Rebelizmin e aktores Eva Alikaj, ende pa u afirmuar si e tillë, e njihnin të gjithë në Akademinë e Arteve, kur ishte studente. Ishte bërë disa herë problem për pantallonat e ngushta, fustanet ca më të shkurtër se norma dhe tualetin që i pëlqente ta bënte gjithnjë, më të dukshëm se shoqet. Ishte e bindur se, nuk kishte asgjë të keqe në të bërit e gjërave, siç i pëlqen.
E pohonte këtë edhe kur i tërhiqnin veshin në ndonjë mbledhje me dyer të mbyllura. Mirëpo, në rrethana të tjera, kur regjisorët i kërkonin të realizonte ndonjë skenë me të cilën koha nuk pajtohej, ajo refuzonte. Që në filmin e parë ku ka qenë pjesë si aktore kryesore, “Njeriu i mirë”, i është kërkuar të kishte një skenë puthjeje me partnerin e saj në film, Bujar Asqeriun.
Përgjigjja ishte kategorike: Jo! As aty e as në ata filma pasardhës, që do ta bënin Alikajn njërën nga aktoret më të dashura të kinematografisë shqiptare.
Këndvështrimi i regjisorëve dhe i aktorëve meshkuj për këtë temë, është krejt i ndryshëm nga ai i femrave. Secili prej tyre, ishte gjithnjë i disponueshëm për t’u puthur. Me gjasë, e bënin këtë sepse “skenari” ishte një mundësi e mirë për të puthur vajzat më të bukura të Tiranës së atëhershme.
Të mos ishte për shkak të punës, me siguri që, nuk do t’u kishte shkuar në mend! Këtë, jo se mund ta besojë njeri, por sidoqoftë, ishte justifikim “me letra”. Femrat, nuk se refuzonin, të shtyra vetëm nga frika e gjykimit. U qëllonin partnerë, me të cilët, për shkak të ndonjë antipatie, edhe të pajustifikuar, nuk do të putheshin as në mendime. Që kjo nuk ndihet në atë çka ne shohim në ekran, është për shkak të profesionalizmit. Vetëm kaq kanë mundur të përcjellin: puthjen jo. Me këtë, nuk përjashtohet mundësia që ndonjëra, edhe e ka provuar, por në fund, skena nuk është prerë nga kontrolli i shtetit.
Eva Alikaj, tregoi kohë më parë, më shumë se 30 vite pas filmit të parë, për paragjykimet e veta, brenda të cilave jetonte e që s’e linin të plotësonte kërkesat e regjisorëve. Propozimet mund edhe të ishin të tepërta, ajo mundet të kishte të drejtë kur ndihej e përdorur. Fundja, ç’justifikim kishte një puthje që në fund do të pritej?! Pavarësisht vendimeve të shkuara, aktorja, ndryshe nga ç’shumë kolegë të saj bëjnë, është e hapur të tregojë ndjesitë e metamorfozat e tyre.
Si ka qenë dhe si u shndërrua në atë që kanë pëlqyer e pëlqejnë, pavarësisht censurës apo lirisë. Ndër të tjera, na rrëfen për pasiguritë e një marrëdhënieje që nuk e ka përmendur më parë, me aktorin Ndriçim Xhepa. Se si, as dashuria e saj e madhe, nuk mjaftonte për të ndryshuar vendimet e saj.
Cili ka qenë filmi i parë ku ju është kërkuar të putheni?
Që në filmin e parë, “Njeriu i mirë”. Regjisorë ishin Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muço. Siç e keni parë, unë kisha partner në film Bujar Asqeriun. Është një skenë, të cilën po e xhironim diku përballë Librit Universitar. Aty m’u kërkua të puthesha me Bujarin, Telon në atë rast. Kërkesa ishte gati urdhëruese, njësoj, siç ishte, edhe përgjigjja. Nuk kishte asnjë justifikim sepse, pikë së pari, puthja nuk ishte pjesë e skenarit, askush nuk më kishte thënë asgjë, ndërsa befas, më kërkohet një skenë e tillë. Po sigurisht që nuk do të ishte në skenar, sepse ishte viti 1982 dhe skenari ishte kontrolluar përpara xhirimeve!
Pse e kërkonin ata këtë gjë, kur në fund as që do ta shfaqnin?
Nuk e di, por di që e kanë kërkuar me ngulm. Aq sa, në një moment unë u tremba, sepse ndërprenë xhirimet dhe më thanë që do të më duhej të paguaja ditën e punës së të gjithëve, meqenëse isha unë që po e shkaktoja pezullimin. Sidoqoftë, as kjo nuk do më bënte të ndryshoja mendim. Thashë nuk e bëj dhe pikë, bëni ç’të doni, ndërpriteni filmin.
Si u zgjidh?
Ndërprenë xhirimet vetëm për disa orë a ndoshta rifilluam të nesërmen, nuk e kujtoj mirë. Skena u mbyll me mua që i thosha Telos të dua por, edhe kjo në fund u pre, duke lënë vetëm një afrim që nënkuptonte se do të putheshim. Nga të gjitha fytyrat e ngrysura në xhirimet e këtij filmi, më kujtohet vetëm një operator, Saimir Kokona, që nuk thoshte gjë, por dukej se vazhdimisht më mbështeste me shikim, sikur të thoshte mos u mërzit.
Po Asqeriu, e donte puthjen?
Ai mbajti qëndrim neutral, por patjetër që ishte dakord. Unë as që e mendoja dot atë gjë.
Po ju, ç’ide kishit për puthjen filmike që e refuzonit kategorikisht?
E kuptoj tabunë e kohës, por duhet të ketë edhe një gjykim personal për këtë… Mbase u druhesha gjykimit të të tjerëve, mbase nuk isha aq mendjehapur, kisha paragjykimet e mia. Atëherë e kam menduar puthjen si diçka që duhej vetëm që të mbulonte paaftësinë e aktorit, ndryshe mendoj sot.
A ishte frika e gjykimit si “mendjelehtë” një lloj pengese?
Përveç “skandalit” si e bëri! Mund të ketë qenë edhe kjo, ishte një kompleksitet paragjykimesh. Më dukej edhe sikur kërkonin të më përdornin.
Mundet t’ju jetë kërkuar kjo gjë edhe te “Jeta në duart e tjetrit”, te “Treni niset në 7 pa 5”… në ç’raste të tjera?
Në këta dy që përmendët, po. Te “Treni…” u kërkua të kisha një puthje me Spiro Dunin, të fejuarin tim në film. Te “Jeta…” gjithashtu me tim shoq, Kristaq Skramin. Ata e dinin shumë mirë që unë do refuzoja, tashmë e njihnin të gjithë këtë qëndrim, megjithatë, provonin.
Nuk ka pasur puthje as në teatrin “Romeo dhe Zhuljeta”. Me partnerin, Ndriçim Xhepën, në atë kohë ju keni pasur një histori dashurie, përtej rolit. As me të nuk donit të putheshit në skenë?
Jo, as me të. Ju nuk e imagjinoni se në ç’situata gjendeshim. Ndërsa putheshe, ti duhet të mendoje edhe për të gjithë njerëzit që të përgjonin, nga çdo hapësirë e mundshme e lirë, e skenës. Ishin të gjithë pas perdeve.
Me të gjithë, nënkuptoni njerëzit e teatrit?
Po, njerëzit e teatrit. Matnin çdo centimetër që afroheshe, çdo lëvizje, ishte gjithçka e kontrolluar. Si mund të putheshe në një situatë të tillë! Sidoqoftë, unë nuk mendoj që çaloi ai teatër pse mungoi puthja e vërtetë sepse diçka, një puthje e rreme, aty ishte.
Ai ishte partneri juaj. A nuk mjaftonte kjo që, të paktën në këtë rast, të mos kishit aq shumë vramendje?
Unë kisha pasiguritë e mia në atë marrëdhënie. Mbase, po të kisha më tepër besim, do të puthesha edhe në skenë, por nuk ishte kaq e thjeshtë. Nuk jam ndier ndonjëherë e sigurt deri në fund.
A tentonte Xhepa t’ju bindte, meqenëse ishte më i afërt se të tjerët?
Jo, nuk tentonte, pikërisht sepse më njihte më mirë se të tjerët. Njihte, së pari, kokëfortësinë time, por edhe mentalitetin. Sado që mund t’i kundërshtonte vendimet e mia, nuk këmbëngulte.
Kaq kategorike ishit në gjithçka?
Oh, jo. Madje isha bërë një herë problem në Akademi, kur isha studente, pikërisht për shkak të natyrës rebele. Kanë thirrur tim atë të më përjashtonin nga shkolla pse bëja tualet apo vishja pantallona të ngushta. Këtë e bëja sepse isha e bindur që nuk po bëja asgjë të keqe. Madje, për çështje të tilla, u imponohesha regjisorëve të bëja ca gjëra përtej rregullave.
Thuajse në çdo film o teatër, unë çoja diçka nga vetja. Më kujtohet, te “Pallati 176”, xhinset, pulovra, ora, kapësja e flokëve, të gjitha ishin të miat. U bë problem atëherë kjo gjë, megjithatë më lejuan. Në rolin e Elsës, ka qenë dublante Elvira Diamanti dhe ndryshe nga unë, ajo ishte e veshur me sarafan. Për çështje të tilla, kam qenë unë që kam kërkuar më shumë seç lejonte koha. Po edhe në këtë rast, ata s’kishin pse kundërshtonin, fundja, do kishin ç’të shihnin… Do të kishin ç’të shihnin po, por nuk e kontrollonin gjithnjë veten.
Konkretisht…
Ka qenë në teatrin Monserati kur unë isha e veshur me një fustan me rripa të hollë dhe me dekolte. Dukesha mirë, më pëlqente ai fustan. Aktorët u hutuan aq shumë sa u bë e pamundur të vijonim me provat. U mërzita atëherë kur dëgjova Roland Trebickën që propozoi t’i vinin fustanit mëngë. Në fund, ashtu u bë.
Fare pak vite pas ndryshimit të sistemeve, ju keni bërë filmin “Përdhunuesit” me Ndriçim Xhepën, ku keni realizuar skena puthjesh. Ndërkaq, a ishit më bashkë me Xhepën?
Jo, nuk ishim më bashkë, sado që, historia ende nuk ishte shuar krejt. Ajo ka qenë dashuria e jetës sime dhe atëherë ishte ende shumë shpejt për ta konsideruar të mbyllur si të ishte një fjalë goje. Krejt ndryshe e shoh tani; mendoj: a kam qenë po unë ajo që jam ndjerë ashtu!
Çfarë kishte ndryshuar në mendësinë tuaj në aq pak vite?
Kam përshtypjen që ndryshimet tek unë kishin nisur që te filmi “Jeta në duart e tjetrit” që ishte realizim i vitit 1990. Ka qenë hera e parë aty ku unë nisa të mendoj se vërtet kishte skena të paplota; mund të ishte aty një puthje, por unë nuk e pranova.
Skrami, po?
Skrami dhe të gjithë, po. Po prit një herë, çfarë u bë, puth njërin e puth tjetrin!
Pastaj, mjaftoi largimi nga Shqipëria që të vinit me mendime të reja?
Atë po thosha, shenjat e para i kisha pasur te filmi që ju thashë. Kisha nisur të mendoja që për disa gjëra kisha menduar gabim dhe ndoshta pikërisht për të thyer këto mendësi të miat, për t’u treguar të tjerëve edhe që kisha guxim ta bëja, që mund ta bëja, pranova te filmi “Përdhunuesit”. Unë nuk kam ndonjë simpati për atë film, parafytyroj ca skena fare të papëlqyeshme, por sidoqoftë, puthjet u bënë.
Si progresoi ndryshimi i mentalitetit? Tashmë ju po jetonit në Vjenë. Ajri i atjeshëm mund të ndikonte që të kapërcenit mendjen e hapur të cilitdo kolegu, në Shqipëri…
U gjenda shumë shpejt përpara një vendimi tjetër. Sapo kisha dalë nga ridimensionimi i mendimeve të mia kur m’u desh të pranoja një situatë krejt të re. Kjo ndodhi pikërisht në Vjenë kur kisha rol në një serial. Isha lezbike aty dhe duhet të puthesha me partneren. Duhet ta pranoj që kisha një qëndrim krejt statik. Provuam të putheshim në dublën e parë po më jepte shumë siklet butësia e buzëve të një femre deri sa, aktorja që kisha partnere në film, më shkundi, më tërhoqi pas vetes, dhe më tha, ja, kështu bëhet. Gjithsesi gjykoj, edhe pas ndihmës së saj, se duhet të isha më aktive meqenëse kisha rolin e mashkullit në çift. Po ta bëja sërish sot, do ta bëja më e çliruar.
Kjo ka qenë skena më e sikletshme për ju?
Jo, ka qenë një episod tjetër, po në Vjenë. Duhet të tregoja me portret dhe zë ndjesitë e masturbimit. Trupin e kisha të mbuluar po duhet t’i shfaqja përjetimet në fytyrë. Ka qenë një skenë e sikletshme gjatë gjithë kohës aq sa gjatë interpretimit përpiqesha të fokusohesha në reagimet e sallës dhe mendoja “a thua e hëngrën!”.
Tani vonë, keni pasur një skenë puthjeje me Timo Fllokon te “Shtrigat e Salemit” në teatër. Janë po të njëjtët aktorë që dikur janë refuzuar…
Po, e realizoi Timo më në fund edhe skenën e puthjes me mua. Ka qenë një rast edhe vite më parë që nuk pranova të puthem.
Nuk keni pranuar gjithashtu të zhvisheni, ndërsa te “Hamletmachine” i hutuat të gjithë me linjat e trupit…
Iu kushtua më shumë rëndësi nga ç’mendova asaj pjese. Por po, tani jam një tjetër “Unë”./panorama
ObserverKult
Lexo edhe:
RRËFIMI I GRUAS SË BUJAR ASQERIUT: JA PSE U BËRA XHELOZE PËR EVA ALIKAJN…