
(Një lexim eseistik i kujtesës së qëndresës në Kosovë)
Nga Ismail Syla
Semantika e dyflijimit
Sipas leximit estetik dhe hermeneutik të historisë së popujve të vegjël, ngjarjet nuk mbeten vetëm në nivelin e faktit, por shndërrohen në forma simbolike të përjetimit kolektiv. Me kalimin e kohës, këto forma stabilizohen në struktura të kujtesës, të cilat nuk funksionojnë më vetëm si kronologji, por si modele kuptimore përmes të cilave një shoqëri e lexon vetveten.
Në historinë e rezistencës shqiptare në Kosovë vërehet një fenomen i përsëritur, i cili nuk mund të shpjegohet vetëm me rastësi kronologjike. Në disa momente kyçe të kësaj historie, rënia nuk paraqitet si akt individual, por si rënie e përbashkët e dy figurave që hyjnë njëkohësisht në kujtesën historike. Kjo dukuri mund të përkufizohet me termin dyflijim, i formuar nga bashkimi i fjalëve dy dhe flijim, për të shënuar një sakrificë të përbashkët që krijon një njësi të pandashme kuptimore.
Në përdorimin përshkrues, kjo dukuri mund të quhet edhe rënia e dyfishtë, ndërsa në terminologjinë estetike ajo mund të lexohet si strukturë binare e rënies, ose si simetri tragjike, ku dy figura historike formojnë një konfigurim simbolik që nuk mund të ndahet pa u prishur kuptimi i tërësisë. Në planin e kujtesës kolektive, këto figura funksionojnë si binome të dëshmorëve, ose si forma të asaj që mund të quhet bashkërënie historike, një mënyrë e veçantë e përjetimit të sakrificës në të cilën individi nuk qëndron vetëm, por në një unitet tragjik me tjetrin.
Pranimi i termit dyflijim si kategori interpretimi lejon që këto ngjarje të mos lexohen vetëm si episode të veçuara, por si pjesë e një strukture të përsëritur, në të cilën tragjikja shfaqet sipas një modeli të qëndrueshëm. Në këtë kuptim, subjekti i vërtetë nuk është vetëm individi që bie, por vetë historia, e cila në momente të caktuara duket se organizohet sipas një simetrie të brendshme të sakrificës.
Struktura binare e kujtesës dhe simbolika e dyfishimit
Në hermeneutikën e kujtesës kolektive, dyfishimi ka një funksion të veçantë. Ai nuk shërben vetëm për të shtuar intensitetin e ngjarjes, por për të krijuar stabilitet simbolik. Dy figura që bien së bashku formojnë një njësi të mbyllur kuptimore, një konfigurim që i reziston harresës dhe që riprodhohet në rrëfimin historik si model.
Në këtë kuptim, binomet e dëshmorëve nuk janë vetëm bashkëkohësi kronologjike, por forma estetike të kujtesës, përmes të cilave historia ruan vazhdimësinë e vet. Dyflijimi shfaqet si një strukturë binare e rënies, ku sakrifica merr kuptim të plotë vetëm në marrëdhënien midis dy figurave.
Kjo strukturë përsëritet në disa momente kyçe të rezistencës në Kosovë:
Naser Hajrizi – Asllan Pireva
Rexhep Mala – Nuhi Berisha
Afrim Zhitia – Fahri Fazliu
Fehmi Lladrovci – Xheva Krasniqi-Lladrovci
Gursel dhe Bajram Sylejmani, vëllezër
Rasim Kiçina – Ragip Halilaj.
Në secilin rast krijohet një njësi simbolike që nuk mund të lexohet në mënyrë të ndarë. Kujtesa nuk i ruan këta emra si individë të veçantë, por si çifte historike, si forma të bashkërënies, ku tragjikja shfaqet në mënyrë simetrike.
Në këtë mënyrë, dyflijimi bëhet një nga figurat më të qëndrueshme të kujtesës historike shqiptare në Kosovë, një strukturë ku sakrifica individuale shndërrohet në kuptim kolektiv dhe ku historia duket se e shkruan veten përmes një simetrie të përsëritur të rënies
Naser Hajrizi – Asllan Pireva
(Figura e hapjes së plagës historike, 1981)
Rënia e Naser Hajrizi dhe Asllan Pirevës në pranverën e vitit 1981 shënon momentin inaugurues të asaj që në këtë lexim është përkufizuar si dyflijim, pra si shfaqja e parë e qartë e një strukture binare të sakrificës në historinë moderne të rezistencës shqiptare në Kosovë. Këtu historia kalon nga pritja në përplasje, nga fjala në gjak, nga shpresa në përballje të drejtpërdrejtë me dhunën e pushtetit.
Në planin simbolik, kjo rënie nuk ka vetëm karakterin e një humbjeje, por të një çarjeje themeluese, një çast në të cilin koha historike humb pafajësinë e saj dhe hyn në një rend të ri, të përcaktuar nga konflikti dhe sakrifica. Pranvera e vitit 1981, e cila në semantikën kulturore shqiptare lidhet me rilindjen dhe hapjen, shndërrohet në vend të krismës, duke krijuar kështu figurën e parë të asaj që mund të quhet plagë e hapur e historisë.
Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva shfaqen në kujtesën kolektive jo vetëm si dy demonstrues të vrarë, por si binomi i parë i tragjikes së re, si dy emra që hyjnë bashkë në kujtesë dhe që prej atij çasti nuk mund të përmenden të ndarë. Kjo bashkërënie i jep rënies së tyre një karakter themeltar ajo nuk është vetëm një episod, por pikënisje e një modeli që do të përsëritet në vitet që pasojnë.
Në terminologjinë estetike, kjo mund të lexohet si figura e hapjes së kohës tragjike, një moment në të cilin historia e Kosovës fillon të organizohet sipas një simetrie të brendshme të sakrificës. Pas këtij çasti, kujtesa nuk e përjeton më rënien si fat të veçuar, por si bashkërënie, si dyflijim, si një mënyrë të përsëritur përmes së cilës historia kërkon të ruajë kuptimin e saj.
Prandaj, rënia e tyre nuk qëndron vetëm në fillim të një kronologjie, por në fillim të një strukture simbolike. Me Naser Hajrizin dhe Asllan Pirevën hapet një rend i ri i kujtesës, ku liria nuk do të matet më vetëm me kërkesë, por me flijim, dhe ku tragjikja do të shfaqet shpesh jo në vetmi, por në formën e dyflijimit.
Rexhep Mala – Nuhi Berisha
(Figura e qëndresës absolute, 1984)
Rënia e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës përfaqëson një nga momentet më të plota të asaj që në këtë lexim është quajtur dyflijim, sepse në këtë rast bashkërënia nuk lind vetëm nga rasti historik, por nga një vetëdije e plotë e përballjes. Këtu tragjikja nuk shfaqet si ndërprerje e papritur, por si zgjedhje e qëndrimit, si vendim për të mos u tërhequr edhe atëherë kur fundi është i ditur.
Në planin estetik, ky binom përfaqëson figurën e qëndresës absolute, një formë e tragjikes në të cilën subjekti nuk përpiqet të shmangë rënien, por e pranon atë si pjesë të domosdoshme të kuptimit. Në traditën epike shqiptare, kjo lidhet me nocionin e besës dhe të mosdorëzimit, ku nderi dhe qëndrimi vendosen mbi jetën. Në këtë kuptim, rënia e tyre nuk është vetëm humbje, por afirmim i një etike që e vendos idealin mbi ekzistencën.
Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha hyjnë në kujtesën historike si një binom i qëndresës, si dy figura që përballen së bashku me fundin dhe që, pikërisht për këtë arsye, nuk mund të lexohen në mënyrë të ndarë. Bashkërënia e tyre krijon një simetri tragjike në të cilën sakrifica merr formën e një akti të përbashkët, duke e shndërruar rënien në një njësi simbolike të qëndrueshme.
Në terminologjinë e estetikës së kujtesës, ky moment mund të quhet kulmim i subjektit heroik, sepse këtu historia nuk flet më për viktimë, por për qëndresë të vetëdijshme. Dyflijimi i Malës dhe Berishës e forcon strukturën binare të rënies në kujtesën kolektive dhe e bën të qartë se sakrifica tashmë ishte bërë pjesë e rendit të domosdoshëm të historisë.
Me këtë binom, modeli i hapur në vitin 1981 nuk mbetet i izoluar, por merr trajtën e një ligjësie të brendshme: historia e Kosovës fillon të dëshmojë se në momentet vendimtare ajo shfaqet jo përmes një figure të vetme, por përmes dy figurave që bien bashkë dhe që mbeten bashkë në kujtesë.
Afrim Zhitia – Fahri Fazliu
(Figura e betimit ekzistencial, 1989)
Me rënien e Afrim Zhitias dhe Fahri Fazliut, struktura e dyflijimit hyn në një stad tjetër simbolik, ku tragjikja nuk zhvillohet më në hapësirën e turmës, por në hapësirën e mbyllur, intime, pothuaj metafizike. Këtu bashkërnia nuk është vetëm rezultat i rrethanës historike, por shfaqet si një formë e vetëdijshme e qëndrimit, si një akt që ka karakterin e betimit.
Në planin estetik, ky binom përfaqëson figurën e provës ekzistenciale, ku individi përballet me fundin jo si me një rastësi, por si me një domosdoshmëri që e ka pranuar paraprakisht. Nata, e cila në simbolikën hermetike është hapësirë e provës dhe e vendimit, bëhet këtu vendi ku tragjikja merr formë të plotë. Rënia e tyre nuk është shpërthim i befasishëm, por përmbushje e një rruge të zgjedhur.
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu hyjnë në kujtesën historike si një binom i betimit, si dy figura që mbeten së bashku në çastin e fundit dhe që për këtë arsye krijojnë një njësi simbolike të pandashme. Në këtë bashkërënie, dyflijimi merr një dimension më të thellë, sepse sakrifica nuk shfaqet vetëm si akt politik, por edhe si akt ekzistencial, si zgjedhje e vetëdijshme për të mos e braktisur kuptimin.
Në terminologjinë fenomenologjike, kjo rënie mund të lexohet si vendosje e subjektit përballë kufirit, një çast në të cilin jeta dhe ideali përplasen, dhe ku individi zgjedh të qëndrojë në anën e kuptimit, edhe kur kjo nënkupton fundin. Kjo e bën dyflijimin e Zhitisë dhe Fazliut një nga figurat më të pastra të simetrisë tragjike në historinë e rezistencës.
Me këtë binom, struktura binare e rënies thellohet dhe bëhet më e vetëdijshme. Historia nuk duket më si një varg rastësish, por si një rend i brendshëm në të cilin sakrifica përsëritet sipas një modeli që kujtesa kolektive e njeh dhe e ruan.
Fehmi Lladrovci – Xheva Krasniqi-Lladrovci
(Figura e bashkimit etik dhe sakrificës konjugale, 1998)
Me rënien e Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqi-Lladrovcit, struktura e dyflijimit në historinë e rezistencës shqiptare në Kosovë merr një dimension të ri simbolik, i cili e tejkalon formën e zakonshme të bashkërënies heroike. Në këtë rast nuk kemi vetëm dy bashkëluftëtarë që bien në të njëjtin çast, por një bashkim që ekzistonte para rënies, një unitet jetësor që vazhdon edhe në sakrificë. Kjo e bën këtë binom një nga figurat më të plota të simetrisë tragjike në kujtesën historike.
Në planin estetik, kjo rënie mund të lexohet si figurë e unitetit etik, ku jeta private dhe veprimi historik nuk qëndrojnë të ndara, por bashkohen në të njëjtin akt. Fehmiu dhe Xheva nuk hyjnë në histori vetëm si luftëtarë, por si një çift që e ka bërë idealin pjesë të jetës së përditshme, duke e shndërruar kështu sakrificën në vazhdim të natyrshëm të zgjedhjes së tyre ekzistenciale.
Në terminologjinë e estetikës së kujtesës, kjo mund të përkufizohet si dyflijim konjugal– bashkëshortor një formë e rrallë e bashkërnies ku dashuria, besnikëria dhe lufta bashkohen në një njësi të vetme kuptimore. Këtu tragjikja nuk qëndron vetëm në rënien e dy figurave, por në faktin se edhe jeta, edhe ideali, edhe fundi janë të përbashkëta. Sakrifica nuk është më vetëm akt politik, por edhe akt etik, një zgjedhje që përfshin të gjithë qenien.
Fehmi Lladrovci dhe Xheva Krasniqi-Lladrovci hyjnë në kujtesën kolektive si një binom i unitetit, si dëshmi se dyflijimi nuk është vetëm rezultat i rrethanës historike, por mund të jetë edhe vazhdim i një lidhjeje që ekziston përpara luftës. Kjo e bën rënien e tyre të marrë karakter pothuaj ritual, sepse në këtë bashkërënie historia dhe jeta bashkohen në një pikë të vetme.
Në këtë kuptim, rënia e tyre përfaqëson një nga kulmet simbolike të strukturës binare të sakrificës. Ajo dëshmon se dyflijimi në historinë e Kosovës nuk është vetëm shenjë e tragjikes, por edhe shenjë e solidaritetit më të thellë njerëzor, ku individi nuk bie vetëm, por së bashku me tjetrin, duke e kthyer sakrificën në një formë të përbashkët të kuptimit.
Me këtë binom, struktura e dyflijimit arrin një nga format e saj më të larta, sepse këtu bashkërënia nuk lind vetëm nga lufta, por nga vetë jeta. Dhe pikërisht për këtë arsye, kujtesa historike i ruan këta dy emra jo si dy figura të veçuara, por si një njësi të vetme, në të cilën dashuria dhe sakrifica mbeten të pandara.
Gursel Sylejmani – Bajram Sylejmani
(Figura e vëllazërisë tragjike, 1998)
Me rënien e Gursel Sylejmanit dhe Bajram Sylejmanit, struktura e dyflijimit në historinë e luftës së UÇK-së merr trajtën e një simbolike tjetër, në të cilën bashkërënia nuk buron vetëm nga ideali i përbashkët, por edhe nga lidhja e gjakut. Në këtë rast nuk kemi vetëm dy luftëtarë që bien në të njëjtin front, por dy vëllezër që hyjnë bashkë në sakrificë, duke e shndërruar rënien në figurë të vëllazërisë tragjike.
Në planin estetik, kjo rënie mund të lexohet si dyflijim vëllazëror, një formë e bashkërënies ku lidhja familjare dhe ideali historik bashkohen në një njësi të vetme kuptimore. Gurseli dhe Bajrami nuk përfaqësojnë vetëm qëndresën e individit, por vazhdimësinë e një gjaku që nuk ndahet as në jetë, as në luftë, as në vdekje. Kjo e bën sakrificën e tyre të marrë karakter të veçantë simbolik, sepse në këtë binom historia nuk shfaq vetëm luftëtarin, por edhe familjen që hyn e tëra në rendin e flijimit.
Në terminologjinë e estetikës së kujtesës, kjo mund të përkufizohet si figura e unitetit të gjakut, ku tragjikja merr formën e një bashkimi që ekziston përpara historisë dhe vazhdon edhe në të. Rënia e tyre dëshmon se në luftën e fundit për liri, sakrifica nuk ishte vetëm akt individual, por shpesh edhe akt familjar, ku ideali i përbashkët bëhej më i fortë se frika e humbjes.
Gursel Sylejmani dhe Bajram Sylejmani hyjnë kështu në kujtesën historike si një binom i vëllazërisë, si dëshmi se dyflijimi në historinë e Kosovës nuk është vetëm simetri tragjike e rastit, por edhe shprehje e lidhjeve më të thella njerëzore. Në këtë bashkërënie, gjaku dhe ideali bëhen një, dhe sakrifica merr formën e një uniteti që nuk mund të ndahet pa u prishur kuptimi i saj.
Rasim Kiçina – Ragip Halilaj
(Figura e vazhdimësisë tragjike, 1999)
Në këtë binom, historia e rezistencës shqiptare në Kosovë e zbulon një të vërtetë të sajën të brendshme: se dyflijimi nuk ishte vetëm formë e rastit, por ligj i përsëritur i tragjikes së saj. Me Rasim Kiçinën dhe Ragip Halilajn, rënia shfaqet sërish si bashkërënie, si simetri e dhembshme e dy figurave që hyjnë njëherësh në kujtesën historike dhe mbeten aty jo si emra të veçuar, por si një njësi e vetme e sakrificës.
Kjo rënie nuk ka më karakterin e inaugurimit, por të vazhdimësisë. Ajo nuk hap plagën e parë; ajo dëshmon se plaga ka mbetur e hapur. Pikërisht këtu qëndron pesha e saj estetike dhe filozofike: në faktin se tragjikja nuk paraqitet si episod, por si strukturë, si ritëm i përsëritur i historisë që vazhdon të kërkojë flijim edhe në prag të çlirimit.
Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj mishërojnë kështu figurën e një sakrifice që vjen pas shumë sakrificash të tjera, por që nuk e humb aspak fuqinë e saj simbolike. Përkundrazi, në ta përqendrohet e gjithë memoria e një historie që kishte mësuar të ecë përpara vetëm duke kaluar përmes humbjes. Rënia e tyre tingëllon si jehonë e binomeve të mëhershme dhe, njëkohësisht, si vulë e fundit e një rendi tragjik që po mbyllej vetëm me çmimin e gjakut.
Në estetikën e kujtesës, kjo mund të lexohet si figura e kulmimit të vazhdimësisë tragjike, ku historia, duke e përsëritur edhe një herë formën e dyflijimit, e bën të qartë se liria nuk ishte dhuratë e kohës, por përfundim i një procesi të gjatë sakrifice të përbashkët. Në këtë mënyrë, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj nuk mbeten vetëm pjesë e një serie, por bëhen një nga shenjat më të forta të faktit se kujtesa historike e Kosovës është ndërtuar jo vetëm mbi emra, por mbi binome, jo vetëm mbi rënie, por mbi dyflijime.
Përfundim
(Dyflijimi si strukturë estetike e historisë shqiptare)
Nëse historia lexohet vetëm si varg datash, atëherë rëniet mbeten episode të ndara dhe sakrificat humbin lidhjen e tyre të brendshme. Por kur historia lexohet në planin e kujtesës kolektive, ajo shfaq struktura të përsëritura, forma simbolike përmes të cilave një popull organizon përvojën e vet tragjike. Në historinë e rezistencës shqiptare në Kosovë, një nga këto forma është ajo që në këtë lexim është përkufizuar si dyflijim, një konfigurim i veçantë ku rënia nuk paraqitet si fat individual, por si bashkërënie e dy figurave që hyjnë njëkohësisht në rendin e kujtesës.
Ky fenomen nuk mund të shpjegohet vetëm me rrethanat historike. Përsëritja e tij në momente të ndryshme krijon përshtypjen e një ligjësie të brendshme, të një strukture binare të tragjikes, në të cilën historia duket se e riprodhon veten përmes simetrisë së sakrificës. Në këtë kuptim, dyflijimi nuk është vetëm ngjarje, por formë, jo vetëm fakt, por mënyrë se si kujtesa e ruan kuptimin e historisë.
Nga rënia e Naser Hajrizit dhe Asllan Pirevës, që hap plagën e kohës moderne, te qëndresa absolute e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, nga betimi ekzistencial i Afrim Zhitias dhe Fahri Fazliut, te uniteti etik i Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqi-Lladrovcit, flijimi vëllazëror i Gursel dhe Bajram Sylejmanit, e deri te vazhdimësia tragjike e Rasim Kiçinës dhe Ragip Halilajt, shfaqet një vijë e përbashkët që i lidh këto rënie në një rend simbolik të vetëm. Në secilin rast, kujtesa nuk ruan vetëm individin, por çiftin, jo vetëm emrin, por binomin, jo vetëm rënien, por dyflijimin.
Në planin estetik, kjo krijon atë që mund të quhet simetri tragjike e historisë, një mënyrë e veçantë e shfaqjes së sakrificës në të cilën kuptimi nuk qëndron te vetmia e heroit, por te bashkërënia e tij me tjetrin. Kjo e dallon kujtesën historike të Kosovës nga modeli klasik epik, ku figura qendrore është heroi i vetëm. Këtu, përkundrazi, historia duket se kërkon gjithnjë dy, sikur tragjikja të mos mund të përmbushet pa një pasqyrim të dyfishtë.
Dyflijimi, në këtë kuptim, bëhet një nga figurat më të qëndrueshme të kujtesës historike shqiptare. Ai shfaqet si ritëm i përsëritur, si dëshmi se liria nuk është rezultat i një akti të vetëm, por i një vargu sakrificash që lidhen mes tyre në mënyrë të pandashme. Çdo binom i ri nuk e zëvendëson të mëparshmin, por i bashkohet atij, duke e zgjeruar kuptimin e përbashkët të qëndresës.
Prandaj, kur këta emra përmenden, ata nuk qëndrojnë si figura të veçuara në një listë historike. Ata formojnë një rend simbolik, një strukturë kujtese, në të cilën historia e Kosovës lexohet si një varg bashkërëniesh, si një vazhdimësi dyflijimesh, përmes të cilave sakrifica individuale shndërrohet në kuptim kolektiv.
Në këtë mënyrë, dyflijimi nuk mbetet vetëm një term përshkrues, por bëhet një kategori estetike e historisë shqiptare në Kosovë — një formë përmes së cilës tragjikja, solidariteti dhe kujtesa bashkohen në një figurë të vetme, ku rënia nuk ndodh në vetmi, por gjithmonë në simetri, gjithmonë në bashkërnie, gjithmonë si pjesë e një historie që është shkruar jo vetëm me emra, por me binome.
ObserverKult
Lexo edhe:






