(Në kujtim të mikut tim Afrim Maliqi)
Kalon një çerek shekulli vetmi, shi e dhimbje
Fryma e tij gjithandej e pranishme
Në vendtakimet…
Sikur të jetë e kurdisur me orën e zemrës
Më bëhet, sikur rri fshehur në ndonjë qoshe
për t’i vazhduar rrëfimet e mbetura përgjysmë
Për atdheun, për dashurinë, për ëndrrat,
Dhe për lirinë që e imagjinoje si diçka hyjnore
Secilin rrëfim e thurje në vargje të bukura
E trishtuese për botën (i)reale
Ishte kohë lufte, dimër i ashpër
Vdekja nuk ia trembte syrin
Ndonëse ajo e ndiqte në çdo hap
Si hije e gjallë, e si hije e vdekur
Jetën, e jetën e donte shumë
Sikur të gjithë të dashurit që në zemër i strehonte
Eh, thellë edhe vdekjen e parandiente
Si një fund që mund të vijë shumë shpejt
Kujtimet fluturojnë hapësirave të qiellit
Deri në fundin e botës imagjinare
Duke rrëmuar në qenie, deri edhe në fëmijërinë e vrarë
Mik i dashur ike i ri
Pa e thënë lamtumirën e fundit
Për të qenë i gjallë deri në fund të jetës