Nga Gjergj Mihallari
Kishin filluar ta bezdisnin festat e mëdha, me shumë pjesëmarës. Kishte përshtypjen se ishte në një dasëm, edhe kur bëhej festa për fundviti nga institucioni ku punonte. Ja kishin sjellë në majë të hundës dasmat. Pothuajse çdo fundjavë, e shtuna dhe e diela bashkë, në stinën e verës dhe gjysmën e vjeshtës, ishin të zëna nga dasmat. Fisi ishte i madh, po ashtu të njohurit dhe miqtë gjithashtu. Ishte kthyer në torturë afrimi i këtyre stinëve. Nuk i ngelej bosh një fundjavë, ku të ndiente të plotë pushtetin e paqtë të qetësisë, të zgjimit nga gjumi kur të dëshironin sytë dhe vështrimi i tejlodhur nga puna gjatë ditëve të tjera të javës. I mungonte ajo shtriqje e plotë në shtrat, pa kërcyer përpjetë kur prishej gjumi nga alarmi i zgjimit në celular. Dëshira për të shijuar bardhësinë e qashtër dhe butësinë e rrezeve të diellit në stinën e verës, i shpenguar në shtrat, gati ishte pamundësi. Ishte stina e dasmave dhe ai duhej të lëvizte sa andej-këndej për porosira që i ngarkonin të afërmit apo edhe të njohurit, por edhe kur mungonin këto porosi, ishte një ankth që e mbërthente. Do të fillonte avazi i dasmës, pa filluar dasma. Në vesh i jehonte muzika e diskut të prishur të kolonës muzikore që luhej në këto grumbullime humane. I njëjti avaz i muzikës i ngulitej thellë në tru, sa që e gëryente edhe dy a tre ditët e para të javës pasardhëse.
Nëse fillonte të mësohej me qetësinë dhe shijimin e fundjavës pasi kishte mbaruar stina e “torturës-dasëm-aheng”, vinte lajmi që në filan datë të muajit dhjetor ishte festa e punës. Edhe ajo ishte përsëritje e skenarit të një viti të mëparshëm. Udhëtimi disa orë drejt Tiranës, akomodimi në hotel, heqja e rrobave të rrugës për të veshur petkun “serioz” të ceremonisë, mbledhja tek lokali ku pjesmarja ishte sa disa dasma së bashku. Pas disa orëve gjumë, kthimi të nesërmen drejt shtëpisë. Lodhja varej deri tek fija e flokut dhe perëndimi i syve. Shkurt atij në këtë ditë i çukiste veshin një thënie popullore që përflitej në krahinën e tij:”-Për një koskë, deri në Poloskë!”
Mendoi se kishte shpëtuar nga ky telash në fundvit, pasi ndëroi punë. Ishte trasferuar në një institucion tjetër, po me të njëjtin aktivitet. Kur dëgjoi lajmin e festës për fundviti që organizohej nga drejtoria, e kaploi një mankth. Do ti duhej të prishte fundjavën, që e priste me padurim. Do të udhëtonte përsëri drejt kryeqytetit për një “kockë”. Mes padëshirës për të qënë pjesëmarës, triumfoi arsyeja. Për pozicionin që mbante, duhej të ishte pjesëmarës. Por edhe flakëza e mendimit, se duhej të ishte diçka ndryshe kjo festë, e bindi disi. Nuk besonte në skenarë të njëjtë, për institucione të ndryshme. Për këtë u bind, kur e njoftuan se nuk kishin për të festuar në Tiranë. Diçka ndryshe, pati shqiptuar nën zë. Do të gjendej pranë detit. Nuk ishte stina e nxehtë e verës, por kulmi i dimrit. Në sy nuk do të përmblidhte pafundësinë e thellë të ngjyrës blu, por një gri të metaltë, me përplasjen e fortë dhe të zhurmshme të valëve. Por përsëri deti duhej të ishte i bukur. Për të, deti gjithmonë ishte i bukur, tërheqës dhe plot mistere.
Me mëngjezin e shpejtë doli nga shtëpia në atë fundjavë dhjetori. Pjesa tjetër e stafit në punë do të udhëtonin më vonë. Shkak vonese ishin takimet me parukieret e femrave të punës. Nga përvoja e viteve të mëparshme e dinte sa mund të shkonte pritja tek automjeti ku do të udhëtonin së bashku gjithë punonjësit. Pritja kthehej në gjëndje gricëse për nervat e atyre që ishin korektë me orarin e nisjes. Duke mosduruar pritjen tek fugoni i përbashkët, dhe pamundësinë për të tymosur ndonjë cigare kur ai kishte dëshirë, vendosi të udhëtonte me autoveturën personale. Mund të ndalte për pushim ku ai të kishte dëshirë për të pirë kafe, të tymoste pa menduar se tymi i cigares bezdiste të tjerët. Ndërsa kishte dalë nga perimetri i kufirit të rrethit të Tiranës dhe po ndiente aromën e detit, duhej të ishte pak para drekës. Kur dalloi qytetin bregdetar, vendosi të drekonte në ndonjë lokal të vogël që të ofrojnë për meny peshk të freskët.
Kur po paguante kamarierin e pyeti për hotelin. Djaloshi imcak, duke nënqeshur për paditurinë e klientit, i tregoi rrugën. Hoteli ishte vetëm disa qindra metra më larg. Nuk ishte larg as nga bregu i detit. Me siguri ata nuk janë nisur ende, mendoi kur vështrimi i tij më parë ndeshi akrepat e orës në kyç të dorës, dhe më pas rrëshqiti përtej xhamave të dritareve në dhomën e hotelit, në katin e dytë. Kundronte detin. Ishte një sfond gri, me nuancat bardhoshe të tërbimit të valëve. Ajo panoramë ishte magnet tërheqës për të. Ishte vet magnet misteri det.
Tërhoqi pas derën e dhomës e filloi të zbriste shkallët. Në fillim të dobta, e më pas duke u forcuar vinin nga holli i hotelit tingujt e një pianoje. Kur u gjend në holl dalloi trupin e vogël të një vajze që lëvizte gishtat e saj mbi tastierën e pianos. Në krah të saj, disa bashkmoshatarë e dëgjonin me vëmëndje dhe e inkurajonin ndonjë herë. Vajza e vogël po luante mjeshtërisht në piano. E tërhoqi ajo melodi, ndaj u rehatua në njërin prej kolltuqeve në cep të sallës së hollit. Pranë ishin dritaret. Ndoshta kurrë nuk e kishte menduar se mund të shijonte tingujt e ëmbël të pianos duke soditur ftohtësinë që shfaqte deti. Ndezi një cigare, duke u zhytur më thellë në butësinë e kolltukut. Përcolli vështrimin rretherrotull ambientit. Në krahun e kundërt, tek kolltukët pranë pianos, dalloi një krah të zbuluar. Trupin ia fshihte mbështetësja. Gishtat e dorës së krahut, godisnin nën ritmin e tingujve që mernin jetë nga pianoja, mbështetësen e krahut në kolltuk. Nga lëvizja, dalloi edhe nuancën e lehtë të ngjyrës rozë të thonjve në majë të gishtërinjve të dorës. Nga ky detaj mendoi se krahu duhej të ishte i një femre. I zhytur në vëzhgim, krijoi përshtypjen se melodia formohej nga lëvizja e gishtërinjve të hollë të femrës së padallueshme në kolltukun pranë pianos. Ajo mënyrë e lëvizjes së gishtave, i solli kuadrot e një filmi të vjetër ndër sy. Diku e kishte ndeshur ato lëvizje. Po,po! Kujtesa filloi të kthjellohej. Dikur po,në një vend tjetër dhe në një kohë tepër të largët. Duhej të kishin kaluar gati tridhjetë vjet. U ngjesh më shumë në butësinë zhytëse të kolltukut. Vështrimi ngeli i ngurtësuar tek gishtërinjtë. Një dëshirë apo kuriozitet, e mbante të lidhur pas vendit ku ishte ulur. Mbase një peng ngelur thellë në zemrën e tij, për të takuar edhe njëherë vajzën e brishtë, më të bukur se aktorja me të cilën ai e kishte epitetuar, vajzën me vështrim plot butësi të mëndafshtë, me ecjen e lehtë, sikur dëshira e vetme e saj, ishte të mos prishte qetësinë e barit dhe tokës ku shkelte… Ah, rënkoi thellë qënia e tij.
* *
Sa kishte ndodhur me Jolandën, ai nuk dëshironte ta besonte. Nuk mund ta pranonte si një ndodhi, të ndodhur në jetën reale. Nuk mund ti kishte shqiptuar ato fjalë, zemra e saj. A tjetërsohej kaq shpejt një njeri? Ndaj, nëse ditën tjetër dhe shumë ditë të tjera të mëvonshme, në një vorbull nervozizmi dhe paqartësie kishte vendosur të pranonte atë që kishte ndodhur, të mos shkonte ta takonte dhe të ngulmonte në atë tërësi ndjenjash që i kishte lidhur për një periudhë të gjatë të dy, një mbasdite, i thyer në egon mashkullore dhe me përultësi të karakterit, instiktivisht këmbët e çuan tek konvikti i saj. Por atë që ndeshi, që pa me sytë dhe vështrimin e kthjellët, nuk dëshironte ta besonte. Jolanda duke biseduar dhe buzëqeshur me Janin. Vështrimin me të cilin ajo shihte Janin, ai nuk e kishte ndeshur kurrë për të. U lëkund toka poshtë këmbëve të tij, u dridhëruan gjymtyrët mbajtëse. Mbeti i ngurtësuar, me frymëmarje që nuk ia plotësonte nevojat trupit të tij. Gati kishte qënë një i vdekur frymues. Gjithë jeta ishte fikur si shuarja e një kandili kur mbaron vaji. Koha nuk kishte rrjedhur shumë shpejt, dy apo tre javë nga takimi i tyre i fundit. Kuptoi se sa i pavlerë kishte qënë për vajzën, ishte hedhur tej si një pallto e vjetëruar dalë boje. Tanimë, i pohoi vetes, atë realitet që vajza nuk kishte dëshiruar tia rrëfente drejtpërdrejt. I ngelej vetëm vetmia. Vetmisë duhej ti vishte rroba për udhëtimin e fundit në detin e kaltër, me zemrën të lëshuar në valët e këtij deti, si një karamele apo guacka bosh e një kokre arre… Jolandën nuk e pa apo ndeshi më, rrugëve të Qytetit Studenti. Pati njohje të reja me vajza të tjera studente. Por për fatin e tij të keq, duke e përforcuar më shumë atë mendim ogurzi që po kristalohej nga pak në mendimet e tij, se ishte i përndjekur dhe dënuar nga fati i mbrapsht, ishte takimi me një vajzë…
Tepër e bukur, kopia perfekte e një aktoreje të admiruar nga publiku për kohën. Dhe e thjeshtë, deri në përdëllim. Flokë të gjatë ngjyrë gështenjë, të mbushura plot ojna dhe kaçurela. Me vështrim të thellë plot butësi të mëndafshtë, por të trishtuar dhe të menduar. Me ecjen e lehtë, sikur dëshira e vetme e saj, ishte të mos prishte qetësinë e barit dhe tokës ku shkelte. Biseda e tyre kishte qënë një paqartësi. Si ai që fliste dhe pyeste, po edhe vajza që përgjigjej si nga një planet i largët. Më vonë do të ishte tepër i paqartë me vehten. Pa kujtesë. Nuk mbante mend asnjë fjalë të vetën, por edhe asnjë nga ato fjalë që kishte shqiptuar vajza. Një i njohur i përbashkët, i kishte treguar më vonë, pas takimit me vajzën, se ajo kishte patur një fatkeqësi në familje ato kohë. Atëhere, mallkoi vehten dhe fatin e mbrapsht që nuk i ndahej. Edhe nëse do të këmbëngulte në atë miqësi, kur të dyja palët ishin vetëm dy qënie të plagosura nga jeta, ai ishte ndalur si një udhëtar i menduar në mes të rrugës. Dy njerëz të sëmurë, nuk mund të shëronin dot njëri-tjerin, mendoi. U dorëzua plotësisht fatalitetit, vendosi që jetën ta pranonte si të rridhte.
Nëse për takimin e parë me atë vajzë, kishte ngulmuar tepër ai, më vonë përpiqej të ishte sa më pak i dukshëm në rrugët e Qytetit Studenti. Kishte frikë ai nga takimi apo përballja me atë vajzë. Mbase kishte zënë vend mendimi torturues se e kishte vrarë më shumë vajzën e brishtë, biseda e tij në atë kohë të papërshtatshme për zemrën e saj që vuante nga fatkeqësia. E kishte ndeshur njëherë, disa muaj më vonë. Në sallën e koncerteve të Insitutit të Arteve, po ndiqte koncertin recital të një studenteje të pianos. E kishte ftuar shoku i tij i dhomës në koncertin e të fejuarës. Vajza e brishtë qëndronte në krah të një vajze tjetër, të cilën ai e kishte parë në shfaqjet e grupit artistik të studentëve të universitetit. Ishte ulur me shokun e dhomës, në ndenjësen e fundit të rreshtit të mëpasëm ku qëndronin të ulura vajza dhe shoqja e saj. Mund ta vështronte mirë vajzën, çdo reagim të fytyrës apo lëvizje të gjymtyrëve të saj.Hera-herës, përhumbej duke vështruar profilin e vajzës. Ishte vështrim imtësor, duke rrëshqitur nga flokët, fytyra e saj, busti trupor dhe përfunduar tek duart e saj. Gishtërinjtë ishin të fiksuar mbi mbështetësen e stolave të rreshtin para. Edhe duart e vajzës ishin të bukura, ndaj vështrimi ndali gjatë aty. Ishte vështrim sikur të dëshironte të fiksonte çdo qelizë të qënies së vajzës. Gishtërinjtë e saj të hollë po godisnin lehtë mbështetësen e drunjtë, sikur ajo po luante vet në piano. Përqëndrimi i saj ishte i gjithëpushtetshëm, saqë gishtërinjtë e saj luanin sikur ajo të gjendej në skenë, në vend të fejuarës të shokut. Hera-herës mbi lëkurën e butë të fytyrës së vajzës godisnin rezet e ndriçimit të llampadarëve të mëdhenj të varur në tavan. Një smerald loti ishte poshtë syrit të saj. Pastaj dy, tre… Ajo uli kokën, tërhoqi krahun dhe gishtat u munduan të pastrojnë lotët…
Një breshëri duartrokitjesh në sallë. E fejuara e shokut, kishte mbaruar koncertin e saj. Si një i përhumbur në botën e pafundme të ëndrrave, edhe ai ishte përmendur nga zhurma dhe kishte rrahur shuplakat e duarve. Vetëm për një moment ishte tërhequr vështrimi i tij nga vajza, vetëm kur duartrokiti dhe vështroi skenën e koncertit. Kur ai drejtoi përsëri vështrimin nga vendi ku kishte qëndruar ulur vajza, stoli i saj ishte bosh. Vështroi turmat e spektatorëve teksa po zbraznin sallën, por ajo ishte përpirë nga turma. Në mendimet e tij zhurmuese dhe të shpërqëndruara, kishte zenë vend kërkimi i përgjigjes për shkakun e atyre lotëve në sytë e vajzës. Ato ditë të koncertit, ishin ditët e fundit të përfundimit të studimeve universitare. Nuk mundi ta takojë vajzën në qytetin Studenti, ndaj ngulmoi ta takojë në qytetin e saj të gurtë në jug. Atë muaj gushti, ai u dogj e përcëllua nga i nxehti i rrugëve të gurta të qytetit të saj. Por ishte e thënë që të mos ta takonte,ngaqë fati i tij i mbrapshtë kishte lidhur tufën e flokëve në mes të kokës. Ishte mbyllur në vehtvete për një kohë të gjatë. Brenda asaj guacke mbrojtëse që krijonte përreth tij, me tërheqjen dhe memecërinë e tij ndaj gjithçkaje që ndodhte apo jetohej jashtë perimetrit-kufi, ishte përpjekur të gjente zgjidhje për të vazhduar më tej. Burgosja në guackën e unit të tij, ishte e dukshme për syrin e kujdesshëm femëror. Ai ende e kishte të freskët dhe nuk mund ta harronte pyetjen e dikurshme të Mozës, shoqes së tij të grupit si student në fakultet: -Përse gjithmonë i vetmuar?
Duke u përpjekur të vërë buzët në gaz, për të mbyllur shtigjet e pyetjeve të tjera hulumtuese nga vetë natyra kurioze e femrës, ishte përgjigjur: -Më pëlqen! Brenda vetmisë time, mendoj më mirë dhe zgjedh rrugën më të drejtë!
Por vetëm një pyetje nuk kishte ngelur pezull. E kishte turturuar tërësinë e “Pseve” të pafundme. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, gati tridhjetvjeçare, shpesh herë kur ndeshte një fytyrë të lotonte, instiktivisht e ngacmonte pyetja pa marë përgjigje: -Përse kishte lotuar ajo vajzë atë ditë në koncert?
* *
Papritur vogëlushja ndali. Gishtërinjtë e zgjatur ishin ngurtësuar në ajër. Fëmijët e tjerë rrotull saj, filluan një potere dhe të ngacmonin vajzën, e cila shpërtheu në lot. Në atë çast, u bind plotësisht. Krahu mbi mbështetësen e poltronës, ishte i gruas, që kishte shkuar tek vogëlushja për ta qetësuar. I pastroi sytë e fytyrën e njomur nga lotët dhe duke marë vogëlushen në prehër u ul tek pianoja. Pas disa fjalëve të shqiptuara prej saj, vogëlushja kishte tundur kokën dhe së bashku filluan të luanin në piano. Në holl u shpërndanë përsëri tingujt e ëmbël, magjikë, tërheqës në vorrbulla kënaqësie. Ai mund të kqyrte vetëm trupin nga pas të gruas, të dallonte ngjyrën e flokëve të saj, gështenje e ndezur me anim në kuqremtësi, si dhe ngjyrën e fustanit, shkrirje e nuancave ngjyrë portokalle me të zezën në ornacionet që përmbante copa e pluhurës, me të cilën ishte qepur. I zhytur në poltronë, harroi arsyen e largimit nga dhoma, që ishte dëshira për një shëtitje bregut të detit. Një rreze dielli kishte shpërthyer midis ngarkesës ngjyrë plumbi të qiellit, duke goditur sipërfaqen e trazuar të detit. E ndërsa sodiste atë pamje, ishte spostuar tërësisht me mendime atje në breg të detit.
Nuk kishte dëgjuar që pianoja kishte heshtur. Nuk kishte vënë re që gruaja kishte ndalur vështrimin e saj gjatë mbi të. Nga përhumbja kishte harruar edhe cigaren e ndezur në buzë, hiri i të cilës, kishte rënë mbi pantallona. Në fillim kishte ndalur hapat në holl, nga muzika, më pas e kishte stepur dhe zhytur në kolltuk mënyra e lëvizjes së gishtërinjve e një personi fshehur pas ndenjëses së një kolltuku tjetër, dhe në çastin kur ai mund të treste kërshërinë e tij për të panjohurin që lëvizte gishtërinjtë në një mënyrë shumë të njohur për të, ai kishte fluturuar me mendime dhe vështrime përtej dritareve të ambientit.
-Përshëndetje! -ishte timbi i ngrohtë i zërit të gruas, ndalur përpara tij.
Enigma dhe kërshëria u shpërbënë si kristalet e borës mbi fytyrën e nxehtë. Një grua plot hijeshi dhe elegancë, pavarësisht se mosha ishte përpjekur të linte shenjat e veta, me vështrim të butë si mëndafsh që buronte nga sytë e qashtër. Gjithë qënia e saj reflektonte një buzëqeshje të ëmbël. I shtangur, ishte përpjekur të shqiptonte përshëndetjen. Gati doli një tingull i shuar. Dëshira e tij e madhe gjatë shumë viteve, për ta takuar vajzën që edhe me ecjen e vet nuk dëshironte të prishte qetësinë e heshtjes, tani në këto moment gati e kishte kthyer në një statujë të gurtë të antikitetit.
-Nuk po më njeh?
Ai nguroi ti përgjigjej. Dikur kishte njohur një vajzë me tipare të tilla, por nëse nuk ishte ajo vajzë? Por e përshkoi edhe mendimi tjetër që ajo femër ta ngatëronte me dikë tjetër.
-Nuk e di! -pohoi si guhak. -Jemi takuar ndonjëherë?
-Po! -dhe buzëqeshi ajo, duke i shqiptuar qytetin e saj.
Qëlloi vrastare buzëqeshja e gruas për atë. E shpoi si tehu i një thike ngulur deri në zemër. U përpoq të ndezë një cigare tjetër me dridhjen e gishtërinjve që mezi fiksonin çakmakun.
-Vija shpesh në qytetin tënd. Mos jeni shoqe me kushërirat e mia… -i kishte shqiptuar emrat e kushërirave të tij, por thellë-thellë, ai e dinte shumë mirë se ku ishin takuar.
-Jo, -vazhdoi ajo, pa shuar buzëqeshjen mbi buzë. -Kemi qënë student…
-Jam shoqëruar me shumë vajza në ato vite, -gënjeu ai. -Kam kujtesë të fortë, por…
-Kemi biseduar bashkë. Ishim vetëm… Një ide a një kujtim të mjegullt kam, -zëri i saj sikur humbi tonalitetin e tingullit të butë. Ishte ajo që sikur u lëkund me vehten e saj. -Nejse nuk ka rëndësi…
Një gjysëmrrotullim i trupit të saj, e përmendi. Ideja se ajo po largohej, e trembi. E kishte një pyetje, që mbarte në thellësi të qënieve gjatë gjithë atyre viteve të kaluara. Tani që ishte rasti të merte përgjigje, ajo mund të ngelej përsëri pyetje nëse gruaja largohej dhe ai nuk shfaqej kush ishte në të vërtetë.
-Ju lutem, -shqiptoi me zë të dridhur. -Mos u largo!
E ftoi të ulej në poltronën përballë, me vështrim të rrëzuar përdhe filloi të flasë: -Po filloj të ftillohem pak. Kujtesa bën shakanë e rradhës dhe mbase për këtë duhet të fajësojmë vitet që mbajmë mbi supe. Kam njohur një vajzë në ato vite, dëshiroja ta kisha në ditët e jetës sime. Të jesh ti…( shqiptoi emrin e saj, pa mundur ta vështronte në sy). Isha i dashuruar me qytetin tënd… Nuk e di, por kisha një ide të çmendur se vajzat e qytetit tënd , ishin vajzat më të mira, më të bukurat…
Ajo tundi lehtë dorën në ajër, duke shpërndarë tingujt e një të qeshure të sinqertë.
-Nuk më beson?
-Hahaha… Më duket se e kam dëgjuar edhe njëherë këtë shprehje, shumë vite më parë.
-Njeriu nuk ndryshon kollaj. Vetëm me kalimin e viteve pjek veten dhe mendimet, -ngriti kryet dhe vështroi gruan përballë tij. U përhumb në sytë e saj, gati si të ishte mbytur në thellësinë e detit disa dhjetra metra larg.
Biseda filloi të rrjedhë si ujrat e qeta të një lumi gati në përgjumje. Shqiptuan se ishin martuar, sa fëmijë kishin, kujt i ngjanin, thjesht filluan të bisedonin si dy miq të vjetër. Megjithatë, ai e kishte një lëmsh në grykë, lëmsh nga ajo pyetje që e kishte ngacmuar për shumë vite me rradhë, por edhe nga ajo bisedë, as e nisur dhe as e bitisur midis tyre. Mbase duhej ti tregonte edhe për stepjen që e kishte pushtuar atë kohë për të mos e takuar pas bisedës së parë.
-Nëse dëshiron pse nuk ngulmova në bisedën tonë kur ishim student, mund të ta them tani shkakun, -ndjeu valën e të nxehtit në fytyrë ai.
-Ehuuu, thua e mban mend? -tundi kryet lehtë ajo.
-Ti mbaje veshje të erta dhe kishe trishtim në sy, -thithi disa herë cigaren, sa ndjeu djegien e gishtërinjve nga bishti i shkurtuar i saj. Nxori një cigare tjetër nga paketë, duke e zgjatur edhe drejt saj. Ajo tundi kokën në mënyrë mohuese. Ai vështroi edhe njëherë nga deti. -Pas bisedës tonë, mësova se kishe patur një fatkeqësi. E urreva veten time, mu duk sikur të preka thellë në plagë dhe të shkaktova një dhimbje akoma më të madhe…
-Tani e besoj që e mban mend! -pohoi ajo.
-Mbase ishte punë fati. Kisha dalë nga një lidhje e pafat. Më ngulmoi mendimi se dy të sëmurë nuk e shërojnë dot njëri-tjetrin, dhe vulosi një pafatësi tjetër ose një idiotllëk të marrë në mendimet e mia. Disa kohë më pas të pashë, në një koncert tek salla e Institutit të Arteve. Nuk ishe vetëm. Të vështroja dhe nuk ngopesha duke të admiruar në pafundësi. Në profil ishe si artistja më e bukur e filmave të atyre viteve. Gjatë gjithë koncertit kam parë fytyrën dhe gishtat e tu. Por e di, më bëri përshtypje diçka atë ditë?
-Po hë, çfarë?
-Gishtërinjtë e tu luanin në boshllëkun e ajrit në sinkron të plotë me melodinë që luhej në skenë. Më magjepsën ato lëvizje. Vështrimi im lëvizte sa tek fytyra jote dhe sa tek gishtat. Pastaj disa lotë nga sytë e tu të bukur. Nuk e kuptova dot përse lotuan. Një pse që ka zënë vend brenda meje prej shumë vitesh, një pse ngelur pa përgjigje. Të kërkova me sy në sallë, kur mbaroi koncerti. Ti ishte tretur. Ato ditë të fundit në qytetin Studenti nuk të takova dot, ishe larguar të nesërmen e koncertit. Ndaj të kërkova në verën e nxehtë në qytetin tënd. Doja të të takoja. Të të thoja se mbase dy njerëz që vuajnë, dijnë të mbajnë më mirë njëri-tjetrin në krahët e tyre, të mos lëndojnë plagë të vjetra. Shkela gurët e nxehtë nën djellin djegës në çdo cep të qytetit, dhe në fund jam larguar si një gjysëm qënie…
-Eh, mbase ky ishte fati ynë, -psherëtiu edhe ajo.
-Mbase fati, ke të drejtë! Duhet të jetë fati përsëri që na takoi pas tridhjetëvjetësh, kur çdonjëri ka rrugën e vet. Mbase fati të solli që unë të heq njëherë e mirë nga truri psenë e madhe që nuk më le rehat. Përse lotove në atë koncert? Përse Mirel?
Ajo u përpoq të gjente tek sytë e tij atë çfarë reflektonin në moshën e dikurshme të njëzetvjeçarit. Gjurmët, vranat e lodhjes dhe të mendimeve ishin aty, me shpëlarjen e tyre. Sy të pajetë! Rrudhat poshtë tyre ishin si të numëroje rrathët e një trugu peme të prerë. Mjaftonte ti numëroje, vështroje dhe kuptoje gjuhën e tyre të pashkruar. Ajo kryqëzoi gishtërinjtë e duarve duke i afruar pranë gojës. U përqëndrua tek fytyra e tij, si ti kërkonte vëmendjen e plotë.
-Kisha plot ëndrra dhe dëshira. Dashuria ime ishte vetëm pianoja. Studiova plot dhjetë vjet, duke harruar çdo gjë tjetër nga jeta ime. Babi më shoqëronte gjithmonë kur shkoja në mësimin e pianos. Njëherë duke pritur në stacion urbanin, fillova të ushtroja gishtat në dërrasat e stolit kur uleshin udhëtarët. Isha kaq shumë e dhënë pas lojës, sa gati e humbëm urbanin. Dhe çdo ditë babushi im i shtrenjë do të ishte shoqëruesi im, duke u lumturuar për arritjet e mia. Pastaj konkursi për pranim në shkollë. Ishte zhgënjim. Nuk fitova. Gati u sëmura keq. Më kishte vdekur ëndrra ime, pasioni im. Babi u largua pak kohë më pas nga kjo jetë. Ai ishte hidhëruar më shumë për mua… Ah! Atë mbrëmjë ose një mbrëmje tjetër, duhej të isha edhe unë në atë skenë…
Ajo heshti. Edhe ai. Qetësia kishte peshkuar mendimet e tyre si peshqit në pezaul. Në qetësi shpërthyen disa tinguj të çakorduar pianoje. Vështrimi i tyre ishte i menjëhershëm në drejtim të hollit ku ndodhej pianoja. Një burrë godiste me gishta tastierat e saj, buzëqeshte i lumtur në oazin e tij. Të dy vështruan njëri-tjerin në sy dhe qeshën…
Fundja-fundit, nga jeta nuk marrin ç’ka dëshirojmë. Më shumë ajo tregon dhëmbët e egërsisë dhe jeta është vetëm një xhungël. Shumë ëndrra na janë vrarë.. Kjo është bota ku jetojmë…/ObserverKult