njëri-tjetrit. Në atë çast, çift më të lumtur zor se gjeje. Kalonin në ca shtigje të ngushta ato të qeshura e të shikuara në sy, sa mezi e mblidhnin veten.
Një natë, nën dritën e hënës, ndjeu një duhmë ere. Si aroma e së shoqes iu bë. Ndaloi buzë rrugës dhe u kthye në drejtim të kundërt. Pa nga shtëpia e tij. Era llomotiste nëpër natë dhe burri u shqetësua pak.
E sosi atë copë rrugë.

Hoqi këpucët te shtëpia e fqinjës dhe u fsheh. Pas dy-tre minutash dëgjon një zhurmë. Rri në heshtje për pak dhe tërhiqet i sikletosur pas dere.

Zemra po i rrihte me forcë. Hapat po largoheshin. Doli nëpër natë, kërkoi të vishte këpucët. Nuk i gjeti. Pa një hije sa vetja, që mori për nga shtëpia e tij. Burri u zhduk në një skaj të errët. Në majë të gishtave e ndoqi. Kërcisnin butë gjethet nën këmbë. Era shpërndante një tharm të huaj.

“Ajo po fle,-mendoi.”
Pa arritur te ngjarja kulmore iu afrua shtëpisë.
“Nuk sjell ters një dritë e zbehtë. Ime shoqe po fle.”
Për ta zhdukur dhe më tej atë zë mbytës, u ul te pragu. Po dridhej i tëri. Kishte një gjendje të flashkët, të rëndë. I ftohti iu ngjit nga këmbët për palce. E zunë ca të dridhura. Një zemërim i madh, një…
Po mbikqyrte veten.
“Ja ku jam,-tha,-ja ku qenkan dhe këpucët e mia.”

ObserverKult

Lexo edhe:

NJË GRUE RRETH TË 40-TAVE E KA JETU FERRIN E PARAJSËN, NUK KA FRIKË!